“Dita e Kursimit” në RMV, janë përzgjedhur bankierët më të mirë, Mimoza: Me vullnet, gjithçka arrihet!

Në kategorinë e personave më të rrezikuar për kontakt të mundshëm me virusin korona gjatë kryerjes së detyrës janë edhe punonjësit e bankave. Për këtë, pikërisht sot në “Ditën e kursimit” punonjësve më të mirë të bankave të RMV-së ju ndanë çmime. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ministri i Financave, Fatmir Besimi, guvernatorja e Bankës Popullore Anita Angelovska dhe të tjerë. Mimoza Kasa Jashari është zgjedhur si një prej punonjësve më të suksesshme në vend, ajo për Portalb.mk u shpreh se përkundër sfidave gjatë periudhës me pandeminë, vullneti për punë gjithmonë ka qenë i pranishëm, shkruan Portalb.mk.

Sot është dita botërore e kursimeve, kjo ditë ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të masës për rëndësinë e kursimeve si për ekonomitë moderne botërore ashtu edhe për individët. Në këtë ditë, popullit i rikujtohet rëndësia e kursimeve për ekonominë globale dhe kontributi i çdo depozituesi për zhvillimin e tyre.

Në ngjarjen e realizuar përmes internetit për shënimin e kësaj dite dhe ndarjen e çmimeve punonjësve më të mirë të bankave i pranishëm ishte edhe ministri i Financave Fatmir Besimi, ai tha se përkundër kohërave sfiduese, besimi i qytetarëve të RMV-së në sistemin financiar të shtetit është në nivel të lartë.

Fatmir Besimi

“Të dhënat thonë se edhe në kohëra sfiduese, besimi i qytetarëve të RMV-së në sistemin financiar të shtetit është në nivel të lartë. Kjo është si rezultat i stabilitetit makroekonomik dhe financiar, regullativës të dizajnuar mirë dhe sjelljes së kujdesshme të bankave” tha në mes të tjerash ministri i financave, Fatmir Besimi.

Mimoza Kasa Jashari nga Tetova ishte një nga të përzgjedhurat e Asociacionit të Bankave të Maqedonisë së Veriut si punonjësja bankare më e suksesshme në vend, ajo për Portalb.mk inkurajoi të gjithë punonjësit që të mos humbin vullnetin për punë përkundër sfidave që po kalon bota, sepse siç tha ajo, gjithçka shpërblehet.

Mimoza Kasa Jashari, e përzgjedhur si një prej punonjsve më të mira të bankave.
Mimoza Kasa Jashari, e përzgjedhur si një prej punonjsve më të mira të bankave.

“Sado i vështirë dhe me peripeci të njëpasnjëshme që ishte viti 2020, vlerësimi dhe mirënjohja si një prej punonjësve më të mira bankare në vend nga Asociacioni Bankar i Maqedonisë së Veriut ishte gjëja më e bukur gjatë kësaj periudhe. Është e vërtetë që puna dhe angazhimi i palodhshëm në fund gjithmonë shpërblehet” theksoi Mimoza Kasa Jashari.

Të gjithë kemi qenë dëshmitar të radhëve të gjata para bankave gjatë muajve të fundit, e pyetur se çfarë përshtypje i ka lënë ajo pamje Mimozës dhe a është ndjerë e frikësuar për shëndetin e saj dhe të familjes së saj, ajo potencoi rëndësinë e respektimit të masave.

“Patjetër të pranojmë se stresi dhe frika nga virusi kovid-19 tanimë është bërë pjesë e pashmangshme e përditshmërisë tonë në punë, mirëpo me respektimin e masave mbrojtëse dhe kujdesin maksimal gjatë ofrimit të shërbimeve, deri më tani kemi arritur të ja dalim me sukses” shtoi Mimoza Kasa Jashari, e përzgjedhura si një prej punonjësve më të mira të bankave të RMV-së.

Ndryshe, “Të mbajmë të gjallë pozitivitetin në mënyrë që të kthehemi sa më shpejtë në normalitet dhe të mos vuajmë pasoja edhe pas pandemisë” tha Mimoza Kasa Jashari për të gjithë punëtorët të cilët gjatë këtyre muajve janë në front, ajo shtoi se me respektimin e masave mbrojtëse të sjellura nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, mund të ja dalim pa hasur në probleme të padëshirueshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button