Nga dashuria për librin, vullnetarët e kanë shndërruar në bibliotekë ish objektin e Jugosllavisë në Pirok të rrethinës së Tetovës

Në fshatin Pirok që gjendet në rrethinë të Tetovës, disa persona vullnetarisht kanë marrë iniciativë dhe po bëjnë hapjen një biblioteke të fshatit, ata aktualisht presin donacione nga persona fizik dhe juridik. Muhamed Ademi, një prej iniciatorëve, për Portalb.mk tha se kjo iniciativë do ti afrojë banorët e fshatit Pirok dhe komunave përreth një hap më afër me librin, shkruan Portalb.mk.

Një vend ku të rinjtë dhe të gjithë banorët tjerë të fshatit Pirok do të mund të huazojnë libra, të lexojnë aty si dhe të kalojnë kohë në shoqërimin e librave nga autorë të ndryshëm tanimë është hapur në fshatin Pirok.

Muhamed Ademi në një intervistë për Portalb.mk tha se ideja ka lindur nga një grup njerëzish të cilët dëshironin të bëjnë diçka në dobi të banorëve të këtij fshati, ata kanë rikonstruar ish bibliotekën e Jugosllavisë.

Muhamed Ademi nga iniciativa "Biblioteka Pirok".
Muhamed Ademi nga iniciativa “Biblioteka Pirok”.

“Ideja ka lindur nga një grup njerëzish të cilët dëshironin të bëjnë bamirësi për fshatin Pirok. Në fillim ata bënë rikonstruimin e bashkësisë lokale dhe pikërisht aty ka qenë hapësira e bibliotekës nga koha e Jugosllavisë. Duke e kombinuar pasjen e hapësirës së nevojshme me mungesën se nuk gjendet një leximore dhe bibliotekë e përshtatshme ne hapësirën prej Tetove deri në Gostivar lindi pikërisht ideja e cila po realizohet tani” tha Muhamed Ademi, një prej iniciatorëve të hapjes së kësaj biblioteke në Pirok.

Marrë parasysh se asnjë nga fshatërat e Pollogut nuk disponon me bibliotekë lokale, Ademi tha se kjo bibliotekë do të shërbejë për të gjithë ata që e duan librin, pa dallim të asaj se banorë të cilit fshat apo qytet janë.

“Nevoja për bibliotekë nuk është e kufizuar vetëm te fëmijët e fshatit Pirok. Mirëpo ka nevojë edhe për moshat e ndryshme që të nxiten t’i kthehen leximit dhe të thyejnë akullin për gjeneratat e ardhshme po edhe për këto më të rejat.  Për me tepër, kjo bibliotekë që po “ndërtohet” nuk është vetëm për banorët e fshatit Pirok, por qëllimi është të nxisë leximin edhe interesim për lexim edhe te rrethina pse jo edhe më gjerë” shtoi Ademi.

Biblioteka e fshatit Pirok.
Biblioteka e fshatit Pirok.

Muhamed Ademi potencoi se ai dhe bashkë iniciatorët e këtij projekti nuk kanë kërkuar ndihmë nga institucionet shtetërore për këtë, ai tha se 25 persona kanë donuar mjete financiare si dhe shumë të tjerë libra.

“Deri më tani banorët e fshatit Pirok , 25 anëtarë gjithsej, kanë donuar mjete financiare për pajisjen me inventar të hapësirës ku do te jetë biblioteka. Kjo fazë veç më ka përfunduar, dhe kemi kaluar në fazën e grumbullimit të librave. Prej komunës nuk kemi kërkuar ende ndihmë. Deri më tani kemi mbi 800 tituj te pa selektuar dhe jemi në pritje të finalizojmë edhe disa donacioni nga biblioteka e Universitetit të Tetovës, universitetit të  Evropës Juglindore, biblioteka e qytetit, nga Kosova më saktë Pirzreni dhe Prishtina. Interesimi shohim më tepër nga gjeneratat e reja, nxënësit e shkollave fillore dhe ato të mesme, dhe pikërisht kjo na shton vullnetin për punë të mëtutjeshme” tha Muhamed Ademi nga iniciativa “Biblioteka Pirok”.

Si mund të ndihmoni ju?

Aktualisht iniciatorët e hapjes së kësaj biblioteke janë duke pranuar donacione nga të gjithë personat që kanë mundësi ta bëjnë këtë, respektivisht të gjithë ju mund të dononi nga një ose më shumë libra në hapësirat e blibiotekës të sapo ndërtuar.

Biblioteka e fshatit Pirok.
Biblioteka e fshatit Pirok.

Nga 9 komuna të rajonit të Pollogut, vetëm dy kanë biblioteka

Mijëra banorët e nëntë komunave të rajonit të Pollogut për të marrë një libër hua duhet të udhëtojnë me kilometra, kjo për shkak se nga gjithsej 9 komuna, vetëm dy prej tyre kanë biblioteka kurse leximore ka vetëm në Gostivar. Kjo rëndon dyfish punën e bibliotekës së Tetovës dhe Gostivarit, përveç mungesës së leximores, drejtoresha e bibliotekës së Tetovës për Portalb.mk theksoi se punojnë në kushte të mjerueshme, ndërkaq si pasojë e mungesës së bibliotekave në komunat përreth, shpesh herë nuk ka libra për të gjithë. Albanologia Xhemazije Rizvani shtoi politikanët në vend “nuk e çajnë kokën për këtë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button