RMV, u miratua rishikimi i buxhetit, para votimit përplasje mes kreut të Kuvendit Xhaferi dhe deputetëve të VMRO-së

Mbrëmë Kuvedi miratoi rishikimin e dytë të buxhetit për këtë vit. Por pak para miratimit, shpërtheu një incident midis kryetarit Talat Xhaferi dhe deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Xhaferi tha se do të thërriste sigurimin për t’i larguar deputetët opozitar dhe të përfundojnë seancën. Pas pauzës, deputeti Dimitar Apasiev nga e “Majta” kërkoi fjalën dhe lexoi në foltore hapat e Xhaferit të përshkruara në ligj dhe në Rregulloren parlamentare. Apasiev i tha që sigurimi parlamentar nuk guxon të kalojë pragun në sallën e parlamentit dhe aq më pak të prekë ndonjë deputet, pasi mund të përgjigjet penalisht, njofton Portalb.mk.

“Tani t’jua them unë hapat e mi. Unë jam një këmbësor i ushtrisë, hapat e mi janë të shkurtër. Më saktësisht, t’jua lexoj ligjet dhe Rregulloren e punës. Unë nuk mund që me duart e mia t’i heq një nga një deputetët që u mblodhën këtu dhe ndërprenë seancën. Ka një vijë të kuqe. Unë nuk lejoj kush të arrijë të më pengojë, të mblidhet, të bëjë presion mbi mua dhe të më kërcënojë. Unë nuk lejoj që deputetët të rrihen,” tha Xhaferi, duke lexuar kompetencat për të gjitha situatat në ligj, nga paralajmërimet deri te thirrjet për sigurimin.

Zënka shpërtheu midis kryetarit Talat Xhaferi dhe koordinatorit të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikola Micevski, i cili nuk donte të largohej nga foltorja, pasi Xhaferi mori fjalën e tij, duke shpjeguar se ai nuk ka të drejtë për vërejtje procedurale.

“Mos mendoni se do t’i përsërisni disa gjëra që kanë ndodhur këtu. Vlen për këdo që përpiqet të marrë foltoren dhe për këdo që ju kërcënon. Mos luani. Ka Rregullore të punës. Unë po ju dëgjoj për pesë ditë dhe bëra statistikat e mia. Nga 53 deputetë që folën, 28 janë nga opozita dhe 25 nga shumica, pa përfshirë replikat. Kishim marrëveshje që do ta mbaronim sot. Pyeta nëse kishte nevojë për shumicë, të siguronej shumicë. Të gjithë keni rënë dakord se nuk ka pse, sepse bëhet fjalë për buxhet. Në fjalët e fundit, të gjithë dilni për të treguar se shumica nuk ka shumicë. Më dëgjoni të gjithë nga opozita: ose ka një marrëveshje ose do të thoni që në fillim që nuk ka marrëveshje,” tha Xhaferi.

Rreth foltores u mblodhën edhe deputetë të tjerë, kurse Xhaferi u kërkoi të gjithëve që të ktheheshin në vendet e tyre.

Pasi Xhaferi u sqarua me opozitën, filloi votimi. Me 55 vota “për” dhe 24 “abstenim”, Kuvendi në mesnatë miratoi ribalancën e dytë të Buxhetit për vitin 2020. Rishikimi i buxhetit hapi rrugën për zbatimin e masave nga pakoja e katërt ekonomike. Një pjesë e këtyre masave mund menjëherë të realizohen, ndërsa për një pjesë të tyre edhe përkundër miratimit të rishikimit të buxhetit nevojiten edhe ndryshime ligjore me të cilat janë të rregulluara, të cilat gjithashtu janë në procedurë kuvendore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button