Shkup, u promovua projekti “Turizmi i Çarshisë në Komunën e Çairit”

Në Çarshinë e Vjetër të Shkupit sot është promovuar projekti “Turizmi i Çarshisë në Komunën e Çairit”, pjesë e “Projektit për konkurrentshmëri lokale dhe rajonale” e cila do të kontribuojë në zhvillimin socio-ekonomik dhe rritjen e turizmit në Çarshi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në promovim u adresuan zëvendës kryeministri për Çështje Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, shefi i delegacionit të BE-së, ambasadori David Geer dhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Duke theksuar se të gjithë që jemi nga ky qytet jemi emocionalisht të lidhur me Çarshinë e Vjetër të Shkupit, zëvendës kryeministri Bytyqi tha se Çarshia është një vend unik që i jep bukuri të veçantë Shkupit dhe kategorizohet si një vend turistik i kategorisë më të lartë.

“Ne të gjithë e dimë se Çarshia e Vjetër e Shkupit është një vend atraktiv dhe i pazakontë ndërsa me ngjarjen e sotme ne duam të kontribuojmë më tej në promovimin e Çarshisë dhe edhe një herë ta paraqesim në një pasqyrë të re për të gjithë qytetarët tanë, qytetarët e vendeve fqinje dhe të gjithë turistët”, tha Bytyqi.

Duke deklaruar se Çarshia ka një potencial të madh ekonomik dhe kulturor, Bytyqi tha se nëse duam të jetë një vend ku shkëmbehen ide dhe të mira, atëherë jemi të detyruar të krijojmë kushte dhe të mbrojmë pasurinë kulturore që ajo zotëron.

Ne si Ministri e Ekonomisë, siç tha Kreshnik Bekteshi në kontinuitet punojmë për të ndihmuar në projekte të tilla serioze siç është “Turizmi i Çarshisë në Komunën e Çairit”.

“Vitin e fundit në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Çairit nga ana e Ministrisë së Ekonomisë në mënyrë shtesë janë dhënë mjete për unifikimin e vitrinave në pajtim me Çarshinë e Vjetër të Shkupit”, shtoi Bekteshi.

Shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, ambasadori David Geer në fjalimin e tij tha se Çarshia tashmë me shekuj është e ndërtuar për tregti dhe interaksion mes kulturave dhe popujve.

“Çarshia nuk është vetëm një nga lokacionet më të rëndësishme historike në Maqedoninë e Veriut, por po ashtu edhe një nga Çarshitë më të vjetra të ruajtura osmane në mbarë rajonin. Çarshia po ashtu paraqet një dëshmi të gjallë për traditat e gjata të multikulturalizmit, bashkëjetesës dhe llojllojshmërisë”, tha ambasadori i BE-së, Geer.

Si pjesë e “Projektit për konkurrentshmëri lokale dhe rajonale”, siç tha ambasadori Geer, Bashkimi Evropian po vë në dispozicion 18 milionë euro për shoqata të ndryshme dhe ndërmarrje mikro dhe të vogla që mbështesin sektorin e turizmit.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu tha se projekti do të kontribuojë në zhvillimin socio-ekonomik dhe rritjen e turizmit në Çarshi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button