Trajtimi për COVID-19 përmes telefonit në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut, pacientët e diagnostikuar me sëmundjen COVID-19, e të cilët po shërohen në shtëpi, thotë se po ballafaqohen me vështirësi gjatë komunikimit me mjekun familjar, pasi një gjë e tillë është e lejuar vetëm përmes telefonit.

Njëra ndër to është Sashka T., 33-vjeçare, e cila për REL tregon se ka pritur tetë ditë për testim, ndërsa pas marrjes së rezultatit pozitiv, ajo gjendet në shtëpi dhe po komunikon përmes telefonit me mjekun e saj për konsultime lidhur me terapinë.

“Unë kisha nevojë që të më vizitoj mjeku që të ndjehem më e sigurt nëse po bëj gjënë e duhur. Tërë kohë jam vetë në shtëpi, me mjekun komunikojmë vetëm përmes telefonit, kjo më bën të jem e shqetësuar”, thotë Sashka.

Mjeku familjar nga Tetova, Ilir Luma, thotë për Radion Evropa e Lirë se ai dëshiron që mjekët amë të lejohen, që duke respektuar masat mbrojtëse kundër koronavirusit, personalisht të vizitojnë pacientët me COVID-19, në mënyrë që të mund të caktojnë terapinë e duhur.

“Në rastin konkret, nuk mundet që në bazë të dy tre fjalëve gjatë komunikimit me telefon me pacientët, mjeku të japë diagnozën përkatëse, qoftë të përcaktojë dhe dyshimin për infeksionin nga koronavirusi. Kjo formë e komunikimit me pacientin, vetëm përmes linjës telefonike, e bën shumë të vështirë shërimin. E mundon pacientin në aspektin psikik”, thotë Luma.

Kryetarja e Shoqatës së mjekëve amë, Lilija Çollakova-Dervishova theksoi se ordinancat e mjekëve amë po pranojnë numër të madh të telefonatave nga ana e qytetarëve, të cilët dyshojnë se janë të sëmurë me COVID-19.

“Vinë më shumë pacientë të frikësuar me temperaturë 37.3 edhe pse punoj më shumë se 30 vjet, më duhet të theksoj se ata (pacientët) asnjëherë nuk kanë reaguar në këtë mënyrë. Gjithmonë OBSH-ja (Organizata Botërore e Shëndetësisë) ka theksuar se nëse shfaqet temperatura duhet t’i jepet mundësi vetë organizmit që ta luftojë virozën dy apo tre ditë për të përforcuar imunitetin, mos të shkohet menjëherë me antibiotikë. Por, tani paniku i shfaqur te pjesa më e madhe e pacientëve është si rezultat i frikës”, thotë Çollakova-Dervishova.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka theksuar ekziston një protokoll i qartë për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe i njëjti pëson ndryshime varësisht nga mënyra dhe doza e terapisë.

“Shumë është e rëndësishme që të bëhet vlerësim për gjendjen e pacientit nga ana e mjekut. Për këtë sëmundje (COVID-19) e cila shfaqet në forma të ndryshme, absolutisht mbetet në duart e mjekut që të vlerësojnë se si duhet vepruar rreth mënyrës së shërimit për pacientët e prekur nga virusi”, ka theksuar ministri Filipçe.

Ndryshe, në 24 orët e fundit nga 1325 testime janë regjistruar 565 raste të reja me virusin korona, 154 janë shëruar, ndërkaq 21 të tjerë kanë ndërruar jetë. Me këtë, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 32.997, të shëruarve në 21.244, të vdekurve në 1.025, ndërkaq momentalisht ka 10.728 raste aktive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button