Euroambasadori Geer: Ka shumë spekulime në media, por është e rëndësishme të arrihet korniza negociuese

Shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, David Geer, i ka quajtur spekulime pretendimet e mediave se është arritur kompromis me Bullgarinë, për hapjen e negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. I pyetur sot nga gazetarët se, e komenton publikimin e “Politico-s”, ku pretendohet se është arritur konsensus në BE rreth kërkesave bullgare për hapjen e negociatave qasëse me Maqedoninë e Veriut, ai tha se ka shumë spekulime në media për shumë tema dhe nuk vlerëson se është e dobishme të komentojë në ato spekulime. Por, ajo që është e rëndësishme sipas tij, është se duhet të vazhdojë diskutimi.

David Geer

“Tani duhet të arrihet marrëveshje për kornizën negociuse si një ndër pikat referente në negociatat për qasje në BE dhe më pas do të mund ta mbajmë konferencën ndërqeveritare që të fillojmë procesin. Shpresoj se ajo do të ndodhë sa më shpejtë të jetë e mundur”, deklaroi Geer, transmeton Portalb.mk.

Ai tha se, Marrëveshja me Bullgarinë është model për përparim dhe është e rëndësishme që ta zbatojnë të dyja palët.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në lidhje me tekstin e “Politico-s”, theksoi se nga ajo që e ka dëgjuar në media ajo nuk është pikëpamje e re e Bullgarisë si duhet të zgjidhet kjo çështje, por se nuk mund të flasë për asnjë propozim, pasi ne nuk jemi pjesë e debatit që zhvillohet brenda BE-së.

Bujar Osmani

“Unë personalisht mendoj se vërtetimi i të drejtës për vet përcaktim dhe atribute identitare nga ana e Republikës së Bullgarisë, do të inkurajojë në mënyrë të konsiderueshme shoqërinë dhe veçanërisht komisionet e historianëve, pa dyshim edhe barrën si shkencëtarë në shqyrtimin e ngjarjeve të ndryshme historik dhe në mënyrën se si do të shënohen figura të ndryshme historike”, deklaroi Osmani.

Ministri i Jashtëm theksoi se politikanët mund të inkurajojnë dhe të krijojnë ambient, por politikanët nuk mund të sjellin interpretime me dekret sa i përket vendimeve historike dhe vendimet e tilla nuk do të ishin të mira dhe të qëndrueshme.

“Ajo çka mund të bëjë politika është që këto deklarata inkurajuese nga Bullgaria se janë të gatshëm si edhe të tjetër të pranojnë të drejtën e shteteve të tjera, me të vërtetë do të çlirojë shoqërinë në lidhje me qëllimet e funksionimit dhe rolin e këtyre komisioneve. Nuk shoh mënyrë tjetër të interpretimit të ngjarjeve historike, përpos asaj që e parasheh marrëveshja ndërsa ajo është se historianët, larg ndikimit politik, në bazë të informatave politike të gjejnë interpretim të përbashkët”, deklaroi Osmani.

Sipas tij, grupet punuese të komisionit të përbashkët për çështje të historisë komunikojnë në bazë të rregullt, në korniza të kufizimeve që i imponon pandemia.

Mediumi nga Brukseli “Politico” duke u thirrur në burime diplomatike publikoi së fundmi një artikull, ku pretendohet se në nivel të ambasadorëve në Bruksel është ofruar kompromis që Bullgaria të pajtohet me fillimin e konferencës së parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, se do të pranojë gjuhën dhe identitetin maqedonas, por nga pala maqedonase do të kërkohet që të pranojnë që gjuha dhe kombi kanë rrënjë bullgare.

Kujtojmë se, Sofja zyrtare ka paralajmëruar Maqedoninë e Veriut se mund të pengojë proceset e integrimit të vendit në BE, nëse nuk zgjidhet kontestet historike mes dy vendeve. Në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkon mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe në kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017.

Kryeministri Zoran Zaev, dy javë më parë, deklaroi se nuk dëshiron të flas për “plan B” në rast se në dhjetor nuk fillojnë negociatat për anëtarësim në BE, pasi sipas tij, vendi duhet të arrijë sukses. Zaev tha se si kryeministër asnjëherë në Qeveri nuk kanë bërë “plan B”, sepse në atë rast do të dorëhiqej nga “plani A”.

Në lidhje me mosmarrëveshjen me Bullgarinë dhe mundësinë nga bllokada, Zaev beson se ekzistojnë zgjidhje për çështje që janë sfidë.

Ndërkohë, dje presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski dhe kryeministri, Zoran Zaev, u shprehën në një linjë se, “nuk ka negociata për identitetin maqedonas”. Zaev deklaroi se nuk është e pranueshme pretendimi se gjuha dhe populli maqedonas rrjedhin nga ai bullgar dhe se për palën maqedonase linjat e kuqe janë se nuk ka negociata për identitetin dhe gjuhën maqedonase. Pendarovski theksoi se, nuk ka asnjë lëshim dhe nuk mund të ketë lëshime sa i përket interesave nacionale dhe shtetërore që nënkupton se, nuk ka negociata për identitetin maqedonas.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button