fbpx

Kombi shqiptar përballë sfidave të reja për mbijetesë

Nëse e mban nën sundim e robëri një popull, e qeveris përmes agjentëve dhe mercenarëve vendës, apo e shpërngul në masë në botën e jashtme, rezultati është i njëjtë për pretendimet, synimet dhe interesat e vendeve të huaja armike.

Agjenturat e fshehta, përmes filialeve të tyre në trojet etnike shqiptare edhe sot shërbejnë si makina për bluarjen e qenies kombëtare të banorëve shqiptarë vendës, me tendenca për zhbërjen e kombit dhe shkatërrimin e shteteve shqiptare.

Përvoja nga e kaluara

Ja pse shumë shqiptarë për nga prejardhja, rrënja, gjuha dhe gjaku, kanë lënë gjurmë në historitë dhe kulturat e popujve të tjerë, e jo të popullit të tyre:
– sepse jo të gjithë shqiptarët kanë pasur mundësi ta sigurojnë ekzistencën në vendin e tyre, të jetojnë apo shkollohen në gjendje të rëndë sundimi dhe robërie të huaj;
– në mungesë të shkollave në gjuhën amtare pjesa dërmues e shqiptarëve kanë mësuar në shkolla të huaja dhe në gjuhë të tjera, nga shkollat fillore në vendlindje, në gjuhën turke, serbe, greke apo bullgare, si edhe jashtë vendit në shkolla të huaja;
– shumica e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë i kanë marrë mësimet e para edhe në shkolla fetare në gjuhë të huaja, ku u është mbjellë e kultivuar dashuria për fetë, kulturat dhe gjuhët e huaja;
– vetëm familjet e pasura apo të privilegjuara nga pushtetet e huaja kanë pasur mundësi që fëmijët e tyre t’i shkollojnë jashtë vendit, ku nën ndikimin e kulturave të huaja edhe kanë përqafuar ide filozofike e politike të reja, që shpeshherë kanë mundur t’u shërbenin vetëm interesave të huaja, jo edhe interesave të kombit që i takojnë;
– gazetat dhe revistat në gjuhën shqipe gjithmonë kanë qenë të pakta dhe shpeshherë të paarritshme për secilin shqiptar që dinte shkrim e lexim, ose që ka shfaqur ndonjë prirje për krijimtarie letrare, artistike apo shkencore;
– në periudhën e formimit të identiteteve kombëtare dhe të shteteve të reja ballkanike, ideja themelore e gati secilit person të shkolluar ka qenë dalja nga robërie e popujve, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike;
– element parësor në jetën patriarkale të shqiptarëve ka qenë bindja fetare dhe më pak ajo kombëtare;
– shqiptarët deri vonë nuk kanë pasur as shtypshkronjat e tyre për shtypjen e librave, revistave dhe gazetave në gjuhën amtare;
– shqiptarët në vendin e tyre, deri në rënien e Perandorisë Osmane nuk kanë pasur, ose më saktë, u është ndaluar hapja e shkollave në gjuhën amtare;
– gjendja e rëndë në vendlindje pak kujt i ka dhënë shpresë se një ditë edhe shqiptarët do ta gëzonin të drejtën për krijimin e shtetit të tyre, pavarësisht nga rezistenca e vazhdueshme, luftërat dhe sakrificat e mëdha të tyre kundër sunduesve të huaj dhe interesave të Fuqive të Mëdha;
– ekzistencën e tyre një numër i madh i shqiptarëve e kanë siguruar në mërgim, në vende kryesisht sipas përkatësisë fetare të tyre, në shtetet ku ata e ndjenin veten të lidhur me së paku një element të jetës së tyre dhe të traditës fetare në familje; shqiptarët ortodoksë kryesisht kanë mërguar në Greqi, Serbi, Rusi, Bullgari, Rumani, Ukrainë dhe vende të tjera, ndërsa shqiptarët e besimit islam, në Turqi, Egjipt, Liban, Siri dhe vende të tjera, e shumë më pak në vendet me popullsi të besimeve të tjera fetare.
– fetë kanë luajtur rol tepër të rëndësishëm në jetën e shqiptarëve, si edhe ndër shumë popuj të tjerë, në mungesë të shtetit të tyre, që do t’u siguronte ekzistencë, siguri dhe ardhmëri më të sigurt e të begatshme;
– shtetet e huaja, sidomos ato fqinje, shqiptarëve të dalluar u siguronin edhe privilegje, për t’i bërë për vete dhe që t’u shërbenin interesave të atyre shteteve.

