Thaçi: Fola me Gruevskin sepse ai është shefi i Ahmetit

15.30 Sapo mbaroi takimi Thaçi-Gruevski.

“U pajtuam me z. Gruevski se euro-integimet duhet të jenë prioritet për të gjitha partitë, sigurisht dhe për Qeverinë. Biseduam për zgjedhjet lokale, Qeveria mban përgjegjësinë kryesore që ata të jenë të drejta, korrekte dhe demokratike. E përkujtova kryeministrin se shumë zyrtar të lartë të BDI-së nuk janë të dënuar dhe lëndët e tyre janë ende në sirtarët e gjykatave. Kryeshefi i policisë Tetovë –Gostivar u ofron njerëzve mito që ti blejnë votat e maqedonasve për Tetovë” tha Thaçi pas takimit me Gruevskin.

I pyetur pse nuk takohet edhe me Ahmetin ai tha se ka preferuar Gruevskin.

“Ka pasur shumë iniciativa për tu takuar me Ahmetin por unë kam zgjedhur të takohem me shefin e tij e ai është Nikolla Gruevski dhe nuk ka pse të takohem me njëqind parti. Partia që e ka në dorë qeverisjen e mban përgjegjësinë” tha Thaçi.

Ai theksoi se me Gruevskin janë marrë vesh për komunikim mes shtabeve të dy partive gjatë zgjedhjeve që mos të ketë ngatërresa teknike.

“Nuk kemi folur për bashkëpunim eventual për këta zgjedhje. PDSH do ta fitojë BDI-në në këto zgjedhje lokale dhe gjëja e parë që do bëjë është se do të kërkojë zgjedhje parlamentare, prandaj mendoj se ato do të mbahen në korrik” tha ai.

Portalb e pyeti a e ka informuar Qeveria për bisedimet e emrit, Thaçi tha se po, por u shpreh skeptik se do të ketë përparim.

“Nuk mendoj se do të ketë përparim në zgjidhje të emrit sepse qëndrimet e Qeverisë ende mbeten shumë rigjide” u përgjigj lideri i PDSH-së /Portalb

*****************************
Para disa çasteve kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi mbërriti në Qeveri, ku sapo filloi takimi mes kryeministrit dhe liderit të VMRO-së Nikola Gruevski. Takimi ishte paraparë të fillojë në ora 14:00.

* * * * * * * * * * * * * * * *

Sot në Qeveri pritet të takohen kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski me liderin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi. Takimi do të mbahet në ora 14.00 tregojnë nga PDSH duke mos komentuar më shumë.

Thaçi dhe Gruevski do të bisedojnë për krizën e fundit politike në vend, proceset eurointegruese dhe zgjedhjet lokale. Takimi Thaçi-Gruevski mbahet pesë vite pas prishjes së koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE – PDSH. 

Takimi i tillë si duket ka ngjallur reaksionet e opinionit, analisti Nebi Mërseli në Facebook ka shkruar se nëse realizohet ky takim atëherë jo Ali Ahmetit, po edhe apriori ndonjë lideri të ardhshëm të partive shqiptare nuk duhet dhënë besimin. 

“Me këtë takim, kuptohet nëse realizohet, Thaçi do të fillojë të delegjitmojë përfundimisht veten dhe PDSH-në. Janë për keqardhje angazhimet e sinqerta të deputetëve opozitarë – Zijadin Sela dhe Orhan Ibrahimi, te cilëve u shkoi huq puna e deritanishme në Parlament” komenton Mërseli. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button