30% e të testuarve në Tetovë kanë rezultuar pozitiv me virusin korona, 205 për një javë

30% e personave që janë testuar për praninë e virusit kovid-19 në Tetovë kanë rezultuar pozitiv, deri tani janë kryer rreth 2000 teste në këtë rajon, kështu informoi sot shefja e departamentit të epidemiologjisë në Tetovë, Suzana Subashiq. Ndërkaq e njëjta nuk u pajtua me propozimin e Shtabit të Krizës së Komunës së Tetovës që mësimdhënësit të punojnë nga shtëpia, thotë se nuk ka nevojë për diçka të tillë. Rreth 20 mësimdhënës në Tetovë aktualisht janë pozitiv me kovid-19, shkruan Portalb.mk.

Gjatë stinës së verës përqindja e personave që rezultonin pozitiv nga tërësia e testeve të kryera për një ditë ka qenë 7%, ky numër tani është rritur jashtëzakonisht shumë, vetëm javën e kaluar në rajonin e Tetovës 205 persona kanë rezultuar pozitiv me kovid-19.

Suzana Subashiq, epidemiologe.
Suzana Subashiq, epidemiologe.

“Qyteti i Tetovë si dhe ky rajon aktualisht gjenden në fazën e rrezikut të lartë, në një fazë të transmetimit të lartë të virusit. Javën e kaluar numri i të sëmurëve u dyfishua. Në rajonin e Tetovës javën e kaluar janë regjistruar rreth 205 të infektuar të ri. Ndërkaq gjatë verës testet pozitive i kishim 7%, tani situata është përkeqësuar shumë. Numrat janë rritur për dy here më shumë kështu që këtë periudhë përqindja e të infektuarve është e njëjte si në nivel shtetëror, nga të gjitha testet e kryera, 30% rezultojnë pozitiv” tha sot Suzana Subashiq, shefe e departamentit të epidemiologjisë në QSHP, Tetovë.

Ajo shtoi se aktualisht ka kllastere familjare, që do të thotë se virusi më së shumti shpërndahet brenda mes anëtarëve të familjes. Kësisoj, Subashiq vlerëson se nuk duhet të ketë mbyllje të tregjeve në Tetovë.

“Në këtë moment kemi kllastere familjare, shpërndarjen e virusit brenda në familje. Nuk duhet të mbyllen tregjet mirëpo njerëzit të respektojnë masat, të mbahen maska në të hapur kur fluksi i njerëzve është i madh” tha epidemiologia Suzana Subashiq.

Ndërkaq dje nga Shtabi i Krizës së Komunës së Tetovës propozuan që mësimdhënësit mësimin online ta zhvillojnë nga shtëpia, gjegjësisht duke mos shkuar në objektet shkollore, marrë parasysh se një numër i madh i punonjësve të arsimit janë pozitiv me kovid-19.

“Shtabi i krizës gjithashtu rekomandon që procesi mësimor online të cilin arsimtarët dhe profesorët tani e zhvillojnë nga objektet shkollore, të njëjtin ta vazhdojnë ta bëjnë nga shtëpitë e tyre” deklaruan dje nga Komuna e Tetovës.

Për këtë, epidemiologia Suzana Subashiq thotë se nuk ka nevoje për një gjë të tillë, e njëjta potencoi se rastet e mësimdhënësve të cilët rezultojnë pozitiv me kovid-19 janë individuale dhe nuk ka kllastere në shkolla.

“Ka raste pozitive në arsim. Mirëpo raste pozitive ka më shumë te të rriturit se sa te fëmijët, deri tani nuk kemi klastere në shkolla, as te mësimdhënësit e as te nxënësit. Nuk ka kllastere as në çerdhe as te të punësuarit e as fëmijët. Deri tani rastet janë kryesisht individuale. Disa profesor, kujdestar, mësues janë vendosur në izolim, deri në momentin e shërimit. Kllaster nuk ka. Mendimi im personal është se ky sepse më pyetët çka mendoj si eksperte, mendoj se mund të vazhdojnë të paktën deri tani, për më tutje na ngelet të shohim”  shtoi Suzana Subashiq.

Ndërkaq nga Qendra Klinike në Tetovë informuan se deri më sot nuk ka probleme për sa i përket kapaciteteve të shtretërve si dhe personelit mjekësor që është në shërbim të qytetarëve.

Ndryshe, Qendra për Shëndet Publik nga fillimi i pandemisë (për tetë muaj) ka realizuar gjithsej 8000 teste për kovid-19, nga këta, rreth 2000 persona kanë rezultuar pozitiv në rajonin e Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button