Mariçiq në takim-online me eurokomesarin e Drejtësisë Rejnders: Të gjitha reformat do të realizohen në koordinim të afërt me BE-në

Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, sot nëpërmjet një video lidhjeje e ka realizuar takimin e parë zyrtar me eurokomesarin për Drejtësi, Didie Rejnders, në të cilën është diskutuar për eurointegrimet e Maqedonisë së Veriut dhe reformat në fushën e sundimit të së drejtës dhe gjyqësorit, njofton Portalb.mk.

Ministri Mariçiq ka theksuar se përskaj të gjitha telasheve, pret që konferenca e parë ndërqeveritare për fillim zyrtar të bisedimeve me BE-në të mbahet deri në fund të vitit 2020, dhe se ai proces ndjeshëm do të ndikojë në zhvillimin e Maqedonisë së Veriut dhe ritmin e reformave në të gjitha fushat. Sipas ministrit, raporti pozitiv i Komisionit Evropian, paraqet argument të fuqishëm dhe mjaft arsye se pse vendi duhet që t’i fillojë zyrtarisht bisedimet deri në fund të vitit, nën udhëheqësinë gjermane.

Në mbledhje, Mariçiq e ka riafirmuar gatishmërinë e tij dhe përkushtimin që të gjitha proceset reformuese të Kapitullit 23: Gjyqësor dhe të Drejtat Themelore të bëhen në koordinim të afërt dhe partneritet me BE-në dhe nën llupën e Brukselit.

Ministri ka informuar se është filluar proces gjithëpërfshirës me takime dhe komunikim intensiv me të gjitha palët e përfshira në gjyqësor, si Këshilli Gjyqësor, Këshilli i Prokurorëve Publik, gjykatat dhe prokuroritë, por edhe odat relevante, me qëllim të koordinimit dhe harmonizimit përpara reformave të parashikuar në gjyqësor.

Mariçiq theksoi se në periudhën e ardhshme do të fokusohet në realizimin e misionit mandatues dhe do të iniciojë politika për rritjen e standardeve profesionale, përgjegjësisë dhe transparencës në gjyqësor dhe prokurori.

Njëkohësisht, ministri informoi se ai është përkrahës i fuqishëm për përforcimin e pavarësisë financiare dhe kapaciteteve të gjyqësorit dhe prokurorisë dhe pret rritje të ndjeshme të buxhetit të tyre, me çka do të krijohen kushte më të mira për luftë më efikase dhe më efektive kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button