Omer Xhaferi dhe Çarshia e Vjetër në Shkupin e Ri

Shkëlzen Halimi
Shkruan: Shkëlzen Halimi

Çarshia e Vjetër e Shkupit është një lokalitet me histori të bujshme, një lokalitet që ka simbolikë të thellë në indin tonë kombëtar dhe një lokalitet që ngjallë shumë emocione. Prej vitesh Çarshia e Vjetër e Shkupit është bërë edhe një metaforë e mungesës së kujdesit institucional, duke u bërë më shumë objekt përfitimesh të ndryshme që zhvillohen në heshtje prapa kulisave politike, krejt kjo për përfitime materiale. Ky lokalitet, që dikur ka qenë zemra e kryeqytetit të Vilajetit të Kosovës, nuk meriton trajtim neglizhues, por, përkundrazi, vëmendjen e përhershme institucionale, sepse është vlerë me peshë të madhe e trashëgimisë sonë kulturore.

Natyrisht, dhëmbit të kohës nuk i shpëtoi as Çarshia. Veç disa objekteve akoma të pa prekura, asgjë nuk ka mbetur nga e kaluara. Pothuaj janë shuar edhe të gjitha zejet që dikur ishin imazhi i vërtetë i kësaj Çarshie, e cila kishte Esnafin e vet dhe i cili Esnaf ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në shumë sfera.

Omer Xhaferi, një nga gazetarët tanë më produktiv të gjeneratës së re, së fundi, përmes librit të tij “Çarshia e Vjetër në Shkupin e Ri”, arrin të na njoftojë me disa nga zejet e mbetur, por që shumë shpejt rrezikojnë të mbyllen përfundimisht. Kështu, Xheferi do të shkruajë për filigranin, për jorganxhinjtë, rrobaqepësit, berberhanet tradicionale, simit pogaçen e famshme, për “Sllogën” që dikur ishte vendi më i frekuentuar, për bojaxhinjtë, për ëmbëlsirat e kështu me radhë. Bëhet fjalë për një libër, përkatësisht për një kronikë nga e kaluara e Çarshisë, e cila në të tashmen rrezikon të mbetet pa perspektivë. Pra Omer Xhaferi ka arritur që të bëjë një portretizim të Çarshisë së Shkupit, e cila sikur është zhveshur nga nocioni “e vjetër”, por që, megjithatë, në thelb akoma ruan sado pak identitetin e vet karakteristik.

“Çarshia e Vjetër e Shkupit të Ri” përmban shumë informacione, të cilat shumëkush as që i ka ditur dhe pikërisht këtu edhe qëndron rëndësia e këtij libri publicistik, të cilin na e sjell Omer Xhaferi, njëri nga të pakt që interesim të veçantë shpreh për këtë lokalitet, por edhe për vendbanimet e njohura shqiptare të Shkupit: Gazi Baba, Serava, Dyqanxhiku e Sahat Kulla. Prandaj, ky libër jo vetëm që do të duhet ta zgjojë interesimin tonë për këtë trashëgimi kulturore, por edhe të nxisë që ta ruajmë nga tendenca e modernitetit, e cila në fakt e zhbën identitetin e vërtetë të Çarshisë së Vjetër. Shpresojmë se Xhaferi do të vazhdojë edhe më tej të depërtojë në thellësitë e historisë së panjohur të Çarshisë së famshme të Shkupit…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button