fbpx

Histori e shkurtër e epidemive më të rrezikshme me të cilat është ballafaquar njerëzimi

Kam shkruar më shumë se një herë për pasojat e pandemisë Covid-19, që kesaj vjeshte është çartur dhe po korr pamëshirshëm jetë njerëzish, ndaj, kësaj here, vendosa të sjell në përkthim të lirë pjesët më të rëndësishme të shkrimit të Dragan Shtavljanin-it me titullin: “Epidemitë nga Troja dhe ethet spanjolle gjer të korona virusi”.

Autori në fjalë e nis shkrimin me të dhëna interesante që shpërfaqin ndikimin e jashtëzakonshëm që kanë pasur dhe kanë epidemitë e mëdha në rrugëtimin e njerëzimit nëpër kohë. Sipas tij: Përgjatë historisë sëmundjet ngjitëse kanë shkaktuar vdekjen e miliona njerëzve dhe kanë ndikuar në rrjedhën e jetës dhe identitetit njerëzor. Nën ndikimin e rrerthanave apokaliptike ngriteshin e shembeshin me lehtësi mbretëritë, përhapeshin me lehtesi religjionet, nisnin ose pushonin luftërat e përgjakshme, si lufta njëshekullore ndërmjet Francës dhe Anglisë (1337 – 1453)…

Ushtarët e sëmurë grekë në Trojë: Në veprën “Iliada” Homeri shkroi për murtajën që përgjysmoi ushtrinë greke gjatë luftës së Trojës në sh. XII para erës së re. Në kohën antike mendohej se epidemitë i shkaktojnë perënditë për t’i dënuar njerëzit. Përndryshe, në librat e vjetër janë përplot të dhëna lidhur me mënyrën e trajtimit të njerëzve të infektuar nga lebra, lidhur me këshillat për izolimin e tyre dhe kontrollin e përjavshëm nga ana e priftërinjëve për të mos marë hov sëmundja. Edhe mjeku grek Hipokrati, që e përkufizoi i pari epideminë, fliste për domosdoshmërinë e izolimit të njerëzve të infektuar…

Murtaja e Tukididit, viti 430 para erës së re: Pandemia më e vjetër u paraqit gjatë Luftës së Peloponezit në sh. V para erës së re. Sëmundja u përhap nga Libia, Etiopia dhe Egjipti nëpërmjet mureve të Athinës së rrethuar nga spartanët. Sipas shënimeve historike, kjo murtajë mori jetën e dy të tretave të popullatës. Për të ka shkruar dhe historian i famshëm Tukididi, sipas të cilit kjo pandemi mori dhe emrin “Murtaja e Tukididit”.

Murtaja e Antoninit, viti 165: Mendohet se fruthi u paraqit së pari tek Hunët, të cilët i infektuan fiset gjermane, kurse këta të fundit e bartën sëmundjen mes ushtarëve romakë, që e përhapër më pas në gjithë mbretërinë. Epidemia në fjalë zgjati 15 vjet. Sipas historianëve, në Romë vdisnin nga 2.000 njerëz në ditë, kurse numri i përgjithshëm i të vdekurve qe mbi 5 milionë. Në mesin e të vdekurve ishin edhe mbretërit Lucije Veri dhe Mark Aureli i dinastisë Antonina, sipas së cilës dhe u pagëzua sëmundja.

Murtaja e Justinianit, viti 541: “Murtaja e Justinianit” për herë të parë u paraqit në Egjipt, duke u përhapur pastaj në Palestinë dhe Mediteran. Sëmundjen e bartnin minjtë dhe pleshtat e tyre. Kjo murtajë u rikthye disa herë gjatë dy shekujve në vijim. Sipas studiuesve ajo mori mbi 50 milion jetë njerëzish. Gjithnjë sipas tyre (studiuesve të kohës) vetëm në Konstandinopojë (Stambollin e sotëm) vdisnin nga 5-10 mijë njerëz, kështu që, për tre vjet u zhduk një e treta e popullatës. Kishte aq viktima sa nuk mund të varroseshin, ndaj i palosnin nëpër oborre kishash e kullash, sepse krishterimi nuk e lejonte djegien e kufomave. Sipas historianit bizantin Prokopius, epidemia “pothuajse e zhduku njerëzimin”. Kronikanët thonë se “Murtaja e Justinianit” e lehtësoi përhapjen e Krishterimit, po ka dhe autorë që pohojnë se murtaja ndihmoi ngritjen e Islamit…

