RMV, MSh: Është riorganizuar Qendra klinike, reparte të veçanta për pacientët me Kovid-19

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se është bërë ndarja e zonave të kuqe dhe të gjelbërta, gjegjësisht ndarje e reparteve ku do të hospitalizohen pacientët me Kovid-19 nga repartet për pacientët që do të kenë nevojë për kontrolle ose ndërhyrje të rregullta, shkruan Portalb.mk.

Të gjitha klinikat interne brenda Qendrës klinike janë të përgatitura të pranojnë pacientë me kovid dhe nuk do ta ndërpresin punën normale, gjegjësisht intervenimet në baza ditore, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Nga kjo ministri infromuan se janë siguruar 150 shtretër spitalorë dhe stafi është i gatshëm të punojë me pacientët e sëmurë nga korona virusi, por nuk do të përjashtohet puna e vazhdueshme me trajtimin e pacientëve në baza ditore që nuk janë pacientë pozitivë me korona virus.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe pati një takim me drejtorët e klinikave, thanë nga MSh.

“Kujdesi për kovid-pacientët do të jetë nën protokolle të veçanta. Është bërë ndarja në zona të kuqe dhe të gjelbërta, gjegjësisht pjesët ku do të hospitalizohen kovid-pacientët nga pjesët për pacientët që do të kenë nevojë për kontrolle ose ndërhyrje të rregullta”, informoi Ministria e Shëndetësisë.

Instituti për sëmundjet e mushkërive tashmë ka pacientë me korona virus, kurse janë vendosur në dispozicion edhe klinikat tjera interne.

“Qendra klinike është e mobilizuar dhe askush nuk do të mbetet pa kujdes shëndetësor. Përveç shtretërve spitalorë, stafi është i gatshëm të punojë me pacientët me Kovid-19. Tashmë është bërë një sistem rotacioni i mjekëve dhe stafit mjekësor, si dhe një orar për mjekët kujdestar, për të mbuluar ndërhyrjet e vazhdueshme dhe kontrollet nëpër ambulanca me pacientë që kanë nevojë për kujdes shëndetësor në ndonjë nga klinikat”, njoftuan nga MSH.

Përveç kësaj, rreth 180 specializantë po kthehen në klinikat e tyre amë, me çka do të riorganizojnë punën dhe do të bëjnë rotacione të stafit në mënyrë që pacientët të marrin kujdesin e duhur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button