Premtime të mëdha me arka të zbrazëta,si do të fitohet besimi i votuesve?

Premtimet zgjedhore janë një gjë – mundësitë reale për realizimin e tyre janë diçka krejtësisht tjetër. A ka mundësi për realizimin e projekteve për përmirësimin e standardit jetësor në nivel lokal me arka të zbrazëta komunale? Një pjesë e komunave hyjnë në garën zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme lokale me përqindje të papunësisë që, në disa rajone, është edhe më e lartë se sa mesatarja e vendit dhe me shpërndarje jo të barabartë të Prodhimit të brendshëm bruto (PBB).

“Portalb” analizon se si është gjendja ekonomike e qytetarëve nëpër rajone të caktuara.

PBB-JA SIPAS RAJONEVE: MË TË VARFËR JANË QYTETARËT E RAJONIT VERILINDOR DHE ATA TË POLLOGUT

Më i pasur është rajoni i Shkupit, më të varfër janë rajoni verilindor dhe ai i Pollogut, ku Prodhimi i brendshëm bruto as për së afërmi nuk është sa mesatarja e nivelit të shtetit. Kështu, pjesëmarrje më të madhe në krijimin e PBB-së ka rajoni i Shkupit me 43,7%, ndërsa pjesëmarrje më të vogël ka rajoni verilindor me pjesëmarrje prej vetëm 4,4% – parametër ky që tregon se ekonomia në këtë pjesë –  është shuar. PBB më të vogël për krye banori, në krahasim me mesataren në nivel të shtetit, ka rajoni i Pollogut, ku qytetarët kanë standard jetësor që është sa gjysma e mesatares.

Rangimi i PBB-së së rajoneve, në krahasim me mesataren
Rajoni i Shkupit                    +49,0%
Rajoni i Pellagonisë                +6,7%
Rajoni juglindor                      +4,0%
Rajoni jugperëndimor            -26,4%
Rajoni verilindor                    -48,6%
Rajoni i Pollogut                    – 53,2%

As investimet nuk janë të shpërndara në mënyrë të barabartë. Të dhënat flasin për atë se më së paku investohet në rajonin verilindor, jugperëndimor, atë të Pellagonisë dhe të Pollogut.

PAPUNËSIA: Punë presin mbi 52 mijë shqiptarë

Edhe pse në nivel të Maqedonisë, përqindja e papunësisë është 30,6 %, megjithatë analiza tregon se në disa komuna dhe rajone të caktuara, ajo është më e lartë. Sipas statistikës zyrtare të Agjencisë për punësim, numri i qytetarëve të papunësuar  të nacionalitetit shqiptar, në nëntor ka qenë 52.201, prej të cilëve 35.589 burra dhe 16.612 gra… Sipas papunësisë, si numër absolut, shqiptarët e papunësuar janë në vendin e dytë, menjëherë pas maqedonasve… Nëse analizohet për nga aspekti i përqindjes, nga numri i përgjithshëm i të papunësuarve në vend, që sipas të dhënave nga Agjencia për punësim është 245.122 persona,  21,2 % janë shqiptarë… Me çfarë përqindjesh të papunësisë, kandidatët për kryetarë komunash në zgjedhjet e ardhshme lokale do të përpiqen ta ruajnë ose ta fitojnë besimin e votuesve? Analiza krahasuese tregon se në komunat me popullatë dominante shqiptare, të cilat udhëhiqen nga kryetarë komunash që janë deleguar nga blloku politik shqiptar –  përqindje më të lartë të papunësisë kanë qytetarët e nacionalitetit shqiptar. Numër më të madh të të papunësuarve ka në komunën e Tetovës – ku ka mbi 16 mijë njerëz të papunë, pastaj vjen Shkupi dhe në vendin e tretë Kumanova.

Numri i shqiptarëve të papunësuar sipas komunave/qyteteve
Tetova                    16.118
Shkupi                    13.958 
Kumanova                7.934
Gostivari                   5.327
Kërçova                    2.295
Dibra                        1.395

Ekspertët dyshojnë se autoritetet lokale mund ta ndryshojnë këtë fotografi të shpërndarjes jo të barabartë dhe joproporcionale të Prodhimit të brendshëm bruto, të investimeve dhe të papunësisë.

“Duke pasur parasysh nivelin e decentralizimit fiskal dhe problemet me të cilat ballafaqohen autoritetet lokale, veçanërisht ato në mjediset rurale (probleme financiare, kadrovike, hapësinore), atëherë është joreale të pritet se pushteti lokal mund t’i zgjidhë problemet kryesore jetësore të popullatës lokale. Numri më i madh i njësive të vetëqeverisjes lokale, akoma ballafaqohen me borxhe të trashëguara, ndërsa lartësia e të ardhurave burimore, si dhe mjetet nga dotacionet nga buxheti qendror, nuk janë të mjaftueshme as për t’i mbuluar harxhimet e punës së përditshme.

Prandaj, është iluzore të pritet se, me nivelin aktual të të ardhurave (decentralizimi fiskal), autoritetet lokale do të mund të bëjnë diçka më tepër në nxitjen e zhvillimit ekonomik lokal, e me këtë edhe ta përmirësojnë standardin jetësor të popullatës.” – konsideron profesori universitar Semi Bislimi.

Profesori u rekomandon kandidatëve për kryetarë komunash që të mos japin shumë premtime – të cilat nuk do të mund t’i përmbushin…

“Konsideroj se janë të arsyeshme kërkesat e autoriteteve lokale për pjesëmarrje më të madhe të autoriteve lokale në të ashtuquajturat tatime të përbashkëta, si dhe rritje të pjesëmarrjes në burimet e tjera të të ardhurave, të cilat në këtë moment janë të ardhura burimore të pushtetit qendror. Prandaj, konsideroj se bartësit e propozuar të funksioneve në pushtetet lokale, para zgjedhjeve lokale mund të premtojnë çdo gjë që do t’ua lejojë ndërgjegja, por premtimet janë një gjë, ndërsa mjetet materiale dhe financiare me të cilat disponojnë njësitë e pushtetit lokal, sipas dispozitave aktuale ligjore, konsideroj se janë njëra nga arsyet për mosrealizimin e asaj që është premtuar.” – përfundon Bislimi.

Madje edhe pas katër vitesh, në përfundim të mandatit të kryetarëve të komunave, qytetarët në një numër komunash akoma presin zgjidhje për problemet elementare – ndërtimin e rrugëve, kanalizimin, ujësjellësin, shkollën.

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button