Nesër do të zhvillohet takim mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, temat kyçe financat dhe çështjet e pronës

Zyra për media e kryeministrit të Kosovës ka njoftuar se nesër do të zhvillohet takim mes Kosovës dhe Sërbisë në Bruksel, ku do të diskutohet për zgjidhjen e pretendimeve financiare dhe çështjet e pronës, njofton Portalb.mk.

“Temë e diskutimit do të jetë zgjidhja e pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve. Me ndërmjetësimin e emisarit Lajçak, në takimin e nesërm, delegacionet do të vazhdojnë diskutimin e filluar në takimin e kaluar rreth kësaj çështjeje”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Me ftesë të Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, delegacioni i Kosovës, do të përfaqësohet nga Koordinatori Shtetëror Skender Hyseni, i cili sot ka udhëtuar për në Bruksel, ku nesër pritet të zhvillohet takimi i radhës me delegacionin nga Serbia.

Ky takim,  fillimisht ishte paraparë të zhvillohej në fund të muajt shtator, por ishte shtyrë për shkak të masave parandaluese kundër pandemisë së koronavirusit.

Njëra nga arsyet e shtyrjes së takimit ishte edhe refuzimi i Kosovës për të biseduar rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe për të cilën kishte insistuar Serbia.

Emisari i BE-së Miroslav Lajçak i cili ndërmjetëson takimet mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë një vizite në Kosovë dhe Serbi para dy javësh kishte deklaruar se dy vendet duhet të konsiderojnë ndryshimin e kushtetutës nëse duan të arrijnë marrëveshje ndërkombëtare për ta përfshirë atë në rendin ligjor dhe kushtetutes

Raundi i fundit i bisedimeve në nivel të lartë, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është zhvilluar më 7 shtator, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, paraprakisht më 4 shtator, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, marrëveshje që nuk përfshinte pikën e shumëpërfolur të njohjes reciproke.  Gjatë kësaj ceremonie i pranishëm ka qenë presidenti amerikan, Donald Trump, i cili është bërë dorëzan i ujdive të nënshkruara nga Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button