Pas vrasjes së një njeriu me ngjyrë nga policët në Filadelfia, kanë shpërthyer protesta të dhunshme (VIDEO)

Qindra demostrues dolën në rrugë në SHBA pas vrasjes së një 27 vjeçari afrikano-amerikan. Kjo shkaktoi trazira dhe përplasje me policinë. Policët në shtetin amerikan të Pensilvanisë qëlluan për vdekje një person me ngjyrë, që mbante një thikë. Incidenti është regjistruar në video me celular. Në video dëgjohet se si policët i kërkojnë një burri që të hedhë thikën. Kur burri, i identifikuar si Walter Wallace shtyn të ëmën dhe vrapon në drejtim të policëve, ata hapin zjarr. Wallace, i qëlluar nga disa plumba, rrëzohet përtokë, shkruan DW, transmeton Portalb.mk.

Mbas incidentit qindra demostrues dolën në rrugët e Filadelfias. Ata kritikojnë policët që nuk u munduan të qetësonin situatën. Demostruesit u përplasën me policinë. Katër policë janë lënduar pasi janë qëlluar me tulla, njofton stacioni televiziv NBC. Një police ka thyer gjurin, pasi është përplasur me një kamionçinë.

Mbrëmë u zhvillua nata e dytë e protestave.

Kryetari i Bashkisë së Filadelfias, Jim Kenney deklaroi lidhur me incidentin: “Unë e pashë videon e këtij incidenti tragjik. Ai ngre shumë pyetje të vështira, që presin të marrin përgjigje”. Shefja e policisë, Danielle Outlaw premtoi, se do të zhvillohen hetime të plota të rastit, “për të sqaruar shumë pyetje që kanë mbetur pa përgjigje”.

Ka muaj që në SHBA zhvillohet një diskutim për dhunën e policisë kundër personave me ngjyrë. Pikënisja kishte të bënte me vdekjen më 25 maj të 46 vjeçarit, George Floyd. Ai humbi jetën gjatë një aksioni të policisë, pasi një polic e mbajti përtokë duke i vënë gjurin në fyt. Vdekja e tij shkaktoi demostrata në shumë qytete në SHBA dhe në vende të tjera, drejtuar kundër racizmit dhe dhunës policore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button