Tetovë, për një muaj 61 dënime për transportuesit ilegal, Komuna nuk ka zgjidhje për to

Në mungesë të transportit publik në Tetovë, ne këto dhjetë vitet e fundit funksionojnë transportuesit privat. Edhe pse këta të fundit veprimtarinë e tyre e realizojnë ilegalisht, të njëjtit janë shumë të nevojshëm për qytetarët e fshatrave përreth dhe sidomos studentët. Një prej tyre për Portalb.mk tha se nuk i del llogaria të regjistrojë biznesin e tij, të paguajë taksa shtesë. Ndërkaq, për vetëm 30 ditë autoritetet policore në Tetovë kanë dënuar 61 prej tyre, shkruan Portalb.mk

Pse ky lloj transporti?

Banorët e fshatrave përreth Komunës së Tetovës dhe sidomos studentët si shpëtim të vetëm për sigurimin e transportit të tyre viteve të fundit kanë pasur furgonat të cilët në çdo moment janë të pranishëm në secilin cep të qytetit.

Këta automjete zakonisht nuk janë të sigurta nga ana teknike dhe janë shumë të rrezikshme për përhapjen e virusit korona, marrë parasysh faktin se janë të vogla dhe distanca fizike mes pasagjerëve është e pamundur. Megjithatë, është e vetmja zgjidhje për banorët e Tetovës.

“Jetoj në një fshat jo shumë afër Tetovës, ku edhe studioj. Jo, nuk kemi transport publik i cili do të kishte orare fikse, zgjohem çdo mëngjes dhe dal në rrugë pres furgon në mënyrë që të arrijë në ligjërata në kohë, ka raste kur vonohem për shkak se nuk është përshtatur orari i mjetit transportues me atë të ligjëratave, gjithashtu, dimrit është ftohtë, presim jashtë, jo vetëm unë po ka shumë student tjerë si puna ime”, kishte deklaruar student Fisnik Xhelili javë më herët për Portalb.mk.

Çfarë thonë shoferët e furgonëve?

Foto nga kombi me të cilin udhëtojnë çdo ditë studentët.
Foto nga kombi me të cilin udhëtojnë çdo ditë studentët.

Shoferët e furgonëve ilegal të Tetovës janë në gjendje të përballen çdo ditë me dënime nga ana e policisë mirëpo jo edhe të regjistrojnë bizneset e tyre. Një prej tyre i cili dëshiroi të qëndroje anonim, tha se ka dhjetëra dënime në shtëpi dhe nuk planifikon të regjistrojë biznesin e tij.

“Më kanë dënuar shumë shpesh, në shtëpi kam plot dënime por nuk i paguaj dhe nuk e kam ndërmernd të regjistroj biznesin tim. Shteti në momentin që na dënon për mos regjistrim duhet të siguroje që kur të regjistrohemi, të na del llogaria, jo gjithë fitimin të ja japim shtetit” tha njëri prej tyre.

Çfarë bën policia?

Ndërkaq Portalb.mk siguroi numrin e dënimeve që janë shqiptuar kundrejt këtyre shoferëve, nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) në Tetovë theksuan se këta sanksione janë ndërmarrë në bashkëveprim me departamentin e krimit ekonomik dhe kundrejt këtyre shoferëve, janë përgatite padi adekuate.

“Që nga fundi i muajit të kaluar (shtator-tetor), Sektori për Punë të Brendshme-Tetovë, ndër të tjera, ka ndërmarrë aktivitete të intensifikuara të kontrollit në transportin publik të udhëtarëve, i cili përfshin autobusë ndërqytetës dhe lokalë, furgonë dhe taksi të udhëtarëve.

Në tridhjetë ditët e kaluara në rajonin Tetovë-Gostivar, u zbuluan dhe sanksionuan ligjërisht gjithsej 61 automjete (TE-50 dhe GV-11), të cilat kryenin transport publik pa licencat përkatëse. Në bashkëveprim me Departamentin e krimit ekonomik, për të gjithë janë përgaditë padi adekuate penale sipas nenit 284 A, të Kodit Penal dhe do të përballen me sanksionet e parashikuara monetare dhe të tjera” theksoi Fatmir Rexhepi nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB), Tetovë.

Çfarë zgjidhje ka ofruar Komuna e Tetovës?

Nga Komuna e Tetovës nuk kanë ofruar zgjidhje adekuate të këtij problemi, të njëjtit vazhdojnë të premtojnë për sigurimin e pesë autobusëve, edhe atë nga viti 2013.

Rikujtojmë se javën e kaluar Portalb.mk siguroi dokumentin e Komunës së Tetovës ku ishin përcaktuar gjithsej 40 vendndalesa për autobusët e premtuar.

LEXO: Në Tetovë janë caktuar mbi 40 vendndalesa, por autobusë ende nuk ka

Ndërkaq është anuluar procedura për prokurimin publik të pesë autobusëve në Komunën e Tetovës, të cilët premtohen tash 9 vite nga kryetarja Teuta Arifi, marrë parasysh se kjo e fundit është në fund të mandatit të saj të dytë. Arsyeja për anulim është “mungesa e ofertuesve që plotësojnë kushtet”.

LEXO: Tetovë, procedura për sigurimin e autobusëve përsëri në pikën 0, ja pse

Premtimin për transportin publik në Tetovë, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi e dha në mandatin e saj të parë në Programin për zgjedhje lokale të vitit 2013 “Ndërtojmë së bashku“,  ndërsa të njëjtën e përsëriti dhe në debatin e organizuar nga “BIRN Kosovë” dhe “Portalb.mk” në tetor të vitit 2017. Ky premtim i Arifit nuk është realizuar. 

Teuta Arifi kryetare e Komunës së Tetovës (Foto: Arbnora Memeti)
Teuta Arifi kryetare e Komunës së Tetovës

Të njëjtin premtim, Arifi e dha një konferencë për shtyp e dha 1 ditë para vitit të ri 2020, ku sipas të cilës të gjitha dokumentacionet për furnizimin e Tetovës me pesë autobusë janë kryer, dhe se prokurimi i tyre pritej të bëhet në fund të muajit janar.

“Kemi siguruar mjete nga banka botërore prej 72 milion e gjysmë denarë për furnizim me pesë autobusë për ndërmarrjen e transportit publik, dëshiroj të ju informoj se dje nga Ministria e Financave na është dërguar marrëveshja për ta nënshkruar kontratën dhe fillimin e procedurave për prokurimin e autobusëve. Sipas kësaj siç janë duke shkuar punët, mendojmë se në janar mund të fillojmë procesin e prokurimit të këtyre pesë autobusëve” tha Teuta Arifi me datë 30.12.2019.

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës në shtator të këtij viti për herë të dytë e ka themeluar ndërmarrjen për transport publik “Tetova Transport”, pasi e para nuk ka arritur të vihet në funksion dhe e njëjta ka pushuar së vepruari automatikisht shkaku i afateve ligjore për funksionalizim të së njëjtës, kurse në mbledhjen e fundit të Këshillit Komunal, u votua edhe statuti i kësaj ndërmarrje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button