ROJET SHQIPTARE TË NAMUSIT SERB

Të premten që shkoi ndoqa 10-15 minuta (e)misionin Zona e lirë, të cilin zakonisht nuk preferoj ta ndjek.  E ndoqa, sepse temë “debati” ishte raporti i shqiptarëve me fqinjët – serbët, grekët, malaziasit e maqedonasit, kurse në mesin e hajgarexhinjëve grekofilë ishte dhe Muç gjithologu, eksperti i të gjitha temave, që nga mbjellja e preshëve gjer tek qytetërimet e Marsit.

Fillimisht më bëri përshtypje një profkatar grekoman që ha bukën e Shqipërisë dhe punon për interesat greke, i cili mundohej të arsyetojë gllabërimin helen të pjesës shqiptare të detit Jon. Megjithatë, shkas i këtij shkrimi u bë deklarata e Muç Nanos, që arsyetoi synimet ekspansioniste të fqinjëve ndaj shqiptarëve, sepse gjatë pushtimit otoman, ne i paskemi keqtrajtuar ata bashkë me pushtuesit turqë!? Madje, nuk u mjaftua me kaq, ndaj shtoi se edhe aktualisht shqiptarët që jetojnë në Serbi, në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut luakan rolin e kuajve trojanë dhe qenkan kolona e pestë në shtetet e bashkëvendësve të tyre sllavë!?

Kjo qe pjesa që ndoqa nga (e)misioni i Çanit, që në vijim ndoshta është katandisur edhe më zi, po mua kaq m’u desh për t’u bindur me fund se çanët, muçët, jazexhinjtë… janë mohsa që nuk ia duan të mirën Shqipërisë së shndërruar në tokë mera, në mall që mund ta shesë çdo xhambas shqipfolës, që mund ta shkelë e gllabërojë i rrjepti e i shqepti.

Unë s’them se nuk ka pasur e nuk ka shqiptarë që, në rrethana të caktuara, nuk janë bërë e nuk bëhen mercenarë të tjetrit në dëm të kombit e shtetit të tyre, por ta përgjithësosh këtë është marrëzi sui generis. Veçmas kur këtë e bëjnë persona publikë që shesin medieve gjepura për shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë londineze. E them këtë, sepse, ashiqare, i manipulojnë të vërtetat historike e aktuale në të cilat jetojmë ne “nëpërkëmbësit” e të drejtave të fqinjëve, ne ushtarët e “kolonave të pesta” të muçnanove. Do të ishte ndryshe sikur debatuesit të kishin pak më shumë njohuri  për të shkuarën e shqiptarëve të bërë pik-e-pesë sajesave ballkanike. Do t’u mjaftonte edhe leximi i një vepreje të vetme si Kryengritja e Dervish Carës, fjala vjen, për ta mësuar një herë e mirë se janë sllavët e grekët ata që historikisht kanë shtypur shqiptarët bashkë me otomanët, duke na pushtuar, duke na asimiluar, duke na përzënë prej vatrave të të parëve. E përmenda këtë vepër serioze historike, sepse është shkruar prej një joshqiptari (vllahut  Aleksandër Matkovski) dhe hedh dritë mbi të vërtetat e kryengritjes së bërë në kohën e Tanzimatit, që pati shtrirjen më të madhe gjeografike (nga Struga deri në Vrajë e Nish), të cilën e kanë bërë pikërisht shqiptarët (kryesisht ata të besimit musliman), që Muçi i identifikoi me pushtuesit otomanë, kurse pasardhësit e tyre i quajti pjesëtarë të kolonës së pestë – armiq të brendshëm/të fshehtë të Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. E përmenda këtë vepër që ndriçon epopenë e madhe të shqiparëve gegë, nga e cila gjithologët mund ta kuptojnë të vërtetën e një beteje heroike, kur shqiptarët arritën të çlirojnë pothuajse të gjitha vendbamimet e tyre, duke u ndeshur me ushtrinë disa herë më të madhe e më të armatosur turke, në krahë të së cilës ishin dhe viktimat e muços serbët dhe vëllezërit e tyre më të vegjël. E përmenda këtë vepër, të cilën, po ta kishte lexuar një muç joinferior ndaj serbëve, nuk do të katandisej në roje të namusit serb. Në një rast të këtillë, ndoshta do t’i shihte gjërat siç i sheh autori i këtyre reshtave, për të cilin duhet të jesh mashë në shërbim të tjetrit për të plasuar publikisht të pavërteta ordinere që dëmtojnë kombin dhe atdheun tënd. Ndryshe, si është e mundur që shqiptarët të kenë bërë zullume ndaj serbëve, në një kohë kur këta të fundit e pushtuan me miratimin e shtetit osman Sanxhakun e Nishit me 3-4 qytete dhe 719 katunde shqiptare, duke i përzënë njerëzit prej vendbanimeve të tyre, duke i torturuar, persekutuar e vrarë në mënyrën më mizore të mundshme, për çka kanë shkruar, më mirë se ne, vetë serbët, që i kanë dokumentuar me vepra konkrete edhe gjenocidet e konsideruara si bëma të mëdha atdhetare.

