fbpx

Terroristi, Viktima dhe Heroina

Sulmi terrorist në Vienë ishte shokues për të gjithë qytetarët e kryeqytetit botëror të muzikës klasike por poaq dëshpërrues ishte edhe për ne për shkak të ndërlidhjes me aktorët kryesorë të këtij rasti. Kryersi i kësaj vepre makabre ishte një djalosh i ri njëzetvjeçar, i lindur dhe i rritur në Austri, mes vlerave të atjeshme evropiane nga të cilat për fat të keq nuk kishte arritur të absorbojë asgjë. Prejardhja e kryersit e bën lidhshmërinë e parë me ne, sepse prindët e këtij djaloshi janë nga rrethina e Tetovës. Kjo mjaftonte që kryersi i këtij akti të tmerrshëm të identifikohet nga të gjitha portalet vendase si shqiptari i Maqedonisë së Veriut i cili kreu akt terrorist në mes të Vienës. Ju lutem vëreni, ai nuk u identifikua si myslymani nga Ballkani që kreu një sulm, por si shqiptari nga Maqedonia e Veriut. Duke u nisur nga kjo, dhe nga kriza e thellë identitare që përjetojmë si popull kur nuk dimë a të identifikohemi para si shqiptarë apo si myslymanë, ndoshta është mirë të vërejmë që në raste të tilla është pikërisht identiteti jonë kombëtar-etnik ai që vjen në shprehje i pari. Prandaj duhet pasur kujdes se si e ndërtojmë atë identitet, cilën pjesë të tij e shfaqim me të tjrët dhe në çfarë mënyre.

Ajo që është posaçërisht pikëlluese në këtë rast është se kryersi i aktit terrorist nuk ishte i vetmi shqiptar në tregim. Njëri ndër të vrarët nga ky akti i turpshëm ishte poashtu shqiptar, bashkëkombas i kryersit, bashkëqytatar nga Maqedonia e Veriut, një tjetër djalë i ri nga Veleshta. Terrorizmi nuk zgjedh viktima, zgjedh vetëm sasi. Terroristi i sheh njerëzit si numra, një, dy, tre, dhjetë, njëqind, njëmijë. Sa më i lartë numri, aq më i lartë shpërblimi sipas këtyre mësimeve të mbrapshta që s’kanë të bëjnë me fenë tek e cila thirren. Në Kuran shkruan se ai që vret një njeri është sikur të ketë vrarë gjithë njerëzimin, ndërsa ai që shpëton një jetë është sikur të ketë shpëtuar gjithë njerëzimin.

Ky tregim ka edhe heronj të panumërt që në formën e forcave të rendit e kanë ndaluar këtë akt që të marë përmasa edhe më të mëdha. Në kuadër të atyre heronjve ishte edhe një shqiptare nga Kosova e cila bën punën e saj si pjesëtare e forcave policore të Austrisë, pra të atij shteti ku “xhihadisti” ynë kishte vendosur të kryejë një sulm kundër “të pafeve”, “qafirëve”. Ai shtet “i të pafeve” i ka dhënë mundësinë një të huaje, një emigranteje të bëhet pjesë e forcave të rendit, kur të parët e saj në shtetin e vetë amë në të kaluarën jo vetëm që s’kanë mundur të jenë pjesë e këtyre forcave, por janë detyruar të shpërngulen për të ikur nga terrori i tyre. Pra kjo shqiptare nga Kosova është bërë pjesë e organeve më të besueshme austriake në kohën kur në Maqedoni në vitin 2001 duhej të ketë konflikt të armatosur që pjesëmarja e shqiptarëve në forcat e rendit të bëhet proporcionale, proporcionalitet që sot e kësaj dite, njëzet vite më pas, nuk mund të themi që e kemi arritur.

E tani të ndalemi dhe të mendojmë në çfarë konfuziteti ka mundur të zhvillohet ky djalosh i ri që në një moshë kur duhej të njohë dashurinë ai vendosi të njohë urrejtjen dhe të kulminojë në një akt kaq të dhunshëm. Njëzet vjeç dhe kaq i indoktrinuar. Njëzet vjeç dhe kaq i rrezikshëm sa nuk kanë mundur ta identifikojnë si të tillë as familja që ka kaluar çdo ditë me të e as shteti që disa herë më parë është ballafaquar me të për delikte tjera. Njezet vjeç është moshë e re kur e drejta penale ende shikon mes gishtave, kur fal që të mos ndëshkojë, kur jep një shans të dytë. Por njëzet vjeç është mosha të cilën ata që janë në krye të proceseve të ekstremizmit të dhunshëm nuk e lënë tu ikë nga duart.

