fbpx

Hoti e Haradinaj përplasen për Task-Forcën anti-korrupsion

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, që është partneri kryesor i kryeministrit Avdullah Hoti, ka dalur kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task-Forcës anti-korrupsion, shkruan REL.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka thënë se shkarkimi i kësaj force shkakton pasiguri juridike, pasi e njëjta ka hetuar dhe po hetonte raste të profilit të lartë.

“Puna e tyre ka treguar që askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia. Normalisht ka pasur shumë gjëra të përmirësohen dhe kjo task-forcë të fuqizohet, qoftë nga rishikimi funksional ose nga rekomandimet e partnerëve strategjik si SHBA-ja dhe BE-ja”, ka shkruar Haradinaj.

Por, i menjëhershëm ishte reagimi kryeministrit Avdullah Hoti.

Hoti në Facebook, shkroi se qeveria është e vendosur për të forcuar rendin ligjor dhe se ‘siguria juridike garantohet vetëm duke respektuar Kushtetutën, ligjet dhe institucionet shtetërore’.

“Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. Këtë e kemi bërë me vendimet që kemi marr në këta muaj të qeverisjes. Drejtësia duhet ta bëjë punën sipas ligjit, e jo sipas vendimeve të Qeverisë. Kthimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend duhet të jetë angazhim i të gjithëve”, shkroi Hoti në Facebook.

Qeveria e Kosovës, një javë më parë vendosi ta mbyll Task-Forcën, duke vlerësuar se kjo çështje tash duhet të rregullohet me legjislacionin e funksionimit të Këshillit Prokurorial dhe se mandati i EULEX-it, tashmë është ndryshuar.

Por, lideri i AAK-së vlerëson se vendimi për shuarjen e Task Forcës nuk ishte menduar mirë.

“Në përmirësimin e institucioneve tona duhet të kemi plan. Çdo vendim pa plan, e i aty për atyshëm mund të kuptohet si ndërhyrje politike ose hakmarrje ndaj proceseve të pavarura”, ka shkruar Haradinaj.

Ai madje ka vlerësuar se ka paguar ‘çmim që të ruaj sundimin e ligjit mbi përfitimet politike’.

Departamenti Special Anti-Korrupsion, apo e ashtuquajtura ‘Task-Forca Anti-Korrupsion”, ishte pjesë e policisë, që kishte për qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale kundër ekonomisë, financave dhe korrupsionit, por edhe hetimin dhe luftimin e korrupsionit në nivel të lartë në Kosovë.

Ky departament ishte themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim me misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close