Frankfurter Allgemeine Zeitung: Zgjerimi i BE-së i pamundur me këmbënguljen që ka Bullgaria

Nëse pranohet pretendimi Bullgar se ekziston vetëm një e vërtetë historike dhe kjo është e vërteta e tyre dhe nëse një gjë e tillë deklarohet me vendosmëri në negociatat e pranimit të Maqedonisë së Veriut, zgjerimi i BE-së do të bëhet i pamundur, shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”  në analizën e saj mbi mosmarrëveshjet maqedono-bullgare për fillimin e negociatave, transmeton Portalb.mk.

Sipas FAC, një këmbëngulje e tillë nga Bullgaria nuk korrespondon me shekullin 21, dhe në të gjashtë vendet në Ballkanin Perëndimor politika bullgare shihet me shqetësim. “Nëse në të ardhmen të gjitha vendet anëtare duan të imponojnë pikëpamjet e tyre mbi historinë e vendeve kandidate, zgjerimi do të bëhet i pamundur, sepse ka narrativa historike kontradiktore midis vendeve të tjera në rajon”,  thuhet në analizën e FAC, shkruan Deutsche Welle në gjuhën maqedonase.

FAC thotë se ambasadori Bullgar në BE Dimitar Tsançev ka dhënë dy herë deklarata emocionale për homologët e tij në lidhje me faktin se bisedimet e pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut, që pritet të nisin gjatë presidencës gjermane, mund të fillojnë vetëm pasi vendi të përmbushë kërkesat e veçanta të Bullgarisë.

“Në thelb, Sofja dëshiron që maqedonasit të pranojnë se ata ishin në fakt bullgarë dhe se flisnin gjuhën Bullgare përpara se të bëheshin një komb i pavarur përmes një procesi të falsifikimit historik,” shpjegoi FAC.

Pikëpamjet e tilla, sipas FAC, nuk kishin mbështetje nga asnjë shtet tjetër anëtar.

“Në rrethin e ambasadorëve të BE-së, shfaqjet e ambasadorit bullgar, këtë javë dhe javën e kaluar, hasën në keqkuptim dhe habi. “Askush nuk iu bashkua, as grekët, as francezët ose holandezët, të cilët një vit më parë bllokuan fillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut (dhe Shqipërinë)”,  raportoi gazeta gjermane.

FAC gjithashtu shkruan për memorandumin shpjegues të Sofjes, në të cilin kërkon që vendi fqinj në të gjitha dokumentet evropiane mund të paraqitet vetëm me emrin e plotë “Republika e Maqedonisë Veriore”, dhe në asnjë rast me formën e shkurtër “Maqedonia e Veriut”, sepse, sipas Sofjes, mund të përbëjnë një kërcënim për integritetin territorial bullgar, pasi ato kanë gjithashtu një pjesë të rajonit gjeografik të Maqedonisë. Sofja gjithashtu hedh poshtë emrin “maqedonisht” për gjuhën zyrtare të fqinjit dhe në vend të kësaj kërkon përdorimin e termit “gjuhë zyrtare në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Qëndrimi i Brukselit është se vendet e tjera nuk mund të vendosin se si do të quhet gjuha e dikujt.

“Sa i përket gjuhës, është dëgjuar nga Brukseli që një referencë neutrale mund të bëhet në dokumentet e BE për” gjuhën e përshtatshme zyrtare “pa e emëruar atë. “Por këtu hyjnë në lojë ndjeshmëritë që merren seriozisht në Bruksel: Të tjerët nuk mund të vendosin se si një vend do ta quajë gjuhën e tij”, thuhet në analizën e FAC-it.

Në Maqedoninë e Veriut, shkruan e përditshmja, Bullgaria frymëzohet nga “shembulli i Athinës”.

Pasi Greqia pati sukses me presionin e saj, thuhet në analizën e medias gjermane, tani bullgarët duan ta përdorin atë dhe pas emrit të vendit, të ndryshohet edhe identiteti i popullsisë.

“Politika Bullgare shihet me shqetësim në të gjashtë vendet në Ballkanin Perëndimor: Nëse në të ardhmen të gjitha vendet anëtare dëshirojnë të imponojnë pikëpamjet e tyre mbi historinë e vendeve kandidate, zgjerimi do të bëhet i pamundur, sepse midis vendeve të tjera në rajon “ka rrëfime historike kontradiktore”,  përfundon Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Ministri bullgar i Mbrojtjes dhe lider i partisë VMRO, Krasimir Karakaçanov edhe një herë ka përsëritur se Bullgaria nuk do të lëshojë pe. Sipas tij, dikush në Shkup mendon se Bullgari do të bëjë lëshime për shkak të ndjenjave vëllazërore dhe solidaritetit. Ata po ashtu mendojnë se dikush nga jashtë do të bëj presion ndaj Bullgarisë. Megjithatë, kjo nuk do të ndodhë, tha Karakaçanov.

Mbështetjen për fillim të negociatave me BE-në Sofja e kushtëzoi me përparim në punën e Komisionit të përbashkët të ekspertëve për çështje historike dhe arsimore. Historianët maqedonas dhe bullgarë pas një pauze prej gati një viti u ulën përsëri, ku biseduan dy ditë, e sipas deklaratave të bashkë-kryetarëve të Komisionit pas takimit Dragi Gjorgiev dhe Angel Dimirov është arritur përparim i vogël, por jo edhe në lidhje me Goce Delçevin. Pas takimit, u theksua se ka disa propozime dhe ide, por ata kërkuan durim me sa më pak emocione e tensione, duke e paralajmëruar një takim të ri në Sofje deri në fund të vitit.

Takimi i fundit për harmonizimin e kornizës negociuese do të mbahet nga Këshilli i BE-së për çështje të përgjithshme më 10 nëntor në Bruksel, që përkon me mbajtjen e Samitit të procesit të Berlinit në Sofje, i cili do të bashkë-kryesohet nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. Për fillim të nëntorit është paralajmëruar takim midis kryeministrit Zoran Zaev dhe homologut të tij Bullgar Bojko Borisov në Sofje, në të cilin pritet të tejkalohen keqkuptimet.

Në mars, Bashkimi Evropian miratoi vendim për fillim të pakushtëzuar të bisedimeve hyrëse me Maqedoninë e Veriut dhe pritet që konferenca ndërqeveritare të mbahet deri në fund të vitit, gjatë kohës së udhëheqësisë gjermane. Bullgaria në shtator dërgoi memorandum sqarues deri te vendet anëtare të BE-së,  ku mes tjerash thotë se gjuha maqedonase nuk ekziston dhe është dialekt i gjuhës bullgare, por edhe se populli maqedonas është projekt i ish liderit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito.

Me konferencën ndërqeveritare fillojnë bisedimet, por që të ndodh ajo, të gjitha vendet anëtare duhet që ta harmonizojnë kornizën negociuese, proces të cilin për momentin e bllokon Bullgaria, duke kërkuar lëshime për historinë dhe gjuhën maqedonase.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button