Ajshe Useini: Dashuria dhe ambicia të japin vullnet për punë dhe puna sjell gjithmonë suksesin (VIDEO)

Ajshja vjen nga qyteti Gostivarit dhe është e vetmja aktore në Maqedoninë e Veriut që realizon monokomedi. Ajo thotë se ndjehet e lumtur nga njerëzit që e pëlqejnë punën e saj dhe do të vazhdojë të realizojë dhe monokomedi të tjera. Për këtë intervistë të realizuar nga Portalb ajo dha mesazh për ata që e duan artin që të ndjekin zemrën e tyre sepse dashuria dhe ambicia të japin vullnet për punë dhe puna sjell suksesin.

Ajshe Useini, aktore

Kur ka qenë hera e parë që ju jeni paraqitur në skenë?
Paraqitja ime e parë ne skene ka qene diku në fillim të shkollës së mesme, fillimisht jam paraqitur në skenë me këndim, pastaj me vallëzim dhe në fund me shfaqje teatrale, në këto paraqitje skenike zbulova se e dua skenën, në veçanti artin dramatik, dhe kështu e mora vesh që dua të bëhem aktore, ajo dëshirë ende vazhdon të jetë e freskët, dhe besoj që do ta kem gjithmonë!

 

Ajshe Useini, aktore

Ju jeni e vetmja aktore në vendin tonë që bëni monokomedi, sa prej tyre keni bërë deri tani dhe a mendoni se do bëni ende të tjera
Ndjehem me fat që jam femra e parë që bëj monokomedi në vendin tonë, por gjithashtu ndjej edhe dyfish përgjegjësi ndaj publikut dhe artdashësve dhe jap maksimumin që ata të jenë të kënaqur me punën time. Ky zhanër i dramës më ka pëlqyer gjithmonë dhe tani që mu dha mundësia për ta shfaq në skenë, kjo shfaqje më ka ndihmuar të mësoj shumë mbi profesionin, për shkak se jam aktore e re dhe normalisht kam ende shumë për të mësuar! Patjetër që jam e gatshme për monokomedi tjera,  është një nga zhanret e mia të preferuara, dhe mesiguri do të ketë edhe tjera.

 

Monokomedia Ballkankovidizëm.

A e vlerësojnë njerëzit punën që ju bëni?
Deri tash po shoh që njerëzve ju pëlqen puna ime, dhe kjo me lumturon, sepse tek e fundit për njerëzit punojmë, dhe patjetër që është i rëndësishëm pëlqimi i tyre, dhe meqë e pëlqejnë besoj që e vlerësojnë. Edhe pse kjo shfaqje është realizuar me një buxhet shumë të vogël, puna dhe dëshira për të bërë diçka të mirë dhe ndryshe në vendin tonë kanë qenë shumë të mëdha! Besoj këtë ka arrit ta vërej edhe publiku, dhe shpresoj që të jenë të kënaqur nga puna ime, sepse janë ata që vendosin a do vazhdojmë me shfaqje të tjera si kjo ose jo! Ne kemi publik të mrekullueshëm, që e duan artin dhe janë të etur për art, kjo me jep vullnet  që të punoj më shumë dhe shpresë që të ritet numri i punëve artistike në vendin tonë.

 

Ajshe Useini, aktore

Për ata që se dinë dhe ju intereson, ky profesion a sjell të ardhura të larta?
Ata që duan të bëhen aktore\aktorë dhe që duan të dinë a do kenë të ardhura me këtë profesion sidomos në vendin tonë, me keqardhje duhet t’ju them se të ardhurat çka mendojnë se do ti fitojnë, kanë proces të shumë të ngadaltë nëse dorëzohen shpejt mundësia për të pasur të ardhura të larta është shumë e vogël, mua personalisht, edhe pse ende jam aktore e re, më është dashur të punoj shumë dhe të sakrifikoj ndonjëherë edhe pa të ardhura vetëm nga dëshira për ta ushtruar profesionin, tash gëzoj të ardhura normale, nuk mund ti quaj të larta, por për harxhimet e mija personale ia dal mbanë! Ndërsa për ata që duan ta dinë vetëm nga kureshtja, unë fitoj njëjtë si çdo qytetar i thjeshtë në këtë vend. Më duhet ta theksoj se ky profesion në vendin tonë ka nevojë për vlerësim më të madh financiar, dhe për më shumë produkte, sidomos për artistët e rinj, sepse është shumë e vështirë që prej në fillimet e karrierës të mos shohësh të ardhura me punën që bën, dhe dyfish më e vështirë për të mos u dorëzuar, të mos dëshpërohesh, dhe ta rifillosh rrugëtimin ne këtë profesion!

Ajshe Useini, aktore

Cili do të ishte mesazhi juaj për të rinjtë?
Për të gjithë ata që janë në dyshime nëse duan të bëhem aktore\aktore ose artist ne përgjithësi ua kisha këshilluar që ta mendojnë më mirë, sepse dyshimet sipas mendimit tim mund të kenë pasoja në karrierën e një artisti dhe ndoshta mund të dorëzohen lehtë në pengesat dhe dështimet që gjithmonë janë prezent dhe ndonjëherë nuk janë të lehta për ti përballuar. Ndërsa për ata që janë të vendosur dhe që e duan artin me shpirt, që pa hamendje e ndjejnë që mund ta bëjnë, i kisha këshilluar që të ndjekin zemrën e tyre, sepse dashuria dhe ambicia e madhe mbi këtë profesion i bën sfidat dhe dështimet më të përballueshme dhe pa diskutim që dëshira dhe ambicia të japin vullnet për punë, dhe puna sjell gjithmonë suksesin.

Në fund Ajsheja e përmbyll intervistën me një thënie të bukur.

Ajshe Useini: Dhe për në fund dua ti përshëndes me një thënie që më pëlqen shumë: “CHOOSE A JOB YOU LOVE, AND YOU WILL NEVER WORK A DAY IN YOUR LIFE.” -Conficius

Ndërsa në vazhdim mund të ndiqni një pjesë nga monokomedia “BALLKANKOVIDIZËM“.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button