Agjencia Nacionale me drejtor të ri, pas shkarkimit të Dimovës me kërkesë të Qeverisë

Këshilli drejtues nga Agjencia nacionale për programe arsimore evropiane dhe mobilitet në seancën e 34-t, pa konkurs publik ka emëruar Marko Gjorgievskin për ushtrues detyre-drejtor, deri në zgjedhjen e drejtorit, transmeton Portalb.mk.

Këshilli drejtues i  Agjencisë në seancën e 30 tetorit kishte shkarkuar drejtoreshën Lidija Dimova, pas dyshimeve për keqpërdorimin e 400 mijë eurove dhe kërkesës së Qeverisë së RMV-së.

Marko Gjorgievski raportohet se vjen nga sektori i financave.

Gjithashtu, Gjykata Themelore Penale në Shkup sot vendosi që t’ia marrë pasaportën dhe dokumentet e tjera të udhëtimit ish drejtoreshës së Agjencisë Nacionale për programe arsimore evropiane, Lidija Dimova.

Javën e kaluar, Prokuroria Publike  hapi hetim kundër Dimovës dhe disa personave të tjerë, pas padisë së dorëzuar penale nga Policia financiare për keqpërdorim, mashtrim dhe dëmtim prej mbi 400 mijë euro të holla evropiane.

Krahas Dimovës, në këtë rast janë të përfshirë edhe pronari i Shoqatës për tregti dhe shërbime “V.E.Z. trejd” Zoran Zllatkovski, bashkëpunëtori i jashtëm me iniciale A.G. dhe A.P., si arkëtar në Agjencinë nacionale.

Tre nga personat, njofton Prokuroria në kumtesë, dyshohen se si bashkëkryerës kanë kryer vepër penale mashtrim në dëm të mjeteve të Komunitetit evropian, ndërsa Dimova në mënyrë plotësuese është e dyshuar edhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve.

Personi i katërt është i dyshuar për punë të pandërgjegjshme në shërbim.

Pa i theksuar konkretisht personat, nga Prokuroria njoftuan edhe se për tre personat janë kërkuar masa kujdesi, midis të cilave edhe marrje të pasaportave.

Në të njëjtën ditë, Lidija Dimova u  shkarkuar nga funksioni drejtoreshë e Agjencisë nacionale për programe arsimore evropiane dhe mobilitet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button