Ulja e temperaturave rikthen ndotjen e ajrit në Maqedoninë Veriut

Me rënien e temperaturave dhe afrimin e stinës së dimrit, në Maqedoninë e Veriut e në veçanti në Shkup dhe disa qytete tjera, rikthehet ndotja ajrit, që së bashku me pandeminë e koronavirusit dhe viruset tjera sezonale, paraqesin shqetësim edhe më të madh për banorët, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Ndotja e ajrit veçmë ka nisur të shfaqet në disa nga zonat e kryeqytetit, ku banorët pranojnë se si lëndë të parë për djegie përveç druve përdorin edhe goma e material tjetër helmues.

“Nuk kemi asgjë, as shporet për ngrohje, as derë të shtëpisë, nuk kemi as ndihma sociale, askush nuk na ndihmon, prandaj jemi të detyruar të gjindemi kush si mundet. Për ngrohje përdorim gjithçka, që nga gomat, shishet e plastikës e gjësende tjera për të ngrohur shtëpinë që është pothuajse e rrënuar”, thotë Selma Ahmet, një banore e Komunës së Shutkës në Shkup.

Kryeqendra e Maqedonisë së Veriut, Shkupi, por edhe Tetova, në tre viteve të fundit kanë qenë në krye të listave botërore sa i përket ndotjes së ajrit, respektivisht pranisë së grimcave PM-10, shumë herë mbi normat e lejuara.

Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, thotë se beteja kundër ndotjes së ajrit nuk mund të ndodhë brenda natës meqë sipas tij në të kaluarën shumë pak është bërë për mbrojtjen e ambientit jetësor. Ai thotë se për dallim nga e kaluara, janë arritur rezultate, por që nuk janë të mjaftueshme për një mjedis të pastër.

“Si rezultet i disa masave që kemi ndërmarrë e që janë të karakterit strategjik, janë gjithsej 27 masa (transporti urban, ndalimi i përdorimit të lëndeve helmuese për ngrohje, masat për fabrikat ndotëse, kujdesi për mbeturinat…) por që kërkojnë më shumë kohë për tu zbatuar, megjithatë krahasur me dy vitet e kaluara, kemi ulje të ditëve të ndotura gjatë sezonës së dimrit. Ne kemi një kurs të qartë, beteja do të jetë e vështirë, por jam i bindur se do t’ia arrijmë qëllimit që të sigurojmë ajër të pastër dhe ambient të shëndosh për popullatën dhe për të gjithë ne që kemi marrë përgjegjësi për zgjidhjen e këij shqetësimi, por edhe të shumë problemeve tjera”, ka deklaruar Shilegov.

Shoqatat ambientaliste ndërkohë thonë se autoritetet shumë pak kanë bërë në drejtim të masave për uljen e nivelit të ndotjes, në veçanti pas paraqitjes së pandemisë duke u arsyetuar se gjoja për shkak të sëmundjes COVID-19 kanë qenë të penguar në marrjen e masave më serioze.

“Edhe para COVID-it nuk kanë punuar me kapacitete të plota dhe është lehtë të gjenden arsyemtime shkaku i pandemisë, por mendoj se është mirë të gjejnë mënyra dhe jo arsyetime për të parandaluar djegien e deponive, ndotjen e ajrit, pasi ndonjëherë ndotja e ajrit i ndihmon përhapjes së virusit”, thotë Arianit Xhaferi nga shoqata “Eco Guerila”.

Ai me rëndësi e konsideron angazhimin e qeverisë dhe të organeve përgjegjëse të investojnë më shumë në ruajtjen e mjedisit jetësor, sidomos në mënyrën e ngrohjes së më shumë institucioneve, që në vend të mazutit, druve e thëngjillit, si lëndë djegëse për ngrohje të përdorin gazin natyror ndërsa fabrikat e shumta ndotëse të instalojnë filtra industrial.

Disa nga aktivistët ekologjikë, ndërkohë theksojnë nevojën e ndërgjegjësimit të popullatës mbi nevojën e ruajtjes së ambientit.

“Pas pandemisë të gjithë ne duhet të ndryshojmë qasjen ndaj resurseve natyrore, të shfrytëzohen në bazë të nevojave tona dhe jo t’i shkatërrojmë. Pas pandemisë si asnjëherë më parë duhet të vijë në shprehje ngritja e përgjegjësisë individuale ndaj mjedisit. Pra, së pari duhet të ketë ndërgjegjësim personal pastaj edhe ndërgjegjësim nga bërtësit e institucioneve, të cilët duhet të kenë gjithashtu barrën kryesore dhe të ofrojnë zgjidhje konkrete për mbrojtjen e ambientit”, tha Elena Damova, ambientaliste.

Sipas raportit të fundit të Agjencisë evropiane të mjedisit, ndotja e ajrit mbetet rreziku më i madh ekologjik ndaj shëndetit në Maqedoninë e Veriut. Sipas listës së publikuar mbi vdekjet në vendet e rajonit dhe të Evropës, Maqedonia e Veriut renditet e 30-ta me 120 vdekje në 100 mijë banorë.

Por, analiza e agjencisë tregon se në 90 për qind të vdekjeve të lidhura me ndotjen janë sëmundje jongjitëse pasi kanë të bëjnë kryesisht me kancerin, sëmundjet kardiovaskulare, e sëmundje tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button