RMV, nga sot në Siniçan do të ketë ujë, kryetari i Bogovinës ndau mirënjohje për Portalb për raportim profesional

Pas përpjekjeve të shumta, rasteve gjyqësore, konflikteve mes fshatarëve të Urviçit dhe Siniçanit, këta të fundit më në fund arritën që të bëhen me ujë për pije. Për këtë, kryetari i Komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili, tha se përkundër polemikave të shumta, ky premtim u realizua dhe tashmë fshatarët e Siniçanit do të kenë ujë për pije 24/7. Mirënjohje për këtë ju nda edhe Portalbit, si një prej medieve që ka ndjekur dhe ka informuar me korrektësi për rastin në fjalë, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i Komunës së Bogovinës potencoi se është turp që në shekullin 21 ende diskutohet për ujë për pije, sipas tij, kjo arritje ju takon të gjithë atyre që kanë kontribuar.

Albon Xhemaili, kryetar i Komunës së Bogovinës.
Albon Xhemaili, kryetar i Komunës së Bogovinës.

“Para disa muajve ishim këtu dhe ishim me një situatë komplet ndryshe nga kjo sot, ballafaqoheshim me mungesë të ujit për pije, gjënë më elementare që i takon një njeriu, u hapën shumë diskutime, u bënë shumë polemika, u bë edhe politik, mirëpo na gjithë të bashkuar ia arritëm të ngadhënjejmë. Dhe sot nuk do të pimë më ujë nga shishet e blera në dyqan por, nga çezmat tona.” – theksoi kryetari Komunës së Bogovinës, sot gjatë inagrumit të ujësjellësit.

Ai tha se përkundër polemikave dhe diskutimeve të shumta për rastin gjyqësor që kishte për shkak se policia nuk lejonte vazhdimin e punimeve, ky i fundit ka dalë i pafajshëm me vendim të gjykatës themelore në Tetovë.

“Shumë dilema, polemika dhe diskutime rreth kësaj ngjarje u sqaruan me vendimin e gjykatës e cila thotë se kryetari i komunës ka punuar në bazë të rregullave, sepse bisedohej për kohë pandemie ku nuk kishim kohë për ndalesë, u dashtë patjetër të veprohet në teren” shtoi Xhemaili.

Kështu festuan sot fshatarët e Siniçanit:

Me çfarë u përball komuna e Bogovinës dhe banorët e Siniçanit për të arritur në këtë ditë?

Në korrik të këtij viti ka qenë hera e tretë me radhë që Komuna e Bogovinës u përpoq të filloje me punë për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit në atarin e fshatit Urviç. Pikërisht me datë 29 korrik forca të shumta policore qëndruan në këtë vend, që sipas tyre, qëndronin për “të parandaluar konfliktin e mundshëm mes banorëve të Urviçit dhe Siniçanit”.

Foto: Arbnora Mehmeti
Foto: Arbnora Mehmeti

Megjithatë, arsyetimi i policisë se qëndrojnë për të parandaluar konflikt ishte i pavërtetë sipas kryetarit të Komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili, ai atëherë deklaroi se kjo bëhej për shkaqe politike.

“Jam i shqetësuar për qytetarët e mi dhe kuptoj çfarë bën politika, por jam i detyruar me ligj të siguroj ujë për qytetarët e mi: Policia është shumë decide, nuk mund të vazhdojë puna”, theksoi Xhemaili me datë 29 korrik.

Me arsyetimin se bëhet fjalë për nevojë ekstreme, prokurorja Lejla Kadriu të nesërmen, respektivisht me datë 30 korrik ishte në vendngjarje ku urdhëroi policinë të largohet nga vendi ngjarjes dhe të lejoj punëtorët të vazhdojnë me punimet.

Foto: Arbnora Mehmeti
Foto: Arbnora Mehmeti

Megjithatë, as urdhri i prokurores Kadriu nuk bëri që policët të largohen nga vendi i ngjarjes me qëllim që të vazhdojnë punimet, të njëjtit atëherë deklaruan se presin “Urdhër me shkrim” dhe do të largoheshin.

Pas diskutimeve të shumta dhe mbledhjeve në Qeveri si dhe mes banorëve të fshatit Urviç dhe Siniçan, me datë 3 gusht banorët ranë dakord që punimet të mos bllokohen dhe fshati Sinçan të marrë ujin e shumëpritur, atëherë edhe policia deklaroi se do të largohet nga vendi ngjarjes në momentin e parë që do të mernin urdhrin nga prokuroria, me shkrim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button