RMV-ja mes dy skenareve të mundshme për aderim në BE, ekspertët: Ka shumë punë!

Nga shpallja e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut në vitin 1991, institucionet shtetërore u shprehen qartazi se anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian është një nga interesat kryesore strategjike. Sot që flasim, shtetet e BE-së në mars votuan hapjen e negociatave për anëtarësim të RMV-së në këtë union. Studiuesi për çështje evropiane Ivan Nikolovski konsideron se në një skenar optimist, shtetit do ti nevojiten së paku 7 vite negociata me BE-në deri në anëtarësim. Nga ana tjetër, ekspertja Albulenë Halili, konsideron se në qoftë se punët shkojnë siç duhet shteti do të jetë anëtar i plotfuqishëm i BE-së në vitin 2030 ndërkaq për skenarin pesimist, ekspertët përmendin mosmarrëveshjet me fqinjët, çështjet e brendshme, marrëveshjen e Ohrit, etj, shkruan Portalb.mk.

Sipas studiuesit në Qendrën për Integrime Evropiane pranë Institutit për Demokraci, Ivan Nikolovski, në qoftë se konferenca ndërkombëtare e paraparë të mbahet në dhjetor realizohet, negociatat pritet të fillojnë menjëherë atë muaj. Si problematikë, ai foli për mosmarrëveshjen me Bullgarinë dhe tentimeve të shtetit për zgjidhjen e këtij problemi, i njëjti shtoi se Bullgaria ka të drejtë që të bllokoje miratimin e kornizës negociuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

“Republika e Maqedonisë së Veriut momentalisht është në pritje të kornizës definitive negociuese nga ana e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Në qoftë se kjo ndodhë në nëntor, pritet që konferenca e parë ndërkombëtare të mbahet në dhjetor dhe me këtë negociatat për anëtarësim zyrtarisht të fillojnë.

Ivan Nikolovski, studiues i integrimeve evropiane pranë Institutit për Demokraci.
Ivan Nikolovski, studiues i integrimeve evropiane pranë Institutit për Demokraci.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ekziston mosmarrëveshje nga ana e Bullgarisë në lidhje me gjuhën maqedonase, si çështje historike, që përbën një mosmarrëveshje shumëvjeçare mes Shkupit dhe Sofies, ndërsa si pyetje përmbahet në pozicionin kornizë të cilën parlamenti bullgar e votoi vitin e kaluar, si dhe në memorandumin shpjegues të Bullgarisë shteteve tjera anëtare, të publikuar muajin e kaluar.

E drejta e tyre si shtet anëtarë të bllokoje miratimin e kornizës negociuese për RMV-në ekziston. Në lidhje me këtë, Maqedonia e Veriut, sipas deklaratave të fundit të kryeministrit Zoran Zaev dhe zëvendësit të tij Nikola Dimitrov, i kanë definuar vijat e kuqe në raport me gjuhën, gjegjësisht nuk është pranuar sugjerimi që gjuha maqedonase të adresohet thjeshtë si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Në lidhje me historinë, ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani, përkrahë intensifikimin e punës së komisioneve për çështje historike dhe bën thirrje deri te historianët që të tentojnë të gjejnë një gjuhë më të butë në lidhje me rolin e Bullgarisë në Luftën e dytë botërore” tha Ivan Nikolovski për Portalb.mk.

Nikolovski shtoi se deklaratat e Zaev për atë se nuk është e nevojshme një marrëveshje e re me Bullgarinë janë por vetëm një deklarim që obligon shtetet të mos përzihen në punët e brendshme të shteteve përkatëse janë paradoksale, për shkak se sipas tij, këtë e obligon vetë kushtetuta si dhe marrëveshja paraprake për fqinjësi të mirë si dhe NATO.

“Kryeministri Zaev konsideron se nuk është e nevojshme një marrëveshje e re me Bullgarinë, mirëpo se mund të nënshkruhet një deklarim me anë të së cilës Maqedonia e Veriut obligohet që nuk do të përzihet në punët e brendshme të Bullgarisë dhe se nuk do të rrezikoje integritetin e tyre territorial. Kjo deklaratë nuk është e qartë marrë parasysh se Maqedonia e Veriut edhe në kushtetutën e vete si aktin më të lartë, si dhe në marrëveshjen për fqinjësi të mirë, obligohet se nuk do të përzihet në punët e brendshme dhe integritetet territoriale të shteteve tjera, gjegjësisht Bullgarisë.

Për më tepër, me anëtarësimin e vendit në NATO, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë të obliguara në mbrojtje të përbashkët gjë që qëndrimin e tillë të Zaev e bën të jetë paradoksal. Përveç çështjeve të identitetit, në planin e brendshëm, Maqedonia e Veriut përballet me sfidën e vendosjes të një strukture profesionale dhe të qëndrueshme negociuese, rezistente edhe ndaj ndryshimeve në qeveri. Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Dimitrov tha se Maqedonisë së Veriut do ti nevojiten 3000-4000 ekspert të cilët përmes kontributit të tyre në negociatat, do të përgatitin shtetin të jetë shtet i barabartë i unionit” shtoi Ivan Nikolovski, studiues në Qendrën për Integrime Evropiane pranë Institutit për Demokraci.