Vdekja e zezë, viti 1347: Historianët thonë se Vdekja e zezë mori jetën e 60 % të popullatës evropiane dhe një të tretën e popullatës së atëhershme botërore. Mendohet se vatra e parë e saj u paraqit në Azi, kurse në Evropë e sollën pushtuesit tatarë. Murtajën e ndihmoi jeta nomade po dhe levizjet kryqtare, që ktheheshin nga Jeruzalemi. Skenat e tmerrshme të sëmundjes në fjalë i përshkroi Xhovani Bokaço në “Dekameronin” e tij të famshëm… Sipas “National Geographic” kjo pandemi e frikshme jeton në mbi 200 lloje brejtësish të përhapur në gjithë planetin dhe mund të paraqitet edhe në kohën tonë.

Shkëmbimi i Kolombit, viti 1492: Ekspeditat e spanjollëve në Karaibe bartën te popullata utoktone sëmundje gjer atëherë të panjohura, si fruthi dhe murtaja e brumbujve. Kjo zhduku 90 % të popullatës vendëse. Sipas kronikanëve, në vitin 1492  Kristofor Kolombo e gjeti ishullin Hispaniola me 60.000 banorë të popullit Taino, numër ky i cili në vitin 1548 mezi arrinte në 500 frymë. Ky skenar ndodhi në gjithë kontinentin amerikan, të populluar me afro 60 milion banorë vendës, 56 milion prej të cilëve vdiqën brenda 2-3 dekadave.

Murtaja e madhe e Londrës, viti 1665: Murtaja e brumbujve vrau 20 % të banorëve të Londrës (afër 100.000 njerëz). Meqë mendohej se e përhapën macet dhe qentë, u therrën me mijëra prej tyre me qëllim të ndaljes së përhapjes së murtajës.

Pandemia e parë e kolerës, viti 1817: E para nga 7 pandemitë e kolerës në 150 vitet e ardhshme u paraqit në Rusi, ku vdiqën një milion njerëz. Nëpërmjet ujit të infektuar nga jashtëqitjet dhe ushqimi, sëmundja u përhap mes ushtarëve britanikë, që më pas e dërguan në Indi, ku gjithashtu vdiqën mbi një milion njerëz. Mbretëria e madhe britaneze e përhapi kolerën edhe në Spanjë, Afrikë, Indonezi, Kinë, Japoni, Itali, Gjermani dhe Amerikë, ku gjithashtu pati shumë të vdekur. Vaksina kundër kolerës u zbulua në vitin 1885, por pandemia u paraqit edhe shumë herë të tjera…

Pandemia e tretë e murtajës, viti 1855: Pandemia e tretë u paraqit në Kinë dhe u bart në Indi dhe Hong Kong, ku vdiqën 15 milionë njerëz. Sëmundja qe aktive gjer në vitin 1960…

 Gripi rus, viti 1889: Për herë të parë u paraqit në Siberi dhe Kazakistan, kurse më pas u bart në Moskë, Finlandë, Poloni dhe në shtetet tjera evropiane, në Afrikë dhe në Amerikën Veriore. Gjer në vitin 1990, nga gripi kanë vdekur mbi 360.000 njerëz.

 Ethet spanjolle, viti 1918: Nga kjo epidemi u infektua një e treta e popullatës botërore, kurse numri i të vdekurve ishte mbi 50 milionë njerëz, për shumëkë mbi 100 milionë. Mendohet se virusi H1N1 të cilin e bartin shpezët, së pari u paraqit në Kinë, pastaj nëpërmjet punëtorëve kinezë në Kanadë dhe Evropë. Nga këto ethe njerëzit sëmureshin në mbrëmje dhe vdisnin në mëngjes, duke shkuar në punë. Ethet spanjolle shkatërronin me shpejtësi marramendëse mushkëritë e të infektuarve.

 Gripi aziatik, viti 1957: U paraqit në Hong Kong dhe u përhap në Kinë, SHBA dhe Angli. Vala e parë e këtij gripi mori 14.000 jetë, kurse një vit më vonë prej tij vdiqën 1,1 milion njerëz në mbarë botën.

