RMV, masat e propozuara parashikojnë që pacientët me Kovid-19 sipas nevojës të trajtohen në spitale private

Përfshirje e mundësisë që pacientët me Kovid-19 të trajtohen në institucionet private të kujdesit shëndetësor dhe dënime të reja për mosrespektimin e masave kundër përhapjes së infeksionit, parashikohen në Projekt-ligjin për ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse, i cili do të diskutohet sot nga Komisioni Shëndetësor në Kuvend. Megjithëse situata me Kovid-19 në vend po përshkallëzohet, ky projektligj është dashur të presë disa javë që deputetët ta votojnë, kjo kryesisht për shkak të opozitës maqedonase VMRO-DPMNE, të cilët bllokuan miratimin e këtij ligji në disa mënyra, shkruan Portalb.mk.

Në dokument thuhet se personat e infektuar me korona virus detyrimisht trajtohen në institucionet shëndetësore publike, por gjithashtu me përjashtim ata mund të trajtohen dhe izolohen edhe në spitalet private.

“Nëse në institucionet shëndetësore publike plotësohen kapacitetet për trajtimin e personave të infektuar me korona virus, nëse te personat e pranuar në institucionet shëndetësor private gjatë marrjes së shërbimeve shëndetësore për diagnostikimin, shërimin , trajtimin, kujdesin dhe rehabilitimin në institucion përcaktohet prania e korona virusit në organizmin e tyre, si dhe në raste të tjera (mungesa e punëtorëve shëndetësorë, bashkëpunëtorëve shëndetësorë dhe punonjësve të tjerë në institucionin shëndetësor publik, etj.), me pëlqimin paraprak të Ministrisë së Shëndetësisë, trajtimi i personave mund të kryhet në institucionet shëndetësore private që kanë licencë për të kryer veprimtarinë e kujdesit intensiv dhe terapisë”, thuhet në projektligj.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu gjoba të ndryshme për mosrespektimin e masave për përhapjen e infeksionit në varësi të madhësisë së personit juridik.

“Gjobë në shumën prej 2,500 deri në 3,000 euro në kundërvlerë denari për mikro tregtarët, gjobë në vlerë prej 5,500 deri në 6,000 euro në kundërvlerë denari për tregtarët e vegjël, gjobë në vlerë prej 17,500 deri 18,000 euro në kundërvlerë denari për tregtarët e mesëm dhe  gjobë në vlerë nga 25,000 deri në 30,000 euro në kundërvlerë denari për tregtarër e mëdhenj do të shqiptohet për shkeljet nga personat juridik që veprojnë në kundërshtim me masat në përputhje me nenin 58 të këtij ligji”, thuhet në projektligj.

Në të parashikohet  edhe gjobë në vlerë prej 750 euro në kundërvlerë denari për tregtarë të vetëm, si dhe një gjobë në shumën prej 250 euro në kundërvlerë denari për personin fizik i cili nuk do të respektojë masat.

Në kuvendin e Maqedonisë së Veriut, dy komisionet që duhet të debatojnë për  ndryshimet e ligjit për mbrojtjen popullsisë nga sëmundjet infektive kanë caktuar seancë për ditën e sotme. Komisioni për Shëndetësi ka paralajmëruar seancën, ku në rend dite është ky ligj, diskutimi për të cilin ka filluar në orën 11:00, ndërkaq në orën 13 pritet që për ndryshimet e këtij ligji të debatohet në Komisionin Juridiko-Ligjvënës, me procedurë të shkurtuar – leximi II.

Pasi të përfundojë debati në këto dy komisione, ligji do të kthehet sërish në seancë plenare.

Me 60 vota për dhe 32 të përmbajtur dhe asnjë kundër, Kuvendi dje miratoi nevojën për sjelljen e ligjit për mbrojtje të popullsisë nga sëmundje infektive, me procedurë të shkurtuar. Në seancë mori pjesë grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni, si dhe partitë e tjera opozitare.

Ndryshimet e ligjit papraprakisht ishin paralajmëruar që të jenë në seancën e 20 tetorit, por kjo pikë u hoq nga rendi i ditës, sepse VMRO-DPMNE kërkoi kohë t’i shqyrtojë. Me ndryshimet e reja, mbajtja e maskës do të jetë e domosdoshme në ambiente të hapura, ndalohet grupimi në ambiente të hapura pas orës 22 dhe lejohen vetëm 4 mysafirë nëpër shtëpi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button