COVID-19, Greqia po mbyllet në karantinë për herë të dytë

Në Greqi është shpallur për herë të dytë karantinë në mbarë vendin për shkak të rritjes së shpejtë në numrin e rasteve të koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, në një fjalim të publikuar drejtpërdrejtë nga televizionet, njoftoi masat e reja që do të zbatohen në të gjithë vendin kundër pandemisë COVID-19.

Pasi tha se kanë marrë një vendim për zbatimin e karantinës në mbarë vendin për të dytën herë pas muajit mars, Mitsotakis njoftoi se karantina e përgjithshme do të fillojë në orën 06.00 këtë të shtunë.

Mitsotakis tha se në karantinën që do zgjasë deri më 30 nëntor do të qëndrojnë të hapura çerdhet dhe shkollat fillore, ndërsa arsimi i mesëm i ulët, arsimi i mesëm dhe universitetet do të vazhdojnë online.

Farmacitë dhe marketet që shesin produkte të nevojës themelore do të jenë gjithashtu hapur, njoftoi Mitsotakis duke informuar më tej që qytetarët mund të dalin nga shtëpitë duke njoftuar me mesazh për arsye të tilla si për punë, shëndetësore, blerje dhe aktivitet sportiv.

Duke tërhequr vëmendjen se në kuadrin e rekomandimeve të ekspertëve kanë qenë të detyruar të marrin këto masa për të luftuar me valën e dytë të pandemisë, Mitsotakis tha se “Preferoj që masat t’i marr herët se sa vonë”.

Aktualisht në shumë qytete përshirë edhe qytete të mëdha si kryeqyteti Athina dhe Selaniku zbatohet ndalesa e daljes në rrugë në orët e vona të natës, ndërkohë që restorantet dhe kafenetë mund të ofrojnë shërbim me dorëzimin e pakove.

Në Greqi dje me 2.646 raste të reja u regjistrua shifra më e lartë e rasteve ditore që nga fillimi i pandemisë.

Për shkak të COVID-19 deri tani në vend janë shënuar gjithsej 46.892 raste dhe 673 vdekje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button