fbpx

Në kohë pandemie, Qeveria dhe Maqedonia e Veriut nuk i informon në kohë reale qytetarët në gjuhën shqipe

Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, dy institucionet më të rëndësishme të cilat njoftojnë për masat, protokollet në fuqi, raportet ditore për pandeminë Kovid-19, nuk e kanë respektuar ligjin e gjuhëve, i cili parashikon që gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha shqipe, që aty përmendet si gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të RMV-së. Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhën shqipe që kanë të bëjnë me korona virusin, në këta dy institucione nuk ka qenë i paralelshëm me gjuhën maqedonase. Edhe pse të dy këta institucione dhe të gjitha institucionet tjera publike, janë të obliguara me ligj t’i njoftojnë edhe qytetarët shqiptar, ashtu siç informojnë në gjuhën maqedonase, kjo rezulton se nuk po ndodh, shkruan Portalb.mk.

Qeveria- është shumë paradoksal fakti që Qeveria si organi më i lartë ekzekutiv, i cili vetë miraton propozim-ligje, të njëjtat i zbaton pjesërisht ose nuk i zbaton aspak. Kështu ndodh edhe me Ligjin e gjuhëve. Edhe pse ky organ, sipas ligjit në fjalë, e ka për obligim të informojë të ashtuquajturin 20%-sh ose qytetarët shqiptar, për çdo vendim të sajin, kjo duket se nuk ndodh ose ndodh pjesërisht edhe ajo madje me vonesë.

Komunikatat për mediat nga ana e Qeverisë, dërgohen vetëm në gjuhën maqedonase, shumë rrallë edhe në gjuhën shqipe. Për shembull, në datën 5 nëntor, Qeveria ka dërguar pesë komunikata gjithsej, vetëm dy nga to i ka dërguar edhe në gjuhën shqipe. Njëjtë ndodhi edhe me datën 4 nëntor, ishin dërguar pesë komunikata vetëm dy nga to ishin dërguar edhe në gjuhën shqipe. Komunikatat që dërgohen edhe në gjuhën shqipe, vonohen  me një diferencë kohore nga komunikata në gj.maqedonase, e cila fillon nga 30 minuta deri në një orë ose edhe më shumë.

Protokollet në gjuhën maqedonase
Protokollet në gjuhën maqedonase
Protokollet që duhet të ishin në gjuhën shqipe
Protokollet që duhet të ishin në gjuhën shqipe

Protokollet dhe vendimet që i sjellë Qeveria, e që kanë të bëjnë me masat kundër pandemisë Kovid-19, në ueb-faqen e saj janë vetëm në gjuhën maqedonase, thua se e drejta për informim nuk i përket gjithsecilit që jeton në këtë vend, aq më tepër atyre gjuha e të cilëve është zyrtare, por nuk mund të informohen, sepse ligji qëndron vetëm në ‘sirtar’ dhe nuk zbatohet. E drejta për informim, përkundrazi, sidomos për informim mbi situatën pandemike, që me automatizëm nënkupton të drejtën për mbrojtjen e shëndetit, është e drejtë e çdo qytetari pa përjashtim. Ndryshe, kjo mund të përkthehet edhe si rrezik i shëndetit të qytetarëve, të cilët për shkak të neglizhencës së institucioneve janë të privuar nga informimi në gjuhën e tyre amë.

Ministria e Shëndetësisë nga ana tjetër, shumë rrallë i publikon informacione për korona virusin Kovid-19, paralelisht në të dyja gjuhët. Fillimisht ato publikohen në gjuhën maqedone, pastaj edhe në gjuhën shqipe. Madje edhe përkthimi lë shumë për të dëshiruar, pasi vërehet një përkthim tekstual ose jo i përshtatur sa duhet me sintaksën e gjuhës shqipe. Ky problem nuk vërehet vetëm në këtë ministri, por në një pjesën dërrmuese të institucioneve shtetërore.

Komunikatat për mediat, veçanërisht raportet ditore, Ministria e Shëndetësisë anjëherë nuk i dërgon në gjuhën shqipe, për dallim nga Qeveria e cila me raste “kujtohet” se duhet ta zbatojë ligjin e gjuhëve.

Ueb-faqja e Ministrisë së Shëndetësisë ka një përditësim të çorganizuar në të dyja gjuhët. Për shembull, raportet ditore nuk publikohen rregullisht aty, disa ditë publikohen disa ditë jo ose kur publikohen shumë më vonë, ndoshta një ose dy ditë me vonesë. Sidoqoftë, nëse jeni në versionin maqedonisht të faqes dhe ktheheni në versionin shqip, do të vëreni se në shikim të parë mungojnë përmbajtje apo materiale në gjuhën shqipe, ose edhe kur janë, nuk janë të vendosura në vendin e duhur si në versionin maqedonisht.

