Djathtistët kundërshtojnë mbajtjen e festivalit “Mirëdita, dobar dan!” në Beograd

Në Beograd, të enjten fillon festivali „Mirëdita, dobar dan!“, i cili publikut ia prezanton skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës, njofton REL. Festivali mbahet që nga viti 2014 dhe ate e organizon Iniciativa e të rinjve për të drejta të njeriut. Festivali do të zgjasë deri më 24 tetor.

 

Siç është paralajmëruar, për shkak të pandemisë së koronavirusit, ky festival do të mbahet duke respektuar masat.

Është njoftuar se në festivalin treditësh do të diskutohet për procesin negociator ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet të rinjve të shoqërisë shqiptare dhe asaj serbe.

Qëllimi i festivalit, siç është paralajmëruar, është që përmes takimeve të bashkësive kulturore dhe shoqërore kosovare dhe serbe t’i nisë ndryshimet dhe të krijohet një traditë e bashkëpunimit, me të cilën do të jepet kontribut normalizimit të qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Në këtë festival, publikut të Beogradit do t’i paraqiten artistët dhe interpretuesit që përfaqësojnë skenën moderne kulturore të Kosovës.

Festivali do të hapet me shfaqjen teatrore “Unë jam vet grua” të Kushtrim Koliqit.

Në ditën e dytë, në repertorin e festivalit janë debatet “Kosova-trashëgimia e kujtesës” dhe një ekspozitë me të njëjtin emërtim, ndërkaq ditën e tretë do të ketë debat për drejtësinë tranzicionale në Kosovë, do të ketë shfaqje të Tristan Halilajt, i cili do të lexojë fragmente nga libri i tij “ Richard Gere ka qenë këtu”, përmbledhje e rrëfimeve, e cila është në origjinal është publikuar në gjuhën serbe, si dhe projeksioni i filmit “Shtëpia e Agës”.

Inspirimi për këtë ngjarje kulturore është Bekim Fehmiu, aktor i shqiptar i Kosovës, i cili ka qenë i njohur si aktor në Beograd, në ish-Jugosllavi dhe në botë dhe i cili paraqet simbolin e unitetit dhe skizmës, si dhe mundësinë e ndërlidhjes së dy hapsirave kulturore në një tërësi unike.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, i cili në Beograd mbahet që nga viti 2014, gjatë viteve të kaluara ka qenë cak i grupeve të djathta dhe të tifozëve, ndërkaq që Qendra për dekontaminimin kulturore (CZKD), në të cilën mbahet një pjesë e programit, në vitin 2018 ishte nën rrethimin policor për shkak të të djathtëve.

Partia Radikale Serbe (SRS), të cilën e drejton i dënuari nga Haga, Vojislav Sheshel, ka paralajmëruar më 21 tetor në faqet vet të internetit që “asnjë shtet serioz nuk do të lejonte që të mbahej festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’, sepse bëhet fjalë për propagandë kundër shtetit si dhe për promovim të shtetit të rrejshëm të Kosovës”.

“Aksioni armiqësor i fundit me radhë është i ashtuquajturi festival Mirëdita, dobar dan, festival i cili promovon kinse kulturën e Kosovës dhe në atë mënyrë e pranon shtetin e rrejshëm të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Partisë Radikale Serbe, ku gjithahtu është shtuar që “Është padurueshme që njerëzit që janë të lindur si serbë, të promovojnë në mes të Beogradit kinse kulturën e Kosovës dhe në atë mënyrë e njohin shtetin e rrejshëm të Kosovës”.

Paraprakisht, kryetarja e partisë së djathtë serbe “Zavetnici”, Milica Gjurgjeviq Stamenkovski, gjatë një emisioni në televizionin serb Hepi, ku ishte mysafire, e ka quajtur këtë festival “propagandë shqiptaromadhe në zemër të Beogradit” dhe “rrëmbim të trashëgimisë kulturore”, me porosinë që “këtu nuk ka mirëdita, por është vetëm mirupafshim”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button