Kovid-19 dhe sundimi i ligjit në BE, paratë kushtëzohen me të qenurit shtet i së drejtës

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Në korrik, Këshilli Evropian vendosi që të instalohet regjim i kushtëzimit për të mbrojtur mjetet e fondit “Brezi i ri i BE” për riparimin pasojave nga Kovid-19, me të cilin masat për shkeljet e identifikuara duhet të miratohen nga një shumicë e kualifikuar. Ajo që u njoftua zëshëm është që kushtëzimi t’i referohet shtetit të së drejtës të shteteve anëtare si përfituese të këtij fondi. Megjithatë, vetë ky formulim është ende subjekt i negociatave. Po debatohet edhe për bazën ligjore dhe qëndrueshmëria e kushtëzimit të tillë.

Bëhet fjalë për fonde që arrijnë në 675 miliardë euro për vendet anëtare të BE-së për 7 vitet e ardhshme, përfituesit më të mëdhenj të të cilëve do të ishin anëtarët qendror-lindor dhe jugor, të cilët mund të marrin midis 3-5% të PBV së tyre në vit. Sigurisht, vendet më të prekura nga sundimi i ligjit – Hungaria dhe Polonia për momentin – kundërshtojnë sundimin e ligjit. Jo vetëm kaq – ata po kërcënojnë të vënë veton në Kuadrin Financiar Shumëvjeçar (buxheti shtatë-vjeçar i Bashkimit). Sigurisht, pritet një kompromis, por jo edhe fund i debatit të filluar.

Në fillim të shtatorit të këtij viti, një debat parlamentar në një vend anëtar shkaktoi vëmendje të madhe në publikun evropian. Ishte debati në Parlamentin Holandez mbi çështjen e kushtëzimit të përdorimit të fondeve nga fondi i rimëkëmbjes së BE nga Kovid-19 me respektimin e shtetit ligjor. Kryeministri Holandez më pas shtroi pyetjen “A mund të arrihet një marrëveshje ndërqeveritare e buxhetit apo mund të krijohet një BE pa Holandën dhe Poloninë?” . Pavarësisht sa kjo shikohet si debat për “përdorim të brendshëm” ajo ishte shkas për reagime dhe diskutime brenda BE-së, si dhe grindjet midis udhëheqësve të vendeve anëtare.

Një nga çështjet që i imponoi ky debat është efektiviteti i mekanizmave të sundimit të ligjit brenda BE-së. Fakti është se sundimi i ligjit është një nga vlerat themelore të BE-së, i garantuar nga neni 2 i Marrëveshjes së BE-së. Megjithatë, po bëhet problem për të mbrojtur shtetin e së drejtës – diçka që dikur merrej “si e gatshme”. U vendos të përdoret mekanizmi për të pezulluar një shtet anëtar, pra votën e tij në Këshill. U vendos të përdoret mekanizmi për sundim të ligjit, sipas të cilit Komisioni Evropian mund të ngritë kontest para Gjykatës së drejtësisë së BE-së. Konteste të tilla tashmë janë ngritur dhe ka aktgjykime të Gjykatës. Është gjithashtu fakt edhe që BE ka filluar monitorim të rregullt të shtetit ligjor të shteteve anëtare. Por nuk ka asnjë mekanizëm për përjashtimin e një vendi anëtar nga BE. Vendi mund të largohet nga BE vetëm vullnetarisht.

Është e qartë se disa shtete anëtare nuk janë të kënaqura me efektivitetin e këtyre mekanizmave. Dhe ata nuk e shohin përse fondet e tyre do të derdheshin në vendet e tjera që nuk respektojnë vlerat që ata i konsiderojnë të pathyeshme. Sigurisht, çështja e besimit midis udhëheqësve të vendeve anëtare është gjithashtu e rëndësishme, e cila është baza e funksionimit të BE-së. Prandaj edhe shfaqja e ideve të tilla si – “le të formojmë një BE të re (ose të re-të vjetër), pa ata që nuk respektojnë shtetin e ligjit”, gjegjësisht ata që nuk i respektojnë “vlerat tona themelore” nuk duhet të trajtohen në zonën e folklorit politik.

Dilemat e hapura nuk janë kryesisht ligjore dhe janë thelbësore për të ardhmen e BE-së. Mund të pritet që ata do të vazhdojnë të nxehen, secilën herë që çështja e “sundimit të ligjit” të vihet në tryezën e BE. Nga ana tjetër, ato mund të duken të parëndësishme për ne, kur me mundim jemi duke luftuar për të filluar negociatat e anëtarësimit dhe kushtëzimi me shtetin e së drejtës është realiteti ynë. Përkundrazi, ato janë shumë të rëndësishme, kryesisht sepse ato na tregojnë se llupa e vendeve anëtare do të qartësohet dhe do të jetë edhe më vështirë për t’u fituar besimi.

LEXO: U publikua raporti i progresit për Maqedoninë e Veriut, Komisioni Evropian kërkon zbardhjen e rasteve gjyqësore që kanë të bëjnë me korrupsion të lartë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button