 Gripi i Hong Kongut, viti 1968: Virusi H3N2, që mori mbi një million jetë njerëzish, fillimisht u përhap në Kinë, pastaj edhe në SHBA dhe gjetiu.

HIV/AIDS, viti 1981: AIDS-i është vdekjeprurës, sepse shkatërron sistemin imunitar të njerëzve. Sëmundja u paraqit në bashkësitë homoseksuale amerikane, por mendohet se është zhvilluar nga një virus në trupin e shimpanzës në Afrikën Perëndimore që në vitin 1920. Janë të shumtë njohësit e këtij virusi që pohojnë se në vitin 1960 u paraqit në Haiti, kurse në vitin 1970 në Nju Jork dhe San Francisko. Gjer me sot AIDS-i ka marë 35 milion jetë njerëzish.

 SARS-i, viti 2002: U paraqitet në Kinë si sëmundje që sulmon mushkëritë. Më 2017 u zbulua se burimi i këtij virusi të rrezikshëm janë kolonitë e lakuriqëve të natës të krahinës Junan. Meqë Kina kurseu fillimisht informacionet rreth virusit në fjalë, pjesa tjetër e botës nisi të dyshojë në këtë shtet…

Gripi i shpezëve, viti 2003: Virusi i gripit të shpezëve H5N1 u paraqit në Kinë në vitin 1996. Nga viti 2003 ai u përhap në Korenë e Jugut, në Tajlandë dhe në Vietnam, fillimisht te shpezët pastaj te njerëzit. Për ta ndërprerë përhapjen e virusit u eliminuan miliona shpezë. Nga H5N1 kanë vdekur gati 300 mijë njerëz.

Gripi i derrave, viti 2009: H1N1 është tip i ri virusi, i panjohur paraprakisht te kafshët dhe njerëzit. U paraqit pas mutacionit të virusit të shpezëve, fillimisht në SHBA, pastaj nëpër botë. Ky lloj gripi mori afër 600 mijë jetë njerëzish, ose 1 % të të infektuarve.

MERS-CoV, viti 2012: Për herë të parë u identifikua në Arabinë Saudite. Njësoj si SARS-i edhe ky virus sulmon mushkëritë, por edhe veshkët dhe organet tjera. Në dallim prej viruseve tjera, MERS-CoV nuk u perhaps përtej kufijvë të Arabisë Saudite, ku infektoi 2.5 milionë njerëz dhe vrau afër një mijë prej tyre.

EBOLA, viti 2013: Nga ky virus, kryesisht në Guine, Siera Leone dhe Liberi u infektuan 28.000 njerëz, prej të cilëve 11.325 vdiqën. Shkalla e vdekshmërisë nga virusi EBOLA është jashtëzakonisht i madh.

I fundit në listën e viruseve të rrezikshëm është Covid-19 (koronavirusi), që tash e një vit të plotë e ka gjunjëzuar botën. Për fat të keq, në Maqedoninë e Veriut dhe jo vetëm, aktualisht numri i të infektuarve është më i madh se kapacitetet e spitaleve të vendit, kurse numri i të vdekurve në 1.000 banorë është ndër më të lartit në botë . Të frikshme janë dhe lajmet e përditshme për molisjen e mjekëve dhe braktisjen e vendeve të punës nga një numër i konsiderueshem i atyre që nuk duan ta rrezikojnë jetën për të tjerët, veçmas për ata që nuk respektojnë asnjë udhëzim për të mbrojtur veten dhe të tjerët nga virusi vdekjeprurës.

Në këso rrethanash, lindin e përhapen vetvetishëm parashikimet e zymta pë të ardhmen e jetës, e cila, me gjasë, nuk do të jetë më kurrë ashtu si ishte para kësaj pandemie.

Sidoqoftë, vend për panik nuk duhet të ketë, sepse kjo vetëm mund ta përkeqësojë gjendjen edhe ashtu të rëndë. E vetmja gjë që na ka mbetur është të ndjekim rekomandimet e mjekëve dhe të mos tebdilosemi në heronjë kokëboshë, prapa trimërisë verbale të të cilëve fshihen frikacakët dhe pordhavecët më të mëdhenj, që s’kanë vlerë tjetër për të rënë në sytë e botës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close