Protesta të dhunshme në Itali kundër masave restriktive ndaj pandemisë Kovid-19 (VIDEO)

Në Itali kanë shpërthyer protestat pas vendosjes së masave kundër përhapjes së pandemisë Kovid-19. Mijëra protestues dolën të hënën në disa vende dhe qytete italiane duke shfaqur zemërimin e tyre, ndonjëherë me dhunë, për kufizimet e fundit ndaj pandemisë. Masat e reja janë reagim i qeverisë ndaj infeksioneve në rritje të COVID-19 të cilat kanë sjellë frikë se spitalet mund të mbingarkohen, shkruan Euronews, transmeton Portalb.mk.

Me maskat mbrojtëse në fytyrë, pjesëmarrësit denoncuan dëmet në ekonomi dhe në vende pune si pasojë e krizës epidemike dhe reagimit politik.

Në qytetin verior të Torinos, disa demonstrues u shkëputën nga turma e protestuesve paqësor, duke thyer xhamat e dyqaneve, duke lëshuar bomba tymi dhe duke hedhur shishe ndaj policisë në sheshin kryesor të qytetit ku është e vendosur qeveria rajonale e Piemontes, raportoi Televizioni shtetëror RAI.

Një fotograf u plagos nga një shishe e hedhur, tha televizioni RAI. Policia lëshoi gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në Piazza del Castello. Disa njerëz thuhet se u arrestuan.

Në të njëjtin shesh, orë më parë, rreth 300 taksi u rreshtuan në mënyrë paqësor për të tërhequr vëmendjen për humbjet e tyre ekonomike. Gjithashtu edhe në Milano u përdor gaz lotësjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërsa dhunë u raportua gjithashtu në Napoli.

Tramvajet u vandalizuan, koshat u dogjën, skuterët u përmbysën dhe disa dritare u thyen. Shishe dhe bomba tymi u hodhën mbi forcat e sigurisë të cilët u përgjigjën me gaz lotsjellës.

Në jug, u raportuan gjithashtu përplasje midis grupeve të të rinjve dhe policisë në Napoli, ku mijëra njerëz kërkuan dorëheqjen e kreut të rajonit të Kampania.

Qytetet më të vogla, përfshirë Katanian në Sicili dhe qytete të tjera gjithashtu protestuan të hënën. Në Kremones, një qytet në Lombardinë veriore, pronarët e restoranteve dolën përpara zyrës së ministrisë së brendshme lokale. Pasi goditën tenxheret, ata i lanë të grumbulluar në rrugë për të nxjerrë në pah problemet e tyre ekonomike të përkeqësuara nga dekreti i fundit i mbylljes së hershme, tha agjencia e lajmeve ANSA.

Bizneset e vogla thonë se ata janë ende duke u rikuperuar nga ky bllokim i parë dhe se më shumë kufizime mund t’i falimentojnë ato.

Demonstratat filluan menjëherë pas hyrjes në fuqi të vendimit të qeverisë, për të mbyllur restorantet, baret, palestrat dhe kinemat.

Shumë rajone kanë vendosur gjithashtu ndalimin e qarkullimit në orët e natës – duke përfshirë Lombardinë, ku gjenden qytetet e Milanos, Piemontes dhe Torinos.

Në Milano, turmat brohorisnin “Liri, liri, liri!” ndërsa u përleshën me policinë në qendër të qytetit. Protestat u zhvilluan edhe në Romë, Gjenovë, Palermo dhe Triestë.

Italia ka pasur një izolim të plotë në fillim të vitit, pasi ka qenë njëri ndër vendet më të goditura nga pandemia. Rastet e të infektuarve me koronavirus sërish kanë shënuar rritje gjatë javëve të fundit.

Kufizimet parashikojnë gjithashtu që 75 përqind e klasave në shkollat e mesme dhe universitete të zhvillohen online. Sipas mediave italiane, qeveritë rajonale kanë kërkuar që mësimi të kalojë plotësisht në distancë, por një lëvizje e tillë është kundërshtuar nga ministrja e arsimit Lucia Azzolina.

Autoritetet shëndetësore italianë kanë raportuar gjatë 24 orëve të fundit 17,012 të infektuar të rinj. Ndërkohë, është rritur numri i vdekjeve. Këtë të hënë u regjistruan 141 humbje jete. Në total, numri i viktimave në Itali ka arritur në 37.479.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button