Onlajn gjykime në RMV – ide që hapi dilema

Megjithëse opsioni i onlajn gjykimeve për momentin është thjesht një ide që nuk duhet domosdo të zbatohet, Ministri Bojan Mariçiq thotë se nuk duhet të hidhet poshtë, sepse është përpjekje për ta bërë gjyqësorin të funksionojë në mënyrë efektive në kushte pandemie. Një pjesë e publikut profesional mendon që ideja vështirë do të zbatohet në praktikë

Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq pranon se gjykimet në internet nuk janë të përshkruara me ligj dhe se jo të gjitha gjykatat janë të përgatitura teknikisht për këtë lloj pune, por që është një mënyrë që gjykatat të veprojnë në mënyrë më efikase në kushte të pandemisë me kovid- 19, transmeton REL.

“Me hapjen e kësaj teme qëllimi jonë është të përpiqemi të ruajmë efikasitetin e gjyqësorit, madje edhe ta rrisim atë, të përpiqemi të vendosim drejtësinë në dispozicion të qytetarëve dhe t’i mundësojmë gjyqësorit të funksionojë në këto kushte. Sigurisht që nuk do të jemi rob i idesë që ajo duhet patjetër të realizohet, por nuk do ta përjashtonim si mundësi për t’u diskutuar me autoritetet në gjyqësor”, thotë Mariçiq në një intervistë me Radio Evropa e Lirë të dielën.

“Shembull i suksesshëm i këtij lloji të gjykimit është Gjykata themelore në Kavadarci, ku në periudhën e kaluar të krizës korona u mbajt onlajn gjykim. Por, kjo ide sipas një pjesë të ekspertëve nuk është zgjidhja më e mirë dhe ngre disa pyetje të tjera.

Prokurori publik Ljubomir Joveski para disa ditësh deklaroi se legjislacioni aktual nuk siguron baza për krime të profilit të lartë për t’u gjykuar në atë mënyrë dhe për këtë arsye është e nevojshme të ndryshohet legjislacioni procedural me shumicë prej dy të tretave në Parlament.

“Ka shumë çështje të hapura që në këtë moment as nuk janë tejkaluar, as nuk mund të zgjidhen duke zbatuar zgjidhjet ekzistuese. Si do të sigurohemi që në dhomën ku është dëshmitari të mos ketë njerëz të tjerë që mund t’i sugjerojnë për çështje të caktuara” tha Joveski në intervistën për Televizionin 24, duke shtuar se zgjidhja duhet të kërkohet në gjykime të hapura ose salla më të mëdha gjyqësore.

Për ministrin Mariçiq, këto opsione janë gjithashtu të pranueshme dhe ka vend për diskutim, me qëllim që në gjyqësori të funksionojn.

Se onlajn gjykimet nuk janë zgjidhja më e mirë pajtohet edhe ish gjykatësi dhe profesori aktual në Fakultetin e shkencave shoqërore, Bashkim Selmani,. Ai është i bindur se onlajn modeli nuk do të jetë i suksesshëm në praktikë.

“Mendoj se sallat e gjyqit janë mjaft të gjera për të mbajtur gjykime me prani fizike. Në këtë mënyrë, me gjykime në internet, abuzime mund të ndodhin nga palët në procedurë, por edhe nga gjyqtarët dhe këshillat gjykues. Këtu kemi shembuj me arsimin në internet, kështu që shohim se nuk ka shumë sukses për sa i përket arsimit cilësor. Mendoj se me onlajn gjykimet jo vetëm që nuk do të rritet cilësia e drejtësisë, por se procedura ligjore do të komplikohet dhe do të vështirësohet më tej”, thotë Selmani.

Edhe kryetari i Këshillit gjyqësor Kiril Zdravev para pak kohësh tha për AIM se për të shmangur shtyrjet e seancave për shkak të numrit të madh të të infektuarve nga korona, duhet të shqyrtohet mundësia për onlajn gjykime. Sipas tij, pengesa e vetme për shkak të së cilës vihet në pikëpyetje zbatimi i kësaj ideje është pëlqimi i të pandehurit për këtë lloj gjykimi.

Shtyrja e seancave gjyqësore për shkak të situatës me koronavirusin javët e fundit mund të shihet në praktikë. Kështu, këtë muaj u shtynë gjykimet për lëndët “Titanik”, “Target-Fortesa”, “TNT”, “Trajektorja”, “Organizatorët e 27 prillit”, sepse disa nga të pandehurit në këto procedura janë pozitive në kovid-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button