Kategoria Korona në ueb-faqen e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila përmban informacione të rëndësishme për Kovid-19, e që i është shtuar ueb faqes pas shpërthimit të pandemisë, në gjuhën shqipe nuk ekziston fare. Ndoshta disa të dhëna në gjuhën shqipe të kësaj kategorie i gjen në kategori të tjera, ose të pa kategorizuara.

Kategoria Korona në versionin maqedonisht të ueb faqesh së MSh
Kategoria Korona në versionin maqedonisht të ueb faqesh së MSh
Kategoria Korona në versionin shqip të ueb-faqes së MSh nuk ekziston

Siç edhe mund të shihet nuk është vetëm kategoria Korona që mungon në gjuhën shqipe. Nga tetë kategori, vetëm gjashtë janë në gjuhën shqipe.

Të dhënat e kësaj kategoria në gjuhën shqipe janë në versionin maqedonisht të faqes, por çdo titull i përmbajtjes është në gjuhën maqedonase, vetëm se në fund të titullit është shtuar ‘albanski’.

Përmbajtja në kategorinë Korona
Përmbajtja në kategorinë Korona

Raportet ditore mbi situatën e korona virusit në ueb-faqen e këtij institucioni publikohen me vonesë në të dy gjuhët si në atë maqedonase edhe në atë shqipe. Megjithëse në këtë të fundit publikohen edhe më vonë se në gjuhën maqedonase ose nuk publikohen aspak. Raporti i fundit ditor në gjuhën shqipe në ueb-faqen e kësaj ministrie, është i datës 04.11.2020, kurse në gjuhën maqedonase është i datës 05.11.2020.  Rrjetet sociale, gjegjësisht Facebook-u, është terreni kyç i kësaj ministrie, për informim mbi raportin ditor. Nëse raporti fillimisht duhej të publikohej në ueb faqe, pastaj të shpërndahej në rrjetet sociale, me këtë institucion ndodh e kundërta, fillimisht publikohen në rrjetet sociale, pastaj sipas mundësisë në ueb-faqe. Në rrjetin social Facebook raporti ditor, gjithmonë fillimisht publikohet vetëm në gjuhën maqedonase, pastaj pas 30-40 minutash, postimi përditësohet edhe në gjuhën shqipe. Kjo do të thotë se raportet nuk përgatiten që në fillim paralelisht në të dyja gjuhët.

Edhe çështja e fushatave është e vonuar. Krerët e vendit, më saktësisht Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe ministria që drejton ai, filluan fushatën ‘MbajëMaskë’, video-materiali i së cilës fillimisht u përgatit në gjuhën maqedonase, tek të nesërmen në gjuhën shqipe.

Ndërkohë, me të njëjtin problem hasim edhe në ueb-faqen e krijuar enkas për të dhënat zyrtare me situatën e pandemisë në vend. Të dhënat më të fundit në versionin shqip të kësaj ueb-faqeje datojnë në qershor. Kurse në gjuhën maqedonase mund të gjesh edhe raportin e fundit ditor për rastet e Kovid-19.

Lidhur me mos zbatimin e gjuhëve disa javë më parë Portalb pyeti drejtorin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ylber Sela, i cili deklaroi se kjo agjenci vepron vetëm nëse ministritë u kërkojnë mbështetje për përkthimin e formularëve, dokumenteve dhe ngjashëm, por se ata si agjenci nuk kanë pasur kërkesa për mbështetje në këtë drejtim. “Kërkesë për mbështetje nuk ka pasur nga ministritë. Ne jemi të gatshëm të mbështesim çdo institucion që kërkon ndihmën tonë, për përkthim dhe lekturim”, u shpreh Sela.

Ndërkohë, drejtori i Inspektoratit të Gjuhëve Fatmir Iseni, poashtu javë më parë për Portalb, deklaroi se institucioni që drejton ai, e që është përgjegjës për inspektimin dhe dënimin e isntitucioneve që nuk e zbatojnë gjuhën shqipe, akoma nuk kishte filluar trajnimin dhe licencimin e inspektorëve, pas çka do të duhet të fillojë edhe inspektimi i zbatimit të gjuhëve. Ky proces do të zgjasë disa muaj, kurse institucionet në mungesë të një organi që do të kërkojë llogari për shkeljen e këtij ligji, do të veprojnë siç iu konvenon.

Ligji për përdorimin e gjuhëve parasheh që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, entet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj, në mënyrë të përcaktuar me këtë ligj.  Pra është gjuhë zyrtare në komunikim, përdorim dhe zbatim në të gjitha procedurat e qytetarëve para të gjitha organeve të cilat e përbëjnë pushtetin
shtetëror (Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë, gjyqësia, prokuroria publike), Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë, Avokati i Popullit i Republikës së Maqedonisë, në procesin zgjedhor, arsim, shkencë, shëndetësi, kulturë, gjatë zbatimit të autorizimeve policore, në veprimtarinë radiodifuzive, noteri, përmbarim, objekte infrastrukturore, evidencën e amzës, dokumentet personale, financat, ekonomi, si dhe në sferat tjera.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close