fbpx

NJERËZ TË NDRYSHËM, DHEMBJE TË NJËJTA

Refugjatët u përkasin kombeve, religjioneve, kulturave dhe qytetërimeve të ndryshme; jetojnë në hapësira e kohë të ndryshme; flasin gjuhë të ndryshme, por i kanë të njëjtat dhembje e zhgënjime.

Jeta shkruan romane të dhimbshme me fatkeqësinë e tyre. Aty kemi protagonistë që vuajnë, antagonistë çnjerëzorë dhe njerëz solidarë, që shfaqen në çastet më të pashpresa.

Refugjati, siç e thonë edhe konventat ndërkombëtare, është i larguari ose i dëbuari nga vendi i tij për shkak të frikës së arsyeshme për jetën. Ai është larguar ose dëbuar shkaku i përkatësisë së tij racore, kombëtare, fetare, shoqërore ose bindjeve politike.

Refugjati rrugëton pa adresë, kurse në këtë rrugëtim, zakonisht, e humb emrin dhe bëhet pjesë statistikash.

Për fatkeqësinë e refugjatit flet edhe dokumentari i metrazhit të gjatë, “Përvoja të njëjta, këndvështrime të ndryshme”, me regji të Senad Abdulit, i realizuar nga “Arnel Production”.

Në këtë dokumentar fatkeqësia e refugjatit rrëfehet sipas këndvështrimit të një boshnjakeje, që ishte strehuar në një familje shqiptare; të një shqiptari nga Kosova, që e kishte varrosur gruan në një katund shqiptar dhe të një siriani, që kishte shpëtuar falë solidaritetit të njerëzve të thjeshtë nga Maqedonia e Veriut.

Regjisori, pa ndërhyrje, ua mundëson dëshmitarëve që të rrëfejnë fragmente të trishta nga jeta e tyre. Nëpërmjet rrëfimeve (apo dëshmive) del në pah egërsia e sistemeve shtetërore, që nuk i njohin vlerat njerëzore, por edhe humanizmi i njerëzve të thjeshtë, të cilët bëhen mbështetje ose shpëtimtarë për refugjatët derisa i përjetojnë çastet më të vështira dhe më të pashpresa.

Dëshmitarët, që rrëfejnë për një pjesë të trazuar dhe të dhimbshme të jetës së tyre, më shumë se sa për dhunën, flasin për solidaritetin njerëzor. Flasin për ata që ua ofruan më të domosdoshmen në çastet e mbijetesës: shpëtimin, shpresën, ngrohtësinë. I kujtojnë ata që ua kthyen besimin për jetën dhe ua mbrojtën dinjitetin njerëzor.

Refugjatët, që kanë humbur njerëz të dashur, që kanë humbur atdhetë dhe shtëpitë, kanë gjetur “familje” dhe shtëpi të reja. Kanë gjetur një botë me pamje njerëzore. Megjithëkëtë mbështetje, sërish duan të kthehen në Itakat e tyre.

Dokumentari na shtyn të mendojmë për vlerat më të larta njerëzore. Të bësh mirë asgjë nuk kushton. Çmimi i mirësisë nuk peshohet me asnjë vlerë monetare. Jeta ka vlerë kur ushqehet nga burimet e dashurisë dhe mirësisë.

Ky dokumentar është himn mbi humanizmin, mbi aktet solidare për njerëzit që nuk i njohim, por i shohim dhe i trajtojmë si njerëz. Është himn për respektin ndaj “tjetrit”, që është i ndryshëm nga ne, por në fakt është i njëjtë me ne, vetëm se i vendosur në situatë ekstreme jetësore, kur jetën dhe vdekjen i ndan një fije kashte.

Ata që dëshmojnë në këtë dokumentar arrijnë që, nëpërmjet tragjikes personale, ta paraqesin edhe tragjedinë  kolektive. Fatet e dëshmitarëve prej vendeve të ndryshme janë universale. Ata na japin mesazhin e thjeshtë dhe domethënës: kemi të drejtë të jetojmë si njerëz, ndonëse ka që na privojnë nga kjo e drejtë, por ka edhe njerëz anonimë e shpirtgjerë, që me aktet e tyre i lartësojnë vlerat më të mëdha njerëzore e hyjnore.

Ky dokumentar, si çdo vepër tjetër që e lartëson humanizmin dhe solidaritetin, në këtë botë që çdo ditë e humb fytyrën njerëzore, duhet të vlerësohet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close