Mjerisht këto nuk i di, apo edhe më keq, bën se nuk i di kabilja e gjithologëve të Zonës së lirë, që nunuris shqiptarët e painformuar me rrëfime dardha te kumlla, me profka të besueshme vetëm prej mendjeve të klasës së katërt të Faik Konicës, sepse janë krejtësisht të palogjikshme krimet shqiptare ndaj serbëve gjatë sundimit osman, kur dihet se, pikërisht asokohe, serbët pushtuan më shumë se gjysmën e Sqipërisë, kurse malaziasit na e morrën Ulqinin, Tivarin, Plavën, Gucinë… Historia dëshmon se as në periudhat e mëvonshme historike shqiptarët, edhe po të donin, nuk patën mundësi të ushtrojnë dhunë institucionale ndaj fqinjëve që na trajtojnë si pakica kombëtare. Shi për këtë, pohimet e ekspertëve të Zonës, rezultojnë të shpifura, sepse ndryshe do të ndodhte e pandodhura: ne dëmto serbët, ata pushto Kosovën, Luginën e Preshëvës, asimilo e shkombëtarizo shqiptarët e Novi Pazarit, shpërngul me dhunë shqiptarët në shkretëtirat e Anadollit…; ne dëmto malaziasit, ata zapto Çakorin dhe sllavizo fiset shqiptare në Kuçeviqë, Drekaloviqë, Vasojeviqë, Bjellopavliqë, Gjukiqë, Gjokiqë, Peshkoviqë, Luloviqë, Bojoviqë, Bojkoviqë, Gashiqë, Berishiqë, Buriqë, Shoshkiqë, Shaliqë, Gjurkoviqë, Gjeloviqë, Grudiqë, Zogoviqë, Baliqë, Nikqiqë, Braliqë, Daçiqë, Dashiqë, Bardiqë, Preniqë, Koliqë…; ne dëmto maqedonasit, ata ndërro strukturën etnike të vendbanimeve shqiptare me egejë, asimilo shqiptarët ortodoksë të Rekës së Epërme, shkombëtarizo shqiptarët katolikë, margjinalizo shqiptarët shkupjanë në lagje afrikane, krijo geto brenda sinoreve pa të drejtë zgjerimi, shpall shqiptarët komb përqindje në trojet shekullore të të parëve…; ne dëmto grekët, ata pushto Çamërinë, persekuto, dhuno, vra e dëbo me akte gjernocidiste shqiptarët nga pronat e tyre, vizato me varre të rreme harta Vorio Epirësh “grekë” në zemër të Shqipërisë…

Kjo nuk ka logjikë, Muç zeza! Prandaj duhet dëgjuar Konica që porosit të mbajmë gojën mbyllur kur nuk kemi gjëra të mençura për të thënë. Dhe, në mos paçim dëshirë ta mësojmë pak më mirë historinë shqiptare, të lexojmë të paktën atë që shkruajnë serbët për gjarët me të cilat turpërojnë veten mercenarët shqiptarë. Leximi do t’i bënte më pak inferiorë ndaj armiqve tanë shekulllorë, që, më shumë se krenarët, i përçmojnë ata që ua kthejnë fundin e shpinës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button