fbpx

Fushata Trump përqendrohet tek emailet e Hunter Biden në betejën për presidencën

Presidenti Trump, i cili renditet pas rivalit demokrat Joe Biden në anketat e opinionit, po shfrytëzon emailet që kanë dalë kohët e fundit, të cilat thuhet se janë dërguar nga djali i ish-nënpresidentit Biden. Presidenti i ka cilësuar emailet “supriza e tetorit” dhe shpreson se do ta ndihmojnë në garën presidenciale. Zëri i Amerikës shpjegoi se si dallojnë emailet nga “surpriza të mëparshme të tetorit”.

Këtë muaj, fushata e Presidentit Trump bëri publike emaile të paverifikuara që tha se ishin dërguar nga Hunter Biden, djali i ish-nënpresidentit dhe kandidatit aktual demokrat për president Joe Biden. Emailet çojnë në përfundimin se Hunter mund të jetë paguar nga kompania energjetike ukrainase, Burisma e cila kërkonte trajtim të veçantë nga i ati, në kohën kur ishte nënpresident.

Në debatin e javës së kaluar, presidenti ia ngriti këtë temë zotit Biden:

“Emailet, ato emaile skandaloze, paratë pa fund që po fitonit ti me familjen. Joe, ti ishte nënpresident kur po ndodhnin këto gjëra,” tha presidenti.

Zoti Biden i ka hedhur poshtë akuzat për korrupsion dhe i ka cilësuar si taktikë për të larguar vëmendjen.

Joe Biden kandidat demokrat për president

“Ai i thotë gjithë këto broçkulla me një qëllim të caktuar. Sepse nuk do të flasë për tema thelbësore,” tha zoti Biden.

Fushata Trump po përqëndrohet në komunikimet e Hunter Bidenit shumë pranë ditës së zgjedhjeve.

“Në këtë moment të fushatës, nuk ka mbetur shumë kohë prandaj çfarëdo municioni që ke në dispozicion, sado i pafuqishëm, do ta përdorësh,” thotë politologu Mark Jones.

Fraza “surpriza e tetorit” u përdor për herë të parë në 1980 duke iu referuar përpjekjeve të fshehta të Presidentit Jimmy Carter për të negociuar lirimin e pengjeve në Iran para zgjedhjeve. Bisedimet me iranianët dështuan dhe zgjedhjet i fitoi rivali republikan, Ronald Reagan.

Në 2016 pati dy “surpriza të tetorit” gjatë garës me zotit Trump dhe zonjës Clinton: një regjistrim me zërin e zotit Trump, ku bënte komente të ndyra për gratë, si dhe rihapja e hetimeve të FBI-së mbi përdorimin e një serveri privat nga zonja Clinton për shkëmbimin e informacionit sekret.

Por këtë radhë akuzat nuk gëzojnë kredibilitet të plotë, pasi ka zëra se Rusia ka ndihmuar për të zbuluar emailet e përfolura të Hunter Bidenit, si dhe për arsye të përpjekjeve të zotit Trump në të kaluarën për t’i bërë presion Ukrainës të zbulonte të palara për rivalen e tij demokrate, të cilat u bënë shkak për procesin për shkarkimin e tij të mundshëm. Po ashtu kanë tërhequr vëmendje artikujt mbi shumën tepër të vogël që ka paguar presidenti në taksa, ndërkohë që fitonte miliona dollarë në Kinë.

“Nuk kanë arritur t’u japin hov pikëpyetjeve mbi kandidaturën e zotit Biden që t’i bëjnë sadopak të krahasueshme me kaosin dhe problemet që kanë dalë me presidencën aktuale,” thotë politologia Lara Brown.

Këtë radhë “Surpriza e tetorit” mund të rezultojë njoftimi që Presidenti Trump u infektua me koronavirus, gjë që e ka sjellë përsëri në qendër të vëmendjes temën e pandemisë vdekjeprurëse.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close