Vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit e tërmetit në Turqi dhe Greqi

Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar, pasi një tërmet i fuqishëm goditi Detin Egje, midis bregdetit turk dhe ishullit grek, Samos, duke lënë të vdekur të paktën 26 persona.

Mbi 800 persona janë plagosur nga tërmeti që ndodhi më 30 tetor, që rrënoi objekte dhe shkaktoi një cunami të vogël, transmeton REL.

Zyrtarët në Turqi thanë se 24 persona kanë vdekur dhe mbi 700 të tjerë janë plagosur në qytetin Izmir – qyteti i tretë më i madh në Turqi që ka një popullsi prej pothuajse tre milionë banorësh.

Zyrtarët grekë thanë se dy adoleshentë u vranë në Samos pasi u goditën nga një mur që kolapsoi.

Të paktën 20 ndërtesa janë shkatërruar në Izmir, thanë autoritetet, teksa ekipet e shpëtimit kanë vazhduar punën edhe përkundër faktit se ka pasur edhe lëkundje të tjera të tokës.

Agjencia për katastrofa në Turqi ka thënë se në këtë zonë janë regjistruar edhe 470 lëkundje të tjera.

Në qendër të Izmirit, ekipet e shpëtimit po tentojnë që ta shpëtojnë një nënë dhe katër fëmijët e saj, të cilët gjenden të bllokuar në rrënojat e një ndërtese, raporton Reuters.

Autoritetet turke kanë thënë se kanë përfunduar operacionet e shpëtimit në tetë ndërtesa, ndërkaq operacionet po vazhdojnë edhe në nëntë lokacione.

Ndërkaq, të premten mbrëma, liderët e Turqisë dhe Greqisë kanë zhvilluar një bisedë telefonike, ku kanë shprehur solidaritetin e tyre, pas tërmetit të fuqishëm.

“Sapo e telefonova presidentin (turk, Recep Tayyip Erdogam) për t’i shprehur ngushëllimet e mia për viktimat pasi tërmeti goditi shtetet tona. Pavarësisht dallimeve që kemi, në këto kohë, ne duhet të qëndrojmë së bashku”, ka thënë në një postim në Twitter kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

Në anën tjetër, Erdogan po ashtu u përgjigj përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

“I shpreha ngushëllimet e mia për të gjithë Greqinë në emrin tim dhe të popullit turk. Turqia po ashtu është e gatshme ta ndihmojë Greqinë që të shërojë plagët. Kur dy fqinj shfaqin solidaritet për njëri-tjetrin në kohë të vështira, është diçka më e vlefshme se shumë gjëra në jetë”, ka thënë ai.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se tërmeti – që u ndje edhe në Athinë dhe Stamboll, ishte 7.0 ballë të Rihterit.

Por, Turqia tha se tërmeti ishte i një shkalle prej 6.6 ballësh ndërkaq autoritetet greke thanë se lëkundjet ishin 6.7 shkallë të Rihterit.

Tërmetet në këto dy shtete janë të zakonshme.

Në muajin janar, mbi 30 persona u vranë dhe mbi 1,600 u lënduan pasi një tërmet goditi provincën lindore turke të Elazigut.

Ndërkaq, vitin e kaluar, një tërmet i fuqishëm goditi kryeqytetin grek, Athinën.

Më 1999, një tërmet i fuqishëm që goditi qytetin turk të Izmirit, vrau rreth 17,000 persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button