Italia vlerëson se Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojë negociatat deri në fund të vitit

Ambasadori i ri i Italisë në Shkup, Andrea Silvestri, sot gjatë dorëzimit të letrave kredenciale te presidenti, Stevo Pendarovski përcolli qëndrimin e vendit të tij se “Konferenca e parë ndërqeveritare duhet të mbahet para fundit të vitit, edhe përkrah sfidave nga pandemia”, transmeton Portalb.mk.

“Jemi të bindur se Maqedonia e Veriut meriton t’i fillojë këto negociata sa më shpejtë. Vlerësojmë se konferenca e parë ndërqeveritare duhet të mbahet para fillimit të vitit, edhe përkrah vështirësive të shkaktuara nga pandemia. Maqedonia e Veriut është e gatshme t’i fillojë negociatat dhe nuk duhet të lejojmë që çështjet bilaterale, të çfarëdo lloji dhe ngado që burojnë, të pengojnë procesin e negociatave. Çështjet bilaterale duhet të mbesin jashtë negociatave për anëtarësim dhe duhet të zgjidhen në forumet adekuate”, theksoi në fjalimin e tij ambasadori Silvestri.

Nga kabineti presidencial kumtuan se, Silvestri ka shtuar se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO nuk parasheh vetëm angazhim për garantimin e sigurisë dhe paqes, por edhe solidarizim të aleatëve, duke folur për respiratorët që NATO javën e kaluar i dhuroi Maqedonisë së Veriut, që të ndihmojë në ballafaqimin me pandeminë.

Ndërkohë, Pendarovski gjatë ceremonisë solemne ka shprehur bindjen se mbështetja italiane për realizimin e integrimit evropian të vendit, do të vazhdojë në mënyrë të pa rezervë edhe në të ardhmen.

“Jam i bindur se fillimi i negociatave me Unionin jo vetëm që do të kontribuojë për stabilizimin e mëtejmë të situatave në Ballkanin Perëndimor, por neve si shtet, do të na mundësojë implementim më të shpejtë dhe më efikas të reformave të patjetërsueshme, veçanërisht në sferën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë”, ka theksuar presidenti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button