Ndërkaq në pyetjen se kur Maqedonia e Veriut në një skenar optimist mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, ai tha “Është mosmirënjohëse të folët për afate se kur vendi do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian, marrë parasysh faktorët e panumërt të cilët ndikojnë në këtë. Gjithsesi, nga aspekti teknik, në pajtueshmëri me metodologjinë e re negociuese. Maqedonia mund të përfundoje negociatat në një hapësirë kohore prej 7 vitesh”.

Ndërkaq sipas ekspertes të marrëdhënieve ndërkombëtare Albulenë Halili, në një skenar optimist shteti do të ishte anëtarë i plotfuqishëm i Bashkimit Evropian më vitin 2030, në rast të zgjidhjes së çështjeve të cilat sipas Halilit, e pengojnë shtetin në rrugën drejt BE-së.

Albulenë Halili
Albulenë Halili

“Skenari optimist, 2030. Në skenarin optimist shoh zgjidhjen e çështjeve të brendshme të cilat e pengojnë procesin e anëtarësimit në BE, siç janë: zbatimi i dispozitave legjislative të harmonizuara sipas Aquis Communitaire, forcimi i demokracisë dhe sundimi i së drejtës, reforma gjyqësore, reforma e administratës publike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtja e të drejtave themelore, liria e shprehjes, reformat në sferën ekonomike e kështu me radhë” theksoi Albulenë Halili.

Ndërkaq në një skenar pesimist, Halili nuk jep datë konkrete, megjithatë, arsyet pse mund të arrihet deri në këtë skenar sipas saj janë dy, implementimi i marrëveshjes së Ohrit dhe marrëdhëniet e vendit me fqinjët.

“Së pari, implementimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, edhe pse theksohet në secilin dokument të Komisionit Evropian, si parakusht për anëtarësim në BE, kujtoj që është i tejkaluar. Marrëveshja e Ohrit përfaqëson një dokument të nënshkruar pas përfundimit të një konflikti, para pothuajse dy dekadave dhe krejtësisht në një tjetër mjedis politik e gjeopolitik, të cilës aq më tepër i ka skaduar afati i implementimit. Kjo marrëveshje është burimi i të gjitha marrëzive që rrjedhin nga koncepti non sens i popullit 20%. Në të drejtën ndërkombëtare është e njohur klauzola rebus sic standibus e cila bën që një marrëveshje të jetë e pazbatueshme për shkak të ndryshimeve fundamentale të rrethanave.

Dhe së dyti, pengesat që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me fqinjët, apo zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara, me Greqinë për emrin, dhe me Bullgarinë, për fqinjësi të mirë. Në rastin e parë kemi dy faktorë kushtëzues për zbatimin e saj: kundërshtimin e fuqishëm të opozitës maqedonase, por edhe të një shumice të konsiderueshme të popullit maqedonas, pra mungesën e kohezionit të maqedonasve dhe mohimin e elementit shqiptar në këtë marrëveshje. Ndërkaq, në rastin e dytë kemi të bëjmë me pengesat e paralajmëruara nga fqinji tjetër, Bullgaria, për çështjet e kontestueshme të gjuhës, identitetit dhe historisë maqedonase. Këtyre pengesave do t’ua shtoja edhe pengesën e tretë, atë serbe, që lidhet me kishën, e cila mund të lajmërohet në rast se Serbia anëtarësohet në BE përpara Maqedonisë së Veriut” shtoi Halili.

Portalb.mk përgatiti një infografik për rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.

Çfarë duhet të bëje një shtet që të pranohet në Bashkimin Evropian?

Në Traktatin për Bashkimin Evropian thuhet qartë se çdo vend i Evropës ka të drejtë të aplikoje për anëtarësi në këtë union.

Megjithatë, për anëtarësim ka disa kushte dhe kritere që shteti i cili synon anëtarësimin duhet të i plotësoje, në vitin 1993 këto kritere janë kthyer në dokument gjatë samitit të liderëve të BE-së në Kopnhagë, kësisoj të njëjtat quhen kritere të Kopenhagës dhe janë:

  1. Politike: Vendi duhet të ketë institucione stabile, institucione të cilat funksionojnë në bazë të demokracisë, forcës së ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së pakicave.
  2. Ekonomike: Shteti duhet të ketë kapacitet për tu përballur me konkurrencën dhe fuqitë e tregut të Bashkimit Evropian.
  3. Marrja përsipër e obligimeve të anëtarësimit: Paralelisht me anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, vendi do të ketë shumë obligime të cilat do të duhet të jetë i aftë për ti kryer.

Ndryshe, me datë 6 tetor Komisioni Evropian publikoi raportin e progresit për Maqedoninë e Veriut ku në mes të tjerash thuhet se vendi është mesatarisht i gatshëm për reforma në gjyqësor, administratën publike,  luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të gjitha këto fusha kyçe për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button