Shqetësimi që ndjen numri

Ndoshta është herët të flasim për ndonjë situatë të mundshme post-korona në kohë kur sipas të gjitha gjasave po përjetojmë krizën më të madhe lidhur me këtë virus. Numrat e përditshëm janë të tmerrshme dhe situata po eskalon gjithnjë e më shumë në të gjithë botën, në Evropë, dhe tek ne.

Është shumë e rëndësishme që ato shifra të mos i trajtojmë vetëm si numra të thjeshtë që ndonjë ditë bien e ndonjë ditë rriten. Secili numër prej atyre 870 të infektuarve të rinj gjatë ditës së djeshme është një individ i cili që nga momenti i marrjes së rezultatit pozitiv nga testi fillon të ndjejë shqetësim të madh lidhur me atë që do të pasojë gjatë tri javëve të ardhshme në jetën e tij. Ata që e kanë kaluar e dinë fort mirë se ky shqetësim është tmerrësisht i lodhshëm. Bëhet fjalë për sëmundje të pallogaritshme dhe të paparashikueshme, të cilën edhe vetë mjekët tani e mësojnë se si funksionon. Bëhet fjalë për situatë ku dita ditës nuk i ngjan e as individi individit. Te gjithkush reagon ndryshe, zgjat ndryshe, përkeqësohet ose përmirësohet ndryshe. Kjo pasiguri është thelbi i shqetësimit që e përjeton secili nga ata 870 individë. Shqetësimi vjen për shkak se asnjëri prej tyre nuk e di se si do reagojë sistemi i tij imunitar ndaj këtij virusi të paparashikueshëm. Edhe vetë mjekët do ju tregojnë që ka të rinj që përkeqësohen papritur dhe vdesin, ka të moshuar që e kalojnë pa simptoma, ka të moshës mesatare që ditët e para ndihen shumë mirë dhe përnjëherë përkeqësohen, ka dhe të tjerë që vinë në gjendje shumë të rëndë dhe më pas përmirësohen… Askush nuk ka një sqarim të saktë për mënyrën si vepron ky virus dhe për këtë shkak pasiguria është e madhe dhe rrjedhimisht, edhe shqetësimi është i madh. E vetmja rregull është se nuk ka rregulla.

Prandaj, tani që mbajtja e maskës u bë e detyrushme gjithkund, tani që masat e reja po na çojnë ngadalë drejt një realiteti të ri ku shtetet më të mëdha të Evropës tani më veç kanë hyrë, para se të ankohemi e të rezistojmë e të mos i respektojmë masat le të mendojmë së bashku për ata 870 individët që dje dolën pozitivë në test, le të mendojmë për ata disa qindrat që do dalin sot ose nesër, le ta vendosim veten në vendin e njërit prej tyre dhe qoftë edhe prej së largu, le të mundohemi të ndjejmë atë shqetësim që të kaplon atë ditën e parë kur e mer atë rezultat pozitiv, kur papritmas e kupton se asgjë më nuk është e sigurtë dhe gjërat mund të ndryshojnë brenda natës pa ndonjë rregull të qartë. Le të mos harrojmë se nesër, pasnesër, pas një jave ose pas një muaji edhe vet ne ndoshta do të numërohemi bredna atyre 870 personave, edhe ne do jemi një numër në atë statistikë të përditshme dhe do të kërkojmë shërim.

Tani është koha për kujdes dhe për urtësi. Tani është koha kur duhet të përkrahim njëri tjetrin për ta kaluar këtë dimër të vështirë që e kemi para. E më pas, në pranverë, ashtu si të mbijetuarit pas lufte, do i numërrojmë humbjet dhe dëmet. Atëherë ndoshta shoqëria njerëzore do të jetë ndryshe, do të ketë një ekonomi ndryshe, një shëndetësi ndryshe, një arsim ndryshe. Por për këtë do të mendojmë në pranverë. Tani gjithçka që ka rëndësi është ta kalojmë këtë dimër ku ftohtësia e vdekjes na qëndron mbi kokë si shpata e Damoklit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button