Xhaferi: Kuvendi duhet t’i përshtatet kushteve të reja të punës – çka nëse ka tërmet?

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, duke komentuar vërejtjet e Komisionit Evropian për numrin e madh të ligjeve që janë miratuar me procedurë të shkurtuar, tha se është më mirë që Kuvendi të merr vlerësim më të dobët për shkak të procedurave të shkurtuar, sesa shteti të kishte pasoja në lidhje me anëtarësimin në NATO dhe fillimin e negociatave qasëse, transmeton Portalb.mk.

“Në atë drejtim, mendoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur. Nëse do të shkohej sipas procedurës së rregullt nuk do të mundej të arrihet që të përfundojë me të gjitha ato procedura që të përmbushen parakushtet për atë që ndodhi dhe është fakt se në vitin 2020 u bëmë anëtare e plotë e NATO-s, nga ana tjetër në mars veç më morëm përcaktim se deri në fund të vitit do të duhej edhe formalisht t’i hapim negociatat qasëse, ajo nuk do të ndodhte nëse për një pjesë të ligjeve nuk do të veprohej me procedurë të shkurtuar”, tha Xhaferi në intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Si një ndër arsyet për sjelljen e ligjeve me procedurë të shkurtuar, Xhaferi e thekson edhe pandemisë, e cila mbetet sfidë edhe për atë se si do të funksionojë Kuvendi, pasi disa deputetë u infektuan me korona virus.

Edhe pse opozita ka kundërshtuar, për Xhaferin situata është shumë e qartë – Kuvendi duhet t’i përshtatet gjendjes dhe të punojë online, edhe përkrah asaj që Kushtetuta parasheh prezencë fizike.

“Me kushtetutë është e definuar se Kuvendi punon në objektin parlamentar, në atë dhe atë sallë, dhe çka tani do të mbesin skllav të asaj? Shkupi dhe lugina e Shkupi janë një zonë e tërmetit, parë në aspektin sizmologjik. Në rast të tërmetit dhe dëmtimit më të madh të objektit, ku do të mbahen seancat? Nuk është e definuar. Për këtë, tani që u gjendëm në këtë situatë është e domosdoshme të mendojmë të kemi rregulla rezervë si dhe në çfarë mënyrë do ta kryenim funksionin tonë dhe në kushte të tilla dhe jo ajo të jetë zëvendësim i punës së rregullt. Por, për çdo rast deputetët, subjektet, partitë politike kanë të drejtë të kenë qasje të tillë ashtu siç i janë qasur kësaj ideje. Unë qëndroj pas faktit se nëse jo tani, në të ardhmen do të duhet të kemi zgjidhje alternative për punë alternative në kushte alternative. Në kushte normale, cili njeri normal do të kërkonte të punojë nga shtëpia? Por situata na imponon që të mendojmë edhe për atë”, tha Xhaferi.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button