Shqiptari sot ndjehet më i huaj në vendin e tij se në botën e jashtme

Njeriu në radhë të parë është qenie biologjike, sociale dhe psikologjike, më pastaj qenie politike me përbërës etnikë, me veçori të veçanta dhe të dallueshme nga të tjerët. Kështu, një pjesë e madhe e shqiptarëve në mërgim kanë krijuar identitete të reja sociale, disa madje nga vendet e huaja në vendin e tyre kanë sjellë me vete edhe fëmijë, nga martesa të përziera me kombësi, besime fetare dhe raca të tjera. Një pjesë tepër e madhe e shqiptarëve kanë mbetur përgjithmonë në vende të huaja, janë asimiluar përgjithmonë. Në bazë të analizave dhe statistikave del se numri i shqiptarëve të asimiluar në vendet e huaja, përgjatë gjithë historisë, është shumë më i madh se numri i banorëve shqiptarë të mbetur në trojet e veta etnike, sidomos në Turqi, Egjipt, Siri, Ukrainë, Rusi, Bullgari, Iran, Egjipt, Greqi, Itali, Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, në shtetet evropiane, Amerikë dhe Australi, ku një pjesë e shqiptarëve edhe sot e ndjejnë dhe afirmojnë përkatësinë e tyre etnike shqiptare dhe të të parëve të tyre. Paradoksi është i madh, që një pjesë e shqiptarëve edhe sot më tepër ndjehen të diskriminuar e të shtypur në atdheun e tyre, nga regjimet jodemokratike e jokombëtare, si edhe në trojet e veta etnike të mbetura nën sundime të huaja në shtetet fqinje, se sa në botën e jashtme.

Zgjimi dhe rizgjimi kombëtar janë procese të domosdoshme për mbijetesën e popujve

Në rrethana të këtilla, një pjesë e madhe e shqiptarëve kanë arritur edhe majat në pushtetet e vendeve të huaja, në politikë, diplomaci, ushtri dhe jetën shoqërore e kulturore të tyre, deri në kryeministra, ministra të jashtëm dhe diplomatë të dalluar, kryekomandantë të ushtrive dhe gjeneralë të famshëm, shkrimtarë dhe studiues që kanë lënë emër e famë në arsimin, shkencën, kulturën dhe letërsinë e popujve dhe vendeve të tjera, ndërkohë që vendi i tyre ka vazhduar të dergjet nën robëri të huaj dhe në pellgun e prapambetjes e injorancës.

Asnjë njeri që ka arritur famë në një vend tjetër, në periudhën para formimit të kombeve dhe të shteteve etnike, nuk do ta dëshironte identifikimin e vetvetes me një popull dhe vend të lënë në mjerim e injorancë, për aq më tepër kur me një popull tjetër e kanë lidhur edhe bindjet dhe tradita e veta fetare.

Kështu, sipas burimeve historike, shqiptarët gjatë historisë më tepër kanë luftuar mes vete, për interesa fetare dhe të pushteteve, të vetët dhe të huaj, se sa për interesat kombëtare, për krijimi dhe mbrojtjen e shtetit dhe të trojeve të veta etnike. Këtë e dëshmojnë viktimat e panumërta të shqiptarëve edhe në luftërat e huaja; mes Perandorisë Osmane dhe Rusisë, mes Perandorisë Osmane dhe Greqisë, si dhe në luftërat ballkanike mes popujve vendës, ku në të dyja anët e frontit gati gjithmonë ka pasur shqiptarë me përkatësi të ndryshme ideologjike dhe fetare. Si ndodhi që shqiptari të luftojë kundër vëllait të tij për interesa të huaja fetare dhe të pushtetit? Këtë shpjegim duhet ta japin studiuesit, duke i analizuar hollësisht dëmet që ua kanë sjellë shqiptarëve ideologjitë e huaja fetare dhe politike. Një tendencë e këtillë vazhdon të përhapet edhe sot mes shqiptarëve, e kultivuar për gjatë kohë nga propaganda komuniste dhe rrjetet fetare ekstreme, sidomos të islamit politik dhe të ortodoksisë fanatike. Shembull tipik për ilustrimin e kësaj analize janë raportet mes shqiptarëve të krishterë (ortodoksë) të asimiluar në sllavë dhe vëllezërve të tyre të gjakut, shqiptarët e besimit islam (pjesa fanatike e manipuluar nga propaganda dhe shërbimet e huaja sekrete), në Maqedoni, Kosovë, Serbi, Mal të Zi, Greqi dhe Shqipëri.

