Snowden dhe gruaja e tij do të aplikojnë për shtetësinë ruse

Ish-kontraktori i Agjencisë për Siguri Kombëtare të SHBA-së, Edward Snowden dhe gruaja e tij do të aplikojnë për nënshtetësi ruse në mënyrë që të mos ndahen nga djali i tyre, i cili pritet të vijë në jetë, në një epokë pandemish dhe kufijsh të mbyllur, njofton Portalb.mk.

“Pas disa vitesh ndarjeje nga prindërit tanë, gruaja ime dhe unë nuk kemi dëshirë të ndahemi nga djali ynë. Kjo është arsyeja pse, në këtë epokë të pandemive dhe kufijve të mbyllur, ne po aplikojmë për shtetësi të dyfishtë SHBA-Ruse”, shkroi Snowden në Twitter.

Ditë më parë, ai njoftoi se pret fëmijë me gruan e tij, Lindsay Mills.

“Lindsay dhe unë do të mbetemi amerikanë dhe do ta rrisim djalin tonë me të gjitha vlerat e Amerikës që e duam – përfshirë lirinë për të folur”, shkroi Snowden.

Snowden, 37 vjeç, u largua nga SHBA-të dhe iu dha azil në Rusi pasi zbuloi dosje sekrete në 2013 që tregonin operacione të mëdha të mbikëqyrjes së brendshme dhe ndërkombëtare të kryera nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së, ku ai ishte kontraktor.

Autoritetet amerikane kanë kërkuar për vite me radhë që Snowden të kthehej në SHBA për t’u përballur me një gjyq penal mbi akuzat e spiunazhit të sjellë në 2013. Nëse dënohet në SHBA, ai do të përballet me 30 vjet burgim.

Rusia tashmë i ka dhënë Snowden të drejta të qëndrimit të përhershëm, tha avokati i tij muajin e kaluar.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha në gusht se po shqyrtonte faljen për Snowden.
Menjëherë pas publikimit të dosjeve sekrete, Trump ka thënë se Snowden është një spiun që duhet të ekzekutohet. Mirëpo si duket Trump tashmë e ka ndryshuar qëndrimin rreth kësaj çështje, kjo pasi ai kandidon për një mandat të dytë presidencial kundër sfiduesit demokrat Joe Biden në zgjedhjet e së martës.

“Unë do të filloj ta shikoj këtë çështje”, ka thënë Trump para gazetarëve duke shtuar se mund ta konsiderojë opsionin e faljes.

Snowden mban një profil të ulët në Rusi. Ai ka vlerësuar bukurinë natyrore të vendit dhe ngrohtësinë e njerëzve atje, ndërsa ka përdorur rrjetet sociale për të kritikuar politikën e qeverisë herë pas here.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button