Në Tetovë filloi sezoni i “thithjes së helmit”, komuna e papërgatitur, ekspertët: përskeqet pandemia

Qytetarët e Komunës së Tetovës veçmë kanë hyrë në muajt ku thithin ajër të papastër dhe kjo do të ndodhë deri në ngritjen e temperaturave ku ndotja zbutet. Në dhjetë ditët e fundit në Tetovë, grimcat PM-10 kanë kaluar kufirin prej 50 mikrogramëve. Nga Komuna e Tetovës vitin e kaluar premtuan për Portalb.mk se do të angazhojnë më shumë inspektorë ekologjik, megjithatë, vetëm një më tepër e kanë angazhuar. Kështu, mbi 70,000 banorë të këtij qyteti mbrohen nga vetëm 5 inspektorë ekologjik. Për shkak të ajrit të ndotur, virusi qëndron më gjatë në ajër, thotë specialisti Ratko Davidoski nga QSHP, Tetovë, shkruan Portalb.mk.

Çfarë bën Komuna e Tetovës për këtë?

Komunën e Tetovës vazhdimisht janë hartuar dokumente apo strategji me anë të së cilave do të tentohej përmirësimi i cilësisë së ajrit në Tetovë. Megjithatë, këto strategji asnjëherë plotësisht nuk janë implementuar.

Kështu Portalb.mk vitin e kaluar analizoi “Strategjinë e Komunës së Tetovës kundër ajrit të ndotur” dhe rezultoi se nga gjithsej 22 pika që përmbante ky dokument, vetëm pesë ishin realizuar edhe atë pjesërisht.

Informojmë se nuk është realizuar plotësisht asnjë pikë e dokumentit të ri për përmirësim të cilësisë së ajrit nga Komuna e Tetovës. Ky dokument përmban rreth 10 pika.

Për këtë, nga Komuna e Tetovës refuzuan të përgjigjen gazetarit të Portalb.mk.

Në Tetovë gjithashtu ka një prani të madhe të ndotësve që kryejnë vepra penale kundër natyrës, autorët e këtyre të fundit pothuajse asnjëherë nuk janë gjetur që të sanksionohen. Kjo për shkak se në Komunën e Tetovës, si një nga komunat më të ndotura në Maqedoninë e Veriut, të angazhuar inspektor ekologjik ka vetëm 5, vitin e kaluar kishte 4.

Vitin e kaluar, këta katër inspektorë gjithsej kishin sanksionuar 15 ndotës të ajrit dhe ambientit jetësor në territorin e Komunës së Tetovës.

“Aktualisht në Komunën e Tetovës kemi të angazhuar 5 inspektor të ambientit jetësor, paraprakisht kishim vetëm 3 por tani kemi punësuar edhe dy të rinj” thanë nga Komuna e Tetovës.

Nga kjo komunë vitin e kaluar për Portalb.mk pranuan se numri i inspektorëve ekologjik është shumë i vogël dhe thanë se me planin për punësim të vitit në vijim parashikojnë rritjen e numrit të tyre. Kjo nuk ndodhi.

“Është e vërtetë që 4 inspektorë ekologjik janë pak, meqenëse ne jemi koshient për këtë në planin për punësim të vitit në vijim do të parashikojmë rritjen e numrit të tyre. Do të shqyrtojmë edhe variante të tjera për autorizim të kompetencave aty ku nuk do të mund të bëjmë konkurse” thanë nga Komuna e Tetovës në janar të vitit 2019.

Disa nga rastet për të cilat autorët ngelën të pazbuluar, si pasojë e paaftësisë të inspektoratit ekologjik janë djegia e deponisë së Tetovës, djegia e mbeturinave te lagjet “Bllok 70” dhe “Dardania” , djegia e mbeturinave në “Lagjen e romëve”, si dhe shumë tjera të cilat qytetarët vazhdimisht i denoncojnë në “E-report” për arsye se numri i vendosur në webfaqen e Komunës (0800-55-043) për denoncimin e këtyre rasteve, është jofunksional.

Çfarë dëmi ju sjell kjo tetovarëve?

Ratko Davidoski, specialist i ekologjisë shëndetësore në Qendrën për Shëndet Publik të Tetovës kishte deklaruar se përqendrimi i grimcave PM-10 në ajër mund të përkeqësoje gjendjen me pandemisë pasi që virusi korona mund të qëndroje në ajër më shumë se zakonisht, pikërisht për shkak të ajrit të ndotur.

Ratko Davidovski, drejtor i ISHP Tetovë
Ratko Davidovski, drejtor i ISHP Tetovë

“Sezoni i nxemjes filloi duke rritur përqëndrimin e grimcave PM-10 në ajër. Kjo mund ta përkeqësojë gjendjen pasi koronavirusi do të “varet” te grimcat PM-10, sidomos te PM-2,5, dhe do të qëndrojë në ajër më shumë se zakonisht. Kemi të bëjmë me një kombinim të keq pasi PM-10 janë grimca fluturuese, dhe kur kombinohen me temperaturën e ulët dhe nivelin e ulët të lagështisë së ajrit shkaktohet efekti i padëshiruar i “stuhisë perfektë”, thotë Ratko Davidovski, specialist i ekologjisë shëndetësore në Qendrën e shëndetit publik të Tetovës për SDK.

Ndërkaq kërkimet e shkencëtareve të një Universiteti Gjerman, kanë vërtetuar se rreth 15% e viktimave të kovid-19 janë të lidhura me ndotjen e ajrit. Kjo sipas kërkimeve, veçanërisht është për vendet e Azisë Lindore dhe Europës.

“Kur njerëzit marrin frymë me ajër të ndotur, grimca të vogla prej tij depërtojnë përmes mushkërive në enët e gjakut, duke shkaktuar inflamacion dhe stres qelizor. Si rezultat, sipërfaqja e brendshme e arterieve dëmtohet, ato ngushtohen dhe humbin fleksibilitetin. Diçka e ngjashme ndodh kur koronavirusi hyn në të njëjtën mënyrë në organizëm ”, tha Thomas Munzel, një nga autorët e studimit, profesor në Universitetin Gjerman, Johann Gutenberg.

Ndërkaq sipas informacioneve në ueb sajtin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rreth 7 milion njerëz çdo vit vdesin për shkak të ndotjes së ajrit nga substanca të ndryshme të dëmshme.

Ndryshe, kujtojmë se në Tetovë gjatë vitit 2019 ka pasur vetëm 88 ditë kur ajri ka qenë i pastër, për 120 ditë ajri ka qenë i ndotur mbi të lejuarën kurse për 157 ditët tjera nuk janë shfaqur të dhëna.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button