Fatkeqësitë individuale dhe fatkeqësia kolektive

Lakmia për famë, pasuri dhe pushtet është fatkeqësi individuale, ndërsa ndasitë dhe përçarja në baza ideologjike, fetare, krahinore, klanore dhe politike janë fatkeqësi kolektive.
Ja cili ka qenë ndikimi tepër negativ i këtyre ndasive dhe përçarjeve mes shqiptarët, sidomos dallimet fetare dhe gjendja e rëndë ekonomike e sociale në vend, deri në zgjimin e një pjese më të madhe të shqiptarëve me fillimet e lëvizjes së Rilindjes Kombëtare.

Nga këtu buron madhështia dhe përkushtimi për kombin dhe vendin e rilindësve shqiptarë, të cilëve përjetësisht duhet t’u jemi mirënjohës ndër breza, meqë pa programin, idealet dhe përkushtimin e tyre, shqiptarët edhe sot do të ishin në errësirë dhe nën sundime të huaja, madje do të ishte në pikëpyetje të madhe edhe mbijetesa e shqiptarëve si komb i veçantë, në pamundësi të krijimit të shtetit kombëtar të tyre.

Përkushtimi individual dhe dobësia e qenies njerëzore

Jo të gjithë njerëzit janë të interesuar për ndryshime, reforma dhe progres të përgjithshëm; jo të gjithë njerëzit janë të gatshëm ta shkëmbejnë interesin e tyre personal, dijen dhe pasurinë personale për të mirën e përgjithshme; jo të gjithë njerëzit reflektojnë njësoj në bazë të rrethanave që ua imponon koha; jo të gjithë njerëzit kanë qenë në anën e mbarë të historisë, përkrahës të ndryshimeve shoqërore dhe rënien e pushteteve jodemokratike dhe antikombëtare; jo të gjithë kanë punuar, kanë dashur dhe e kanë pritur rënien e Perandorisë Osmane, më vonë të ish-regjimit komunist ndër shqiptarët, rrënimin e ish-Jugosllavisë dhe hapjen e proceseve demokratike në ish-shtetet e bllokut socialist dhe në viset shqiptare. Por, fatkeqësia e shoqërive në transformim është se gati gjithmonë dhe në të gjitha këto shtete në pushtetin e ri demokratik janë ngritur sërish mbeturinat e atyre regjimeve të mëparshëm, me strategji të veçantë dhe të ndihmuar nga agjenturat e huaja, të vendeve që nuk ua duan të mirën shqiptarëve, si dhe popujve të tjerë liridashës.

Domosdoshmëri për ndryshime të thella në jetën shoqërore dhe përkushtimi për kombin e shtetin

Pse këto shpjegime janë të nevojshme edhe sot? Për faktin se drejtuesit e shtetit, klasa politike dhe intelektuale shqiptare sot, jo më pak është në rrugë të mbrapshtë e katandisje përballë ndikimeve të huaja, të cilat qenien shqiptare gati sa e kanë shndërruar në qenie biologjike dhe makinë që lëviz mbrapshtë; andej nga i vinë burimet e interesit, jo andej nga duhet t’i përmbushin detyrimet ndaj kombit dhe shtetit që i takojnë. Kësaj radhe, shtetet e huaja nuk pretendojnë t’i arrijnë këto qëllime nga qendrat e tyre si dikur, nga Stambolli, Moska, Beogradi, Athina, Sofja apo vende të tjera, por përmes filialeve të tyre të hapura anekënd hapësirës etnike shqiptare, dhe fatkeqësisht me shumë sukses vazhdojnë ta bluajnë dalëngadalë qenien shqiptare dhe ta shtrijnë ndikimin e tyre në trojet tona etnike, gati të virgjëra në shfrytëzimin e pasurive dhe begative që Zoti ua ka falë shqiptarëve në atdheun e tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close