fbpx

Në vitin 2023 në Shkup do të përfundojë bulevardi jugor nëntokësor, deri më 2025 edhe ndërtesat mbi të

Rruga nëntokësore në Bulevardin Jugor në qendër të Shkupit do të jetë gati në vitin 2023. Megjithëse në fillim të punimeve të ndërtimit në 2018, investitori, kompania turke “Limak”, paralajmëroi se rruga do të përfundohej për dy vjet, prapë afati nuk do të përmbushet. Kryetari Petre Shilegov thotë se ky është një projekt serioz, ndërsa pandemia e Kovid-19 ka ndikuar mbi dinamikën e punëve ndërtimore, raporton SDK, përcjell Portalb.mk.

“Aktualisht, në terren po punohen shtyllat për tunelin ose rrugën nëntokësore. Kur të përfundojë, do të fillojë ndërtimi i kompleksit “Dajmond”. Nuk është e mundur që së pari të ndërtohen ndërtesat dhe pastaj rruga. Ato ndërtesa që janë ndërtuar në Bulevardin Jugor nuk janë pjesë e kompleksit, por më parë është lëshuar një vendim ndërtimi për ta dhe ato janë një pjesë e veçantë”, tha Shilegov.

Marrëveshja për nëntokën e Bulevardit Jug me investitorin turk “Limak” u nënshkrua në 12 Mars 2012 nga ish-kryetari Koce Trajanovski dhe në konferencën e atëhershme për shtyp u njoftua se ndërtimi do të fillonte për një vit. Por, për më shumë se 6 vjet, në terren nuk ishte bërë asgjë, kurse as Qyteti i Shkupit nuk tregonte pse projekti nuk realizohej.

Me ardhjen e Petre Shilegov për kryetar, “Limak” thanë se ata i kishin tejkaluar problemet me marrjen e lejeve të nevojshme dhe në shtator 2018 filluan punimet e ndërtimit. Në konferencën për shtyp për fillimin e projektit përveç Kryetarit të Shkupit Shilegov morën pjesë edhe kryeministri Zoran Zaev dhe zëvendës kryeministri i atëhershëm për çështje ekonomike Koço Angjushev.

Rruga duhet të jetë e gjatë 800 metra, 6 metra nën tokë dhe me 6 korsi. Kompleksi i “Dajmond Shkup” do të ketë ndërtesa banimi dhe afarizmi, qendër tregtare, hapësirë ​​për aktivitete kulturore, restorante, kafene. Simboli i qytetit, Stacioni i Vjetër Hekurudhor, sot Muzeu i Qytetit të Shkupit, duhet të përshtatet në mënyrë autentike në kompleks. Sipërfaqja e përgjithshme e kompleksit do të jetë 325.000 metra katrorë. Lartësia maksimale e ndërtesave që do të ndërtohen është kat përdhes plus 20 kate.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button