RMV, prej sot hyjnë në fuqi masat e reja, për grupim pas orës 22 do të ketë dënime prej 500 euro

Prej sot hyjnë në fuqi masat e reja që u miratuan mbrëmë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Prej sot, është i ndaluar grupimi i më shumë se katër personave pas orës 22, ndërsa dënimi për mosrespektimin e kësaj mase është 500 euro, transmeton Portalb.mk.

Me ndryshimet e miratuara të ligjit për mbrojtje të popullsisë nga sëmundjet infektive, është e patjetërsueshme mbajta e maskës edhe në ambiente të hapura, ndërsa nga kjo masë përjashtohen personat të cilët bëjnë sport në mënyrë aktive, fëmijët nën moshën 6 vjeçare dhe personat me nevoja të posaçme.

Mbajtja e maskës nuk është e nevojshme:

  • Gjatë vozitjes në automjet privat, nëse shoferi është vet apo me ndonjë person me të cilin bashkëjeton;
  • Gjatë qëndrimit në oborr në shtëpinë familjare me persona të të njëjtës shtëpi;
  • Në objekte hotelierike ku zbatohen protokollet specifike për mbrojtje.

Po ashtu, ndalohet grupimi i më shumë se katër personave në hapësirë publike pas orës 22, si dhe vet izolim i patjetërsueshme nga momenti i caktimit të testimit deri në marrjen e rezultateve. Në rast se personi është pozitiv, personi mbetet në izolim.

Për shkelje të nenit nga ligji i cili e rregullon vet izolimin është paraparë dënim prej 50 euro, ndërsa ato të cilët do të grupohen në ambient të hapur do të paguajnë dënim prej 500 euro. Për mos mbajtjen e maskës, dënimi është 20 euro

Me ndryshimet ligjore, rriten kompetencat e inspektorateve, në lidhje me kontrollet e zbatimit të masave të reja, të cilat përfshijnë edhe mbyllje të objekteve hotelierike, nëse nuk i respektojnë protokollet për covid-19.

Me masat e reja është rregulluar edhe mënyra e mjekimit të personave të sëmurë nga covid-19 në spitalet private.

Gjithashtu, vlejnë edhe masat e vendosura paraprakisht, për mbajtje të maskës në transport publik, si dhe vende ku mund të mblidhen më shumë persona në të njëjtën kohë, në institucionet shtetërore, markete, banka, mbajtja e distancës dhe dezinfektim i vazhdueshëm dhe larja e duarve, si dhe respektimi i protokolleve për covid-19.

Me 53 vota PËR, 26 abstenime dhe asnjë kundër, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, mbrëmë miratoi ndryshimet ligjore, që përfshijnë edhe masat e reja. Ndërkaq, në seancën e djeshme, u tërhoq masa për kontroll në shtëpi dhe ndalimi për të ardhur më shumë se 4 mysafirë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button