fbpx

Avokatja e njërit prej të akuzuarve në “Monstra” në izolim, u anulua seanca e sotme gjyqësore

Seanca e sotme gjyqësore për rastin “Monstra” është anuluar pasi që avokatja e caktuar sipas deyrës zyrtare për ta mbrojtur të akuzuarit Afrim Ismailloviq, Milica Grozdanovska, është në izolim, njofton Portalb.mk.

“Avokatja ka bërë testim për KOVID-19 dhe është në izolim”, tha avokati Naser Raufi.

Seanca e radhës është caktuar për më 13 nëntor, në të cilën do të dëshmojnë, dy dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja, Angellço Georgievski dhe Islam Zekiri.

Ndryshe, gjykimi po shkon drejt fundit, dhe sipas paralajmërimeve paraprake të gjykatësit të lëndës, Ognen Stavrev por edhe të prokurores Fatime Fetai kanë mbetur edhe 2-3 fjalë deri në fjalët përfundimtare.

seancën e fundit, ashtu sikur edhe në disa seanca paraprake u diskutua nëse dheu i gjetur në automjet “Opel Omega” me të cilin sipas aktakuzës kanë udhëtuar të akuzuarit për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, përputhet me dheun e vendimit të krimit.

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë një ekspertizë dhe ka konstatuar se dheu në Opel Omega është i njëjtë me atë në Liqenin e Smillkovës, megjithatë mbrojtja mohon një gjë të tillë pasi që sipas saj në Maqedoni nuk ekziston laborator i certifikuar për ekspertizë të dheut, e as ekspertë që mund ta konstatojnë një gjë të tillë. Veç kësaj, mbrojtja akuzon inspektorët e MPB-së për falsifikim të ekspertizës së dheut, për të cilën kanë paralajmëruar padi penale përkatëse.

Megjithatë, prokurorja Fetai mohon se kjo analizë është e falsifikuar.

Rasti “Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim, por autoritetet kosovare ende nuk i kanë ekstraduar.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close