Mjekimi i pacientëve me Covid-19 do të bëhet vetëm në spitalet shtetërore, ja çka parasheh ligji i ri për mbrojtje nga sëmundjet infektive

Pacientët që janë pozitiv me Covid-19 do të mjekohen vetëm në institutet shëndetësore publike. Spitalet private do të mund të kyçen në trajtimin e të sëmurëve vetëm nëse mbushen kapacitetet e spitaleve shtetërore dhe vetëm në pajtueshmëri me Ministrinë e Shëndetësisë, shkruan Portalb.mk.

Kjo është një ndër ndryshimet kyçe të ligjit për mbrojtje të popullsisë nga sëmundje infektive, për të cilat debatohet sot në Komisionin e Shëndetësisë dhe atë Juridiko-Ligjvënës, pas çka do të kthehen në seancë plenare.

Edhe pse gjatë prezantimit të ndryshimeve ligjore, theksi u vendos në rritjen e kompetencave të inspektorateve, në drejtim të sanksionimit të shkelësve të protokolleve për mbrojtje nga covid-19, me pikën e parë të zgjidhjes së re ligjore, praktikisht, shëndetësia private përjashtohet ngatrajtimi i të infektuarve me virusin e ri, me përjashtime të caktuara të parashikuara në ligj.

Në nenin 28 të këtij ligji, vendosen tre paragrafë të reja të cilët parashohin:

  • Personat e infektuar me korona virus të mjekohen vetëm në institute shëndetësore publike;
  • Me përjashtim, personat e sëmurë nga covid-19, pas indikacioneve mjekësore, mjekohen dhe izolohen edhe në institutet private shëndetësore të cilat kanë leje për kryerjen e veprimtarisë për kujdes intensiv dhe terapi apo në kushte shtëpiake, nëse ka kushte për këtë;
  • Nëse në institutet shëndetësore publike janë të mbushura kapacitetet për mjekim të personave me koronavirus
  • Nëse te personat e pranuar në institutet private shëndetësore, gjatë dhënies së shërbimeve shëndetësore për diagnostifikim, mjekim, trajtim, kujdes dhe rehabilitim në institut konfirmohet prezencë e Sars-Cov-2;
  • Si dhe në raste të tjera (mungesë e punonjësve shëndetësor, bashkëpunëtor shëndetësor dhe të punësuar të tjerë në institutin shëndetësor publik);
  • Pas dhënies paraprake të pajtueshmërisë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, mjekimi i personave mund të kryhet edhe në institutet private shëndetësore të cilët kanë leje për kryerjen e veprimtarisë për kujdes intensiv dhe terapi.

Kujtojmë se, në qershor, Qeveria teknike e Oliver Spasovski, miratoi dekret me fuqi ligjore, me të cilën iu lejua edhe spitaleve private të mjekojnë pacientë me covid-19.

Ndryshimet e tjera ligjore, që ka përgatitur Qeveria përmes Ministrisë së Shëndetësisë, kanë të bëjnë me punën e inspektorateve, të cilët marrin më shumë kompetenca. Po ashtu, parashihen dënime më të larta për persona fizik dhe juridik për shkelje të protokolleve për mbrojtje nga covid-19.

Inspektorët gjatë kryerjes së mbikëqyrjes inspektuese, mund të shqiptojnë ndalesë të përkohshme për kryerje të veprimtarisë në kohëzgjatje prej 10 deri në 30 ditë. Kundër vendimit të inspektorit, mund të dorëzohet ankesë për vendim të shkallës së dytë në afat prej tetë ditësh nga dita e dhënies së vendimit. Ankesa nuk e prolongon ekzekutimin e vendimit.

Sipas paralajmërimeve, gjatë procedurës parlamentare, do të ndërhyhet me amendamente në propozimin e parë për ndryshime të ligjit për mbrojtje nga sëmundje infektive. Në ndryshimet e reja ligjore duhet të vendosen edhe masat e tjera që paralajmëroi Qeveria, me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Infektive, siç është mbajtja e maskës edhe në ambiente të hapura dhe ndalesa për grupim në ambiente të hapura dhe mbledhime të qytetarëve nëpër shtëpi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button