RMV: Ja çfarë këshillojnë mjekët e vendit në luftën kundër virusit Covid-19

Situata me virusin Covid-19 në Maqedoninë e Veriut dita ditës po përkeqësohet. Mjekët amë ju drejtohen njerëzve përmes Portalb. Por, cilat janë këshillat e tyre në lidhje me këtë situatë? Ata urdhërojnë që njerëzit të bëhen më të ndërgjegjshëm dhe të mbajnë maskën e tyre, të konsumojnë vitaminat e duhura dhe të drejtohen sa më parë te mjeku amë në rast të shfaqjes së ndonjë simptome para se të jetë shumë vonë.

Cila është këshilla juaj në lidhje me virusin Covid-19?

Mjekja, Hatiqe Izairi këshilloj mbajtjen e maskës  dhe veçanërisht për ata që kanë probleme me sistemin respirator.

Hatiqe Izairi, mjeke

“Kovid-19 është virus i cili bartet nëpërmjet ajrit prej njeriut te njeriu gjatë bisedës, teshtitjeve ose  kollitjes. Mundohuni të mbani distancë me njerëzit që kolliten ose teshtijnë. Ende nuk dihet saktë se sa gjatë mund të qëndroj virusi në ambiente kështu që sa më shpesh të dezinfektoni duart, tavolinat me dezinfektues. Mbajtja e maskës është obligative posaçërisht tek ata që kanë probleme të shpeshta me sistemin respirator”- theksoi ajo.

Sipas mjekut Fitim Dehari njerëzit bien pre e dezinformatave dhe nuk testohen apo drejtohen te mjeku për terapinë e duhur para se të jetë vonë.

Fitim Dehari, mjek

“Mendoj që ka ardhur koha të jemi pak më të ndërgjegjshëm, fundja për shëndetin e gjithsecilit sepse në qoftë se deri dje merreshim me hipoteza  jo ka virus jo s’ka, tani flitet nëse ka vende te lira neper spitale ose jo. Ky fakt i tmerrshëm na bën që ne mjeket t’ju lutemi të jeni sa më të sinqertë me mjekun amë, merreni seriozisht çdo lloj simptome që mund t’ju shfaqet, informoni mjekun amë për çdo lloj shqetësimi që keni sepse në fund të fundit bëhet fjalë për shëndetin tuaj. Me fshehjen e simptomave asgjë nuk zgjidhni vetëm dëm vetes tuaj i bëni. Pacientët kanë frikë të informojnë mjeket amë sepse kanë krijuar bindjen që do udhëzohen direkt për në spital dhe ata atje të vrasin me terapinë që aplikojnë. Ndërkohë që populli bie pre e dezinformatave te ndryshme nëpër rrjetet sociale dhe muhabetet nëpër lokale që fatkeqësisht vjen nga njerëz që s’kanë lidhje me situatën aktuale, mjekët tanë po luftojnë çdo ditë që të shpëtojnë sa më shumë jetë. Simptomat e para janë problemi i parë dhe pothuajse më i rëndësishmi pasi që pacientët nuk i shfaqin dhe përdorin terapi pa u konsultuar me mjekun amë. Testi pozitiv nuk është turp, testi pozitiv është për të ndjekur ecurinë e virusit. Pacientët vdesin në spital sapo bëjnë natën e parë apo te dytë ose nëse je plak nuk del me i gjallë- këto janë shprehjet që dëgjojmë rëndom çdo ditë.  Tani në qoftë se një pacient ka fshehur simptomat ditët e para dhe pastaj pas ca ditësh kërkon ndihmë nga mjeku amë por me frikën ta bëj ose mos ta bëj testin, kështu vonohet shumë dhe pacientit i vështirësohet gjendja nga dita në ditë dhe kur në fund arrin në spital, ai është në një gjendje relativisht të vështirë dhe edhe pse mjekët mundohen me gjithë forcat e tyre t’ju ndihmojnë fatkeqësisht me disa nuk ja dalin dot. Ndaj pacient të dashur, testohuni sa më shpejtë që te jetë e mundur sepse terapia e caktuar do jetë shumë më efikase për shëndetin tuaj dhe jo shëndetin e mjekut.”- theksoi ai.

Gjithashtu dhe mjekja Blerta Xhemaili theksoi që të sëmurët duhet të drejtohen për ndihmë mjekësore, sipas saj vetëm përmes solidaritetit dhe veprimeve të unifikuara do mund të fitojmë luftën me Covid-19.

Blerta Xhemaili, mjeke

“Sigurohuni që ju dhe familja juaj, miqtë ose të dini se ku duhet të drejtoheni për ndihmë mjekësore ose këshillim nëse nuk ndjeheni mirë për shkak të etheve, kollës ose vështirësisë në frymëmarrje. Vendi më i përshtatshëm për të kërkuar ndihmë do të varet nga ku ju jetoni dhe nga pajisjet dhe mjetet që janë në dispozicion. Orientimi dhe këshillimi lokal, janë të rëndësishëm. Ju lutemi mbani mend: COVID-19 është një sëmundje serioze, por ka gjëra që ne të gjithë mund të bëjnë për të mbrojtur veten dhe të tjerët. Marrja e masave të duhura paraprake është e rëndësishme, por nuk ka nevojë për panik. Këshilloni pacientët të vetë-izolohen ndërsa presin rezultatin e testit COVID-19 – kjo mund të zgjasë midis 24 dhe 72 orë. Vetëm nëpërmjet solidaritetit dhe veprimeve të unifikuara do të mund t’a fitojmë luftën me virusin e rrezikshëm.”- theksoi Blerta.

Ndërkaq mjeku Arlind Jakupi këshilloi që të konsumohen vitaminat e duhura dhe të mos shmangin simptomat sepse në fillim rezultatet janë më të mira.

Arlind Jakupi, mjek

“Kryesorja është që me fillimin e simptomave paraprake të lajmërohen te mjeku amë me rëndësi mos shmangin simptomat dhe të filloj sa më shpejt trajtimi normalisht edhe rezultati është më i mirë, t’ju shmangen sa ma shumë grupimeve të njerëzve, mos qëndrojnë shumë gjatë në ambiente te mbyllura ku ka shumë njerëz, të mbajnë maskë patjetër, distancë, duart më shpesh të lahen dezinfektohen, të dalin vetëm nëse kanë ndonjë obligim, të ushqehen me vitamina dhe lëngje ma shumë.”-theksoi Arlindi.

Ndryshe, virusi Covid-19 tashmë ka shkaktuar gjithsej 48.363.169 raste të të sëmurëve në botë dhe 1.229.155 vdekje në gjithë botën sipas statistikave të Worldmeter. Ndërkaq, vetëm në Maqedoninë e Veriut deri më tani numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 35.097 ndërsa i vdekjeve 1.071. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button