fbpx

Gjermania dhe Holanda urdhërojnë therjen selektive të pulave pas shfaqjes së gripit të shpendëve

Gjermania dhe Holanda kanë urdhëruar therjen selektive të pulave pasi u zbuluan raste të gripit të shpendëve në fermat e pulave, transmeton Anadolu Agency (AA).

Holanda urdhëroi therjen e 200 mijë pulave pasi zbuloi llojin e gripit të shpendëve H5N8 në një fermë në fshatin lindor Puiflijk.

Në vitin 2018, gripi i shpendëve shkatërroi më shumë se 30 mijë zogj në fermat e vendit.

Gjermania po ashtu është e prekur nga shpërthimi i gripit të shpendëve pasi pulat u zbuluan të infektuarve në një fermë të vogël në Schleswig-Holstein në veri të vendit.

Transmetuesi gjerman NDR raportoi se mbi 1 mijë zogj të egër të ngordhur u gjetën në bregdetin Nordfriesland.

Përhapja më e rëndë e gripit të shpendëve në Gjermani ndodhi në vitet 2016 dhe 2017 kur u asgjësuan mbi 900 mijë zogj.

Gripi i shpendëve po ashtu u zbulua në një fermë shpendësh në qytetin veriperëndimor Frodsham të Anglisë, ku rreth 13 mijë zogj po përballen me therje selektive.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve së bashku me Autoritetin Evropian të Sigurisë Ushqimore paralajmëruan vendet e Bashkimit Evropian (BE) për shpërthime të reja.

Agjencitë e BE-së u kërkuan vendeve evropiane të rrisnin masat e mbikëqyrjes dhe biosigurisë.

“Evropa Veriore dhe ajo Lindore duket se janë më të rrezikuara nga shpërthimet e reja duke pasur parasysh përvojën e kaluar”, u theksua në një deklaratë të përbashkët.

Sipas tyre, kur gripi i shpendëve u zbulua në të njëjtën zonë të Rusisë në verën e vitit 2015 dhe në atë të vitit 2016, epidemitë pasuan në Evropën Veriore dhe Lindore.

“Nëse modeli përsëritet këtë vit, gripi i shpendëve pritet të arrijë në të njëjtat zona të Evropës në vjeshtë ose në dimër”, thuhet më tej.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close