EULEX bastisi shtëpinë e presidentit të dorëhequr, Thaçi, do të dalë para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor

Pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) janë parë para shtëpisë së presidentit të dorëhequr të vendit, Hashim Thaçi, transmeton Anadolu Agency (AA).

EULEX me ndihmë të policisë së Kosovës po kryen bastisje në shtëpinë e Thaçit në Çagllavicë të Prishtinës.

Ndërkohë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se po kryen “operacione në vazhdim e sipër në Kosovë”.

“ZPS aktualisht është duke kryer operacione në Kosovë. Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit”, njoftoi ZPS mëngjesin e sotëm.

Kujtojmë se dje ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përfshirë edhe presidentin e dorëhequr, Thaçi, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuar të Kosovës (DHSK) në Hagë.

Më herët para se të udhëtojë për në Hagë, Thaçi në një konferencë për media njoftoi dorëheqjen e tij nga posti i presidentit për shkak të konfirmimit të aktakuzës. Ai tha se këtë vendim e merr për të mbrojtur integritetin e shtetit të Kosovës.

Aktakuza e Thaçit u konfirmua pas atyre të Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e Kadri Veselit.

Ndërkaq Vjosa Osmani, mori funksionin e u.d. të presidentes së Kosovës.

Thaçi do të dalë para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor

Seanca është caktuar të nisë nga ora 15:00 dhe do të jetë publike.

Në vendosjen e datës për paraqitjen paraprake, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka marrë në konsideratë kërkesën e mbrojtjes së Thaçit, avokatit David Hooper që kjo të mbahet para të martës më 10 nëntor, 2020.

Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj Thaçit më 26 tetor, por u bë publike më 5 nëntor.

Më 5 nëntor, Thaçi, së bashku me ish-kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin njoftuan për konfirmimin e aktakuzës. Që të dy dhanë dorëheqje nga të gjitha funksionet politike.

Thaçi, Veseli si dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përmes një aktakuze të përbashkët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që të gjithë gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button