Ekstremizmi i dhunshëm ka gjithmonjë një ideologji. Kjo ideologji mund të jetë e ndryshme: mund të jetë nacionaliste, politike, sociale, ambientaliste, por shpesh kjo është një ideologji fetare. Esenca e ekstremizmit të dhunshëm është indoktrinimi. Ekstremistët punojnë vazhdimisht me ndjekësit e tyre sepse radikalizimi që shpie në ekstremizëm të dhunshëm është pikë së pari një proces mendor në të cilin dhuna arsyetohet dhe shihet si e dëshirueshme. Ky është proces i indoktrinimit përmes propagandës dhe larjes së trurit i cili mund të shkojë në ekstreme të çuditshme. Ky proces përshkruhet qartë në librin “Nderi” të autores Elif Shafak, ku personazhi kryesor arrin në atë stad të radikalizimit të indoktrinuar sa që e sheh të arsyeshme ta vrasë nënën e vet. Kur një të riu ia mer mendja ta vrasë me duart e veta nënën e vetë për shkak të bindjeve të tija të bazuara në një interpretim tërësisht radikaldhe të gabuar të fesë, mund ta paramendojmë sa lehtë ai person mund të vrasë njerëz të tjerë, të panjohur, bashkëkombas, bashkëqytetar, shokë shkolle… Është proces i tmerrshëm, me pasoja të rënda.

Hipokrizia e ekstremistëve të dhunshëm që sjellin njëzetvjeçarë të tillë në konfuzione të këtyre përmasave qëndron në faktin se ata i nxisin këta ndjekës të kryejnë sulme terroriste (që ata i quajnë akte të luftës së tyre të shenjtë dhe për të cilat premtojnë shpërblimin e 70 hyrive në parajsë) në vendet e botës perënimore të cilat këta hipokritët që dërgojnë fëmijë ti përmbushin qëllimet e tyre i quajnë vende të jobesimtarëve dhe i identifikojnë si dar al-harb ku duhet zhvilluar lufta e shenjtë apo xhihadi. Hipokrizi në kulm është ta indoktrinosh të riun të veprojë kundër një shteti me standarde evropiane që i ka dhënë shtetësi, mundësi shkollimi, mundësi përparimi dhe punë për të dhe për të afërmit e tij, kur këto gjëra vetë shteti nga ku e ka prejardhjen nuk ia ka siguruar, dhe prandaj të parët e tij kanë emigruar në këtë vend të ri i cili i ka pranuar dhe i ka bërë pjesë të sistemit të tij. Është kulmi i hipokrizisë të indoktrinosh dikë ta urrejë shtetin që i ka dhënë perspektivë, kur shteti i vet nuk ia ka siguruar një gjë të tillë. Është kulmi i pabesisë që një shqiptar të shkojë në shtëpinë e mikut, të bëhet pjesë e kësaj shtëpie, dhe ta ngrejë atë shtëpi në ajër. Kjo nuk është karakteristikë e shqiptarit dhe zakoneve të tij.

Shqiptarët janë njohur më herët në Evropë si njerëz gjaknxehtë e patriotë që kanë luftuar për të drejtat e tyre kombëtare dhe kanë vepruar si diasporë e fuqishme në vendet evropiane që i kanë pranuar shpesh edhe si azilantë politik. Shqiptarët nuk janë njohur si terroristë në Evropë edhe kur shtetet e tyre i kanë quajtur si të tillë. Është e dhimbshme të lexosh tani në këtë kohë, në këtë shekull lajme se shqiptarë janë në krye të sulmeve terroriste dhe se identifikohen me oganizata të cilat mbjellin frikë në nivel global.

Përfundimisht, të mos harrojmë se shembuj të tillë indoktrinimi kemi edhe këtu në shtetet tona, hipokritë të panumërt që tendojnë ti zhveshin të rinjtë tanë nga identiteti i tyre kombëtar dhe ti bëjnë të ndihen më të afërt me afganët dhe pakistanezët se sa me vëllezërit e tyre shqiptarë katolikë, orthodoksë, bektashinj ose ateistë. Dhe në kulm të hipokrizisë edhe politikanët tanë koketojnë me hipokritët në fjalë, duke i parë ata si vota, ndërsa ata duke na parë të gjithë ne si numra.

Le të jemi të kujdesshëm secili prej nesh, sepse në fund të ditës, viktima jemi të gjithë ne. Sado individuale dhe subjektive të jetë përgjegjësia penale, perceptimi ideor ndaj një kombi është gjithmonë kolektiv.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close