fbpx

Kosova dhe Maqedonia e Veriut diskutojnë për infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore

Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Arban Abrashi ka pritur sot ministrin e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Bllagoj Boçvarski, me të cilin diskutuan ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore më të mirë midis dy shteteve, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Abrashi tha se të dyja shtetet duhet të zhvillojnë qasje që i ndihmojnë ekonomisë dhe njerëzve të të dyja vendeve, që të zhvillohen më mirë, të kenë ekonomi të qëndrueshme dhe të lidhen me rrugë trans-evropiane.

“E para e cila gjithsesi do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme në mes të dy qeverive e cila është me prioritet të lartë, është pika e përbashkët kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo pikë kufitare do të ndikojë që njerëzit dhe bizneset që e shfrytëzojnë këtë rrugë të kenë kohë pritjeje shumë më të shkurtë sesa aktualisht dhe rrjedhimisht do t’i ndihmojë bizneset e të dyja palëve duke u integruar më mirë”, tha Abrashi.

Ai tha se në takim është biseduar edhe për marrëveshje tjera, përfshirë pjesën e mbetur të autostradës Kosovë-Maqedoni e Veriut, një pikë kufitare të re hekurudhore të përbashkët si dhe për fillimin e fizibilitetit të rrugës Prizren-Tetovë dhe pikën kufitare në Strezimir.

Ministri i Transportit të Maqedonisë së Veriut, Bllagoj Boçvarski, në vizitën e tij të parë në Kosovë tha se lidhja rajonale është qëllim i shtetit të tij dhe i Bashkimit Evropian.

Boçvarski shprehu gatishmëri për bashkëpunim me Kosovën, me anë të transportit, për ndërlidhjen e të dy popujve. Duke folur për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup, në pjesën e Maqedonisë së Veriut, ai tha se shpreson që ajo të përfundojë brenda tre viteve.

“Projekti, e gjithë rruga nga Shkupi deri në Bllacë në vendkalimin kufitar është rreth 110 milionë euro. Investimi është nga ana jonë dhe ne do të punojmë në mënyrë të përshpejtuar për një lidhje sa më të shpejt të mundur, sepse këtu kemi bashkëpunim serioz ekonomik midis dy vendeve dhe për këtë arsye do të punojmë në këtë problem”, tha Boçvarski.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti vizitoi javën e kaluar Maqedoninë e Veriut ku tha se me kryeministrin Zaev, janë dakorduar për disa pika, ndër të cilat: Pikën e përbashkët kufitare ku lidhet autostrada Prishtinë-Shkup; Gazsjellësin Shkup-Prishtinë; Rrugën Prizren-Tetovë; Qendër të përbashkët skijimi dhe të tjera çështje të cilat siç tha Hoti “do të diskutohen në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive”.

Mbledhja midis dy qeverive, siç janë dakorduar kryeministrat Hoti dhe Zaev është paralajmëruar se do të ndodhë “sapo të krijohen kushtet epidemiologjike”.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close