RMV, Mbaroi debati në Komision, sonte pritet të fillojë seanca në Kuvend për ndryshimet e Ligjit për mbrojtje nga sëmundjet infektive

Në një ambient të tensionuar, me përplasje kush çfarë ka bërë dhe nuk ka bërë për shëndetësi, kërkesë për dorëheqje të ministrit, Venko Filipçe dhe pa fokus thelbësor në amendamente, është zhvilluar sot debati në Komisionin për Shëndetësi në Kuvend, transmeton Portalb.mk

Në orët e pasdites, në Komision kaluan ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet ngjitëse, ndërkohë nuk u pranuan dy amendamente nga opozita. Sonte pritet të fillojë seanca plenare për miratimin e këtij Ligji në Kuvend.

Për Ligjin, që miratohet me procedurë të shkurtër dhe ndryshimet e të cilit kanë lidhje me masat për përballje me virusin korona, deputetët e shumicës në pushtet parashtruan pesë amendamente, ndërsa amendamente kishin edhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Një pjesë e amendamenteve ishin pranuar nga propozuesi.

Anëtarët e Komisionit paradite debatuan edhe për refuzimin që të nënshkruhet borxhi nga Banka Botërore për spitalet për Kovid, por edhe për mungesën e komunikimit mes pushtetit dhe opozitës për masat për virusin korona, ndikimin e ndotjes së ajrit që këto ditë gjithnjë e më shumë po rritet dhe akuzat për moskujdes nga ana e pushtetit

Në këtë komision duhej të rregulloheshin amendamentet për ndryshim të ligjit për mbrojtje të popullsisë nga sëmundjet infektive, para se të shkoj për votim në seancë plenare. Me këto ndryshime, qytetarët duhet të mbajnë maskë edhe në ambiente të hapura, përveç nëse nuk janë duke bërë sport apo nëse nuk janë vet në veturë.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së kërkojnë përgjegjësi nga Filipçe, pasi mendojnë se masat janë të vonuara dhe nuk do të japin rezultat.

“Është normale të kërkojmë dorëheqje, keni 1000 të vdekur, kot ngjitni etiketa “dëgjojeni Venkon”, ne flasim për krizë shëndetësore. Masat janë të vonuara, nuk do të japin rezultat. Duhej më herët t’i miratonit masat kur furnizoheshit me apetisan bajame dhe hapnit fabrika për marihuanë. Pse të sëmurët kronik shkojnë në punë, nëse e dimë se vdekshmëria mes tyre është më e madhe”, tha deputeti Petar Ristevski nga VMRO-DPMNE, duke shtuar se kjo parti kërkon të formohet komision i ri për sëmundje infektive, pasi nuk janë të kënaqur nga ai aktual.

Ministri i Shëndetësisë i është përgjigjur deputetit Ristevski se mëkati i vetëm nga Shkupi 2014 është zvarritja e debatit për ligjin.

“Ju jeni deputeti i vetëm që nuk mbani maskë këtu gjatë gjithë seancës dhe ju flisni për masat. Nuk mbani maskë këtu gjatë tërë seancës. Pacientët kronik janë plotësisht të mbrojtur. Në fillim të gjithë nuk shkonin në punë, ndërsa me deklaratë nga specialist 6 muaj janë të liruar”, tha Filipçe.

Ai shtoi se masat janë të rekomanduara nga të gjitha vendet e BE-së dhe nga OBSH dhe aty implementohen.

“Sipas procedurave të Kuvendit Komisioni duhej të përfundonte deri në fillim të seancës, por nuk ka përfunduar. Unë në tërësi i kuptoj vendimet politike në partitë dhe organet partiake, por ta kuptoni se Kuvendi punon sipas procedurave dhe Rregullores”, theksoi Talat Xhaferi.

Ndryshimet e ligjit papraprakisht ishin paralajmëruar që të jenë në seancën e 20 tetorit, por kjo pikë u hoq nga rendi i ditës, sepse VMRO-DPMNE kërkoi kohë t’i shqyrtojë. Me ndryshimet e reja, mbajtja e maskës do të jetë e domosdoshme në ambiente të hapura, ndalohet grupimi në ambiente të hapura pas orës 22 dhe lejohen vetëm 4 mysafirë nëpër